description

Universiteti i Prishtinës filloi vitin e ri akademik 2011-2012

Publikuar: E marte 4 Tetor 2011, 14:44 0 Komente

Të hënën, në Universitetin e Prishtinës zyrtarisht ka filluar viti i ri akademik 2011/2012. Me këtë rast, menaxhmenti i UP-së ka organizuar një ceremoni solemne në sallën e kuqe të Fakultetit të Filologjisë, në të cilën mori pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ministri i Arsimit, Ramë Buja, me bashkëpunëtorë, ambasadori i Shqipërisë, Islam Lauka, ambasadori i Italisë në Kosovë, Majkëll Gjifoni, studentë, profesorë dhe personalitete të tjera vendore dhe ndërkombëtare.

 

UP-ja, sinonim i Kosovës së re

Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se Universiteti i Prishtinës që nga themelimi ka qenë sinonim i Kosovës së re, që përqafon vlerat e civilizimit bashkëkohor, duke pasur rol emancipues për gjithë shoqërinë, duke ndryshuar konceptin e jetës, duke nxitur synimet demokratike dhe duke krijuar rrethanat për zhvillimin dhe përparimin e gjithëmbarshëm të Kosovës.“Në këtë universitet është fituar dija, është kultivuar krijimtaria kulturore, artistike dhe shkencore dhe janë krijuar kuadro të cilat e kanë bërë historinë e Kosovës. Nga ky universitet kanë nisur dhe janë përjetësuar, me pjesëmarrjen aktive të studentëve dhe të profesorëve, të gjitha lëvizjet për çlirim dhe për pavarësinë e Kosovës, për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur”, ka potencuar presidentja Jahjaga, duke shtuar se ‘bartësit dhe kontribuuesit e këtyre proceseve kanë qenë të ulur aty ku sot jeni të ulur edhe ju’. Sipas saj, ky historik i universitetit dhe rolit që ai ka luajtur në ndërtimin e Kosovës vazhdon të jetë burim inspirimi për të gjithë brezat.“Ju do të jeni pasqyra dhe shembull i një shoqërie dinjitoze, që po arrin të zërë vendin e saj si e barabartë me shoqëritë e tjera” u ka thënë Jahjaga punonjësve dhe studentëve të UP-së.

Rugova: Kushte më të mira për studentë

Ndërsa, rektori i UP-së, Mujë Rugova, duke i uruar studentëve dhe mësimdhënësve një vit të suksesshëm dhe të mbarë akademik, u ka premtuar kushte më të mira infrastrukturore dhe akademike. Kreu i UP-së ka potencuar që do të rritet hapësira në Fakultetin e Arteve si dhe së shpejti pritet fillimi i ndërtimit të një amfiteatri në Fakultetin Ekonomik, e po ashtu rritjen e numrit të bursave që do të ndahen për ta.

“Është rregull që çdo vit akademik të jetë më i mirë se tjetri dhe stafi i UP-së ka arritur një përmirësim të shprehur të punës, veprimit dhe ecjes përpara të UP-së, duke arritur të rrisë numrin e fushave të studimit, rritjen e hapësirës për studentët në të gjitha qytetet e Kosovës dhe digjitalizimi i UP-së. Ne sivjet do ta rrisim edhe numrin e bursave për studentë si dhe bashkëpunim ndëruniversitar me shumë shtete të rajonit dhe më gjerë”, ka thënë rektori Rugova.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Ramë Buja, duke i uruar studentët dhe mësimdhënësit për një fillim vit të mbarë akademik, u shpreh:“Universiteti i Prishtinës është sinonim i të arriturave kulmore në fushën e arsimit, shkencës e të kulturës në Kosovë dhe se rezultatet e arritura ndër vite janë evidente, ashtu siç janë të ditura edhe vështirësitë e zhvillimit e të mbijetesës së UP-së në kohë të vështira. Ndërkohë që angazhimi dhe përkushtimi i Ministrisë së Arsimit mbetet rritja e vazhdueshme e cilësisë në arsim, ashtu që ç’do ditë e më shumë të përafrohemi, e të jemi të krahasueshëm më të tjerët në Evropë dhe gjetiu”, ka thënë ministri Buja. Ai ka thënë se nuk jemi keq nëse krahasohemi me vendet e rajonit, por ende nuk jemi në nivelin e dëshiruar.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve