Ja pse Kremlini i quan përshkallëzuese komentet e Cameronit

  • A.P /
  • 03 May 2024 - 18:33
Ja pse Kremlini i quan përshkallëzuese komentet e Cameronit

Kremlini i ka quajtur përshkallëzim i rrezikshëm dhe i drejtpërdrejtë komentet e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, se Ukraina mund t’i përdorë armët britanike kundër caqeve brenda Rusisë, nëse dëshiron, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Të enjten, Cameron i premtoi Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake “sa të jetë e nevojshme”.

Gjatë një vizite në Kiev të enjten, ai theksoi po ashtu se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që ia dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.

“Ukraina e gëzon atë të drejtë. Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni lehtë pse Ukraina e ndien nevojën për t’u siguruar se po e mbron veten”, tha Cameron.

Në javët e fundit, Rusia e ka bombarduar pareshtur me dronë dhe raketa infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Komentet e Cameronit e bëjnë Britaninë të mbajë qëndrim më luftarak karshi Rusisë – së paku publikisht – sesa SHBA-ja, e cila thekson se armët me të cilat e furnizon Ukrainën duhet të përdoren vetëm brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht, dhe jo kundër caqeve brenda territorit të Rusisë.

Ukraina thotë se i përdor dronët e vet dhe armë të tjera për të kryer sulme kundër caqeve brenda Rusisë, si për shembull, kundër rafinerive të naftës apo infrastrukturës hekurudhore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi komentet e Cameronit si të rrezikshme.

“Ky është përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensioneve në lidhje me konfliktin ukrainas, i cili ka mundësi të përbëjë rrezik për sigurinë evropiane, për tërë sigurinë evropiane”, tha Peskov.

“Këtu e shohim ne një trend të rrezikshëm të përshkallëzimit të tensioneve në deklarata publike”, shtoi ai.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se kjo është “hera e parë që një politikan perëndimor ka pranuar kaq haptazi një fshehtësi të njohur për kohë të gjatë për shumicën e vendeve të botës: Se Perëndimi po kryen luftë të fshehtë kundër Rusisë përmes ukrainasve”.

Rusia do të përgjigjet nëse Ukraina kryen sulme kundër territorit rus me armë britanike, shtoi ajo.

(Kosova Sot Online)