Tash ju ndalohen fyerjet e deputetëve arrogant në Kuvend

Tash ju ndalohen fyerjet e deputetëve arrogant në Kuvend
Tash ju ndalohen fyerjet e deputetëve arrogant në Kuvend

Gani Qarri

  • 01 May 2024 - 16:51

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në seancën e fundit të Komisionit për legjislacion është miratuar përfundimisht Kodi i Sjelljes për deputetët, me të cilin sanksionohet sjellja e tyre në Kuvend, në komisione dhe në të gjitha trupat e tij dhe tash e tutje ata që ofendojnë e bëjnë shkelje të tjera, në kundërshtim me kodin e miratuar, do të dënohen me 50 për qind të pagës së tyre. Andaj Kodi i Etikës i miratuar në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, pritet të kryej funksionin e tij, për ti disiplinuar me sanksione apo masa ndëshkuese, veçanërisht deputet e pa edukuar dhe të mësuar që ta kontaminojnë edhe parlamentin me fjalor rrugaçësh, duke përdorë shprehje banale dhe fyerje të ulëta e kërcënime, me të cilat maniakët besojnë, se i përfitojnë akoma më shumë militantët e tyre për interesa elektorale.

{

}

 

Ky dokument në fakt, është proceduar për të kaluar votimin në Kuvend në seancë të rregullt parlamentare dhe me këtë akt përplotësohet e gjithë korniza ligjore për deputetët, që në fakt ka munguar deri më tani i cili në fakt edhe ka paraqitur zbrazësi të theksuar për zbatimin e plotë të rregullores. Kodi i sjelljes, parasheh masa ndëshkuese për deputetët të cilët marrin guximin të ofendojnë, të shajnë e nxisin dhunë dhe bëjnë shkelje tjera gjatë mandatit të tyre në kundërshtim me rregulloren e punës. Masat ndëshkuese përveç përjashtimit të deputetit nga seancat dhe komisionet, përfshijnë edhe masa të ashpra materiale ku deputetët dënohen deri me 50 për qind të pagesës së tyre. Kodi parasheh që deputetëve t’u përcaktohen parimet e përgjithshme të sjelljeve në hapësira brenda Kuvendit por edhe jashtë, sikurse që janë përcaktuar shkeljet eventuale të Kodit të Sjelljes dhe masat ndëshkuese.

 

Madje kodi në fjalë parasheh masa ndëshkuese edhe për shkelje të lehta dhe sanksionime proporcionale për sjellje të rënda, të cilët mund të përjashtohen nga tri seanca të Kuvendit, tri mbledhje të komisionit, apo edhe të sanksionohen deri me 50 për qind të pagës bazë. Pasi ky kod, të votohet në seancën e radhës së Kuvendit, është paraparë të formohet edhe një komision i veçantë për zbatimin e tij, pra do të formohet Këshilli etikës, i cili do të ketë përgjegjësi për të trajtuar rastet dhe përcaktuar masat ndëshkuese, për deputetët e pasjellshëm që thyejnë kodin. Kuvendi i Republikës së Kosovës në këto katër mandatet e fundit është shndërruar në një tetarët turpi që ka lënë imazh tepër të keq te qytetarët. Në Kuvendin i Kosovës shpesh-herë deputetët kanë përdorur gjuhë ekstreme fyese dhe shprehje banale ndaj njëri-tjetrit, që dëgjoheshin edhe përmes ekraneve televizive, e për aq më tepër, gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar as rastet e përplasjeve fizike mes tyre. Kështu që me Kodin e sjelljes pretendohet të arrihet një masë e konsiderueshme edukimi dhe vetëdijesimi për sjellje më të qytetëruar të deputetit, duke mos u kursyer në rastet ekstreme edhe me masa proporcionale ndëshkuese deri te sanksionimi material me 50 % të pagës!!!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"