description

Menaxhmenti i UP-së dorëzohet para mësimdhënësve!

Publikuar: E marte 1 Nëntore 2011, 6:18 0 Komente

Mësimdhënësit e Universitetit të Prishtinës edhe më tej vazhdojë ta shkelin Statutin e UP-së, përkatësisht nenin 177. Ata, përveçqë në UP janë në marrëdhënie të rregullt pune, punojnë edhe në kolegje private, si dhe në Universitetin i Tetovës dhe atë të Evropës Juglindore. As rritja e pagave nuk i ka ndërgjegjësuar ata që ta respektojnë ligjin. Ndërkohë, menaxhmenti i UP-së, duke e parë të pamundur luftimin e kësaj dukurie, këtë çështje e ka lënë në ndërgjegjen e mësimdhënësve. Ata thirren në një vendim të menaxhmentit, në bazë të të cilit nëse një mësimdhënës mungon në një orë mësimore, atëherë atij i ndalen 50 euro, kurse për asistentin gjoba është 25 euro për një orë. Por, a janë apo jo reale fletë-evidentimet e mbajtjes së orëve mësimore nuk dihet, pasi që mësimdhënësit ua japin studentëve t’i nënshkruajnë listat edhe për orët e javëve të ardhshme.

 

Rugova: I ndëshkojmë mësimdhënësit

Ky kaos, i cili po mbretëron me mësimdhënësit e Universitetit, ka bërë që cilësia të jetë nën çdo nivel, ngase mësimdhënësit assesi nuk mund të jenë të suksesshëm nëse punojnë në më shumë se tri katër vende. Një gjë të tillë e kanë pranuar si menaxhmenti i Universitetit ashtu edhe studentët, por jo edhe dekanët e njësive akademike.

Lidhur me këtë çështje, rektori i UP-së, Mujë Rugova, për “Kosova Sot” ka thënë:“Çështja e mbarëvajtjes së mësimit varet nga shumë faktorë, e njëri ndër ta është edhe disiplina e pedagogut, i cili është i obliguar dhe i detyruar që në kohën e duhur të jetë në vendin e tij të punës. Ne si menaxhment i UP-së ua kemi lënë një katërorësh secilit mësimdhënës që të ketë mundësi angazhimi në një kolegj dhe atë pas orës 16:00, pasi që edhe këta studentë janë tanët, por primare është të jenë të rregullt në UP”. Ai thotë se mësimdhënësit janë të interesuar që të punojnë në disa vende, kurse ai ka detyrim ligjor që t’i sanksionojë ata. Rektori Rugova e ka pranuar faktin se ka mësimdhënës të cilët janë të angazhuar edhe në Universitetin e Tetovës apo diku tjetër, mirëpo është shprehur se po të mos lejoheshin ata do të mbyllej Universiteti i Tetovës.

 

Studentët frikësohen të përmendin emra

Studentët janë ata të cilët pësojnë nga mosardhja e rregullt e mësimdhënësve, por hezitojnë të flasim për emra të mësimdhënësve, ngase kanë frikë nga hakmarrja.

“Mungesat e mësimdhënësve në ligjërata, por edhe në provime janë mjaft evidente. Në shumicën e herëve pas pritjes 15 minuta akademike ne duhet vetë t’i kontaktojmë ata për të mësuar se a do të vijnë në mësim apo jo, në mënyrë që mos të presim kot. Ka mësimdhënës të cilët kurrë nuk vijnë në fakultet, por ora mësimore mbahet nga asistentët e tij, mirëpo të tillë nuk janë të gjithë, pasi që ka edhe mësimdhënës që janë të rregullt në mësim”, është shprehur Blerim Kastrati, studentë i Fakultetit Juridik. Ai ka hezituar të flasë me emra për mësimdhënësit, të cilët nuk janë të rregullt në ligjërata dhe provime, por ka thënë që ata të cilët në përgjithësi janë të angazhuar edhe në institucione të tjera punën në fakultet e kanë dytësore.

Kurse, dekani i Fakultetit Ekonomik, Skënder Ahmeti, ka thënë se rastet e mungesave të mësimdhënësve janë shumë të rralla në fakultetin që ai e drejton.“Nëse një mësimdhënës mungon në një orë mësimore, e cila i kushton 25 euro, atij nga paga i ndalet dyfishi i orës, që do të thotë 50 euro”. Rastet e mungesës së mësimdhënësve në ligjërata te ne janë të rralla. Kreu i UP-së e ka pranuar faktin që një mësimdhënës mund të arrijë të jetë i mirë në mësimdhënie nëse e mban një 20 orësh në javë në UP dhe 4 apo 5 orë në ndonjërin kolegj privat, por assesi të punojë në 10 vende.

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve