description

Për parregullsi, provimi anulohet në 17 komuna

Publikuar: E marte 13 Shtator 2011, 13:22 0 Komente

Prishtinë, 12 shtator

As afati i dytë i mbajtjes së provimit shtetëror të Maturës nuk ka kaluar pa parregullsi. Nxënësit, të cilët i janë nënshtruar provimit të Maturës, në shumicën e rasteve e kanë bërë ndërrimin e grupit, ndërhyrja e personave të paautorizuar në provim, si dhe janë evidentuar edhe parregullsi tjera, të cilat kanë rezultuar me anulim të provimit shtetëror të Maturës. Por, edhe përkundër kësaj, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), përkatësisht Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) i ka publikuar rezultatet e testit të Maturës për këtë afat vetëm për ato qendra testimi, ku procesi ka shkuar mirë. “KQSHM-ja ka marrë vendim për anulimin e testit në disa qendra të testimit, e kjo vjen si pasojë e ndërrimit të grupeve, ndërhyrjes së personave të paautorizuar dhe moskontrollit të mirë me detektorë gjatë hyrjes së nxënësve në shkolla. Nga 15 669 maturantë, sa kanë marrë pjesë në provim, rezultati i testit u është publikuar 13 007 nxënësve, ndërsa për 2 662 maturantë të tjerë testi është anuluar për shkak të parregullsive. Për nxënësit, të cilëve u është anuluar testi, organizmi i provimit të maturës bëhet të shtunën, më 17 shtator, në ato komuna dhe qendra të cilat i përcakton drejtoria komunale”, kanë thënë zyrtarë të MASHT-it.

Anulimet për paralele

Sipas rezultateve të përgjithshme, kalueshmëria e provimit të Maturës për këtë afat është 61%, ose shprehur në numra 7 898 nxënës, ndërkaq numri i nxënësve, të cilët nuk kalojnë, është 5 109 nxënës. Lidhur me këtë çështje, burime të gazetës “Kosova Sot” kanë bërë të ditur se provimi i Maturës është anuluar në gjithsej 17 komuna, por ky anulim nuk është bërë i tërësishëm për një shkollë, por për paralele. Në ato paralele ku komisioni ka konstatuar që më se 35% e nxënëse e kanë pasur grupin e njëjtë të testit, provimi është anuluar. Mirëpo, anulimi i provimit të Maturës është bërë kryesisht nëpër paralele, e jo për të gjithë maturantët e një shkolle. Provimi i Maturës është anuluar në qendrat e testimit në Prishtinë, Lipjan, Mitrovicë, por edhe në komuna tjera. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe shefi i Sektorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Refik Beqiri, sipas të cilit në këtë komunë testi i Maturës është anuluar për maturantët e gjimnazit filologjik “Eqrem Çabej”, si dhe në medresenë “Alaudin”. Prandaj, këta maturantë provimit do t’i nënshtrohen të shtunën, ka thënë ai. Ndryshe, testi i provimit është mbajtur në 98 qendra, në 28 komuna të Kosovës. Në procesin e administrimit kanë marrë pjesë përfaqësues nga MASHT-i, DKA-të, Universiteti i Prishtinës, drejtor shkollash dhe mësimdhënës.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve