“Po e përgatisim një draft-statut për Asociacionin”, çfarë shkruan Gërvalla në letrën e dërguar në Strasburg

  • E.K /
  • 16 May 2024 - 09:59
“Po e përgatisim një draft-statut për Asociacionin”, çfarë shkruan Gërvalla në letrën e dërguar në Strasburg

“Qeveria e Kosovës është duke e përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, shkruan ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një letër që ia ka dërguar të mërkurën presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos.

Në letrën që e ka publikuar Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet, Gërvalla zotohet se draft-statuti i frymësuar nga Fondacioni Friedrich Ebert “do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024”.

Gërvalla përmend në letër zotimin e presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca që ata e dhanë në mars se do të angazhohen për themelimin e Asociacionit pas anëtarësimit të vendit në Këshillin e Europës.

“Që nga 17 prilli 2024, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë dhe të prekshëm në lidhje me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike (27 shkurt 2023) dhe Aneksit të Zbatimit të saj (18 Mars 2023), duke përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Neni 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Themelore) si një nga angazhimet pas anëtarësimit. Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Themelore, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e bashkëpunimit dhe asociimit të bazuar në shërbime komunale”, shkruan Gërvalla në letër.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (në kuadër të obligimeve të parapara në nenet 7 dhe 10), të frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024”, shkruan më tej kryediplomatja kosovare.

Gërvalla shkruan se pas këtyre “hapave konkretë dhe të prekshëm”, presin që Komiteti i Ministrave ta ftojë Kosovën për t’u bëërë shteti i 47-të anëtar i Këshillit të Europës.

“Duke marrë parasysh këto hapa konkretë dhe të prekshëm të ndërmarrë nga Kosova, presim që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë për ta ftuar Kosovën që të bëhet shteti i 47-të anëtar i Këshillit të Evropës”, shkruan Gërvalla.

“Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj ndërsa presim ta përmirësojmë bashkëpunimin tonë përmes anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës”, thuhet në fund të letrës.

Kosova së fundmi e ka kontaktuar edhe Shqipërinë për t’i kërkuar ndihmë që sot dhe nesër Komiteti i Ministrave ta miratojë përfundimisht anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Megjithëse tha se nuk e dërgon draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, duke refuzuar kështu kushtin që tha se ia vendosën kryeqendrat europiane për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës këtë muaj, kryeministri Albin Kurti ka thënë se shpreson ende se Komiteti i Ministrave do të vendosë përfundimisht që ta pranojë vendin në KiE.

Më 16 maj, 80% e deputetëve në Asamblenë Parlamentare votuan që Kosova të avancojë më tej në rrugën e anëtarësimit në Këshillin e Europës. Kurti u paralajmërua menjëherë se “tani vjen puna e vështirë”, por tha “s’bëj hapa të cilët rrezikojnë Kosovën, sovranitetin, integritetin territorial, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e saj”.

Kosova hapin e parë të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës e bëri më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës. Por fjala e fundit i takon Komitetit të Ministrave.

(Kosova Sot Online)