"Samsung" prezanton televizorin gjigant, "The Wall" - Auto&Tech - Kosova Sot
"Samsung" prezanton televizorin gjigant, "The Wall"

"Samsung" prezanton televizorin gjigant, "The Wall"

Ky është televizori i cili mund t'ju detyrojë ta blini një apartament më të madh, që të mund ta shikoni atë. Në "Consumer Electronics Show" (CES), të mbajtur në Las Vegas, kompania "Samsung" ka prezantuar një televizor të ri, radikal, të njohur me emrin "The Wall" (Muri), i cili ka një gjerësi prej 3,65 metrash. Konkurrenti kryesor i këtij televizori pritet që të jetë televizori me madhësi thuajse të njëjtë, nga kompania rivale "LG", në kuadër të 'luftës' për krijimin e një televizori të gjeneratës së re. Ky TV është i pari që do ta përdorë teknologjinë e re, të quajtur 'MicroLED'.

I PARI

"Duke qenë televizori i parë modular 'MicroLED', 'The Wall' prezanton një të arritur tjetër', thotë Jonghee Han, zyrtar i kompanisë "Samsung Electronics". Ai ka shtuar se madhësia e këtij televizori mund të përshtatet dhe ai ofron një ndriçim të jashtëzakonshëm, ngjyra të mrekullueshme dhe, në përgjithësi, një përvojë të paparë. Edhe pse ende nuk janë publikuar të dhëna rreth çmimit apo rezolucionit të këtij televizori, kompania prodhuese ka bërë me dije se "The Wall" do të dalë në shitje gjatë vitit aktual. Teknologjia "MicroLED" që përdoret te ky televizor, eliminon nevojën e përdorimit të filtrave të ngjyrave apo të ndriçimit të prapavijës, duke iu ofruar shikuesve një përvojë unike të shikimit. "Samsung" po ashtu bën me dije se ekrani "MicroLED" shkëlqen edhe sa i përket qëndrueshmërisë dhe efikasitetit, harxhimit të energjisë, etj, duke vendosur standarde të reja në këtë fushë. 

AFTËSI E MADHE PËRSHTATJEJE

Duke prezantuar një TV të bazuar te moduli, me korniza më të holla, 'The Wall' po ashtu është televizori i parë, madhësinë dhe formën e të cilit mund ta përshtatin sipas nevojave të tyre. Ekrani mund të përshtatet që të plotësojë nevoja të ndryshme, duke krijuar edhe një ekran sa muri, thonë zyrtarët e kompanisë . "Samsung" po ashtu ka sjellë edhe TV-në e parë QLED, që përmban teknologjinë 8K AI, e cila do të startohet më pas në tërë botën, që nga gjysma e dytë e vitit. 

SI FUNKSIONON

Televizori modular "Samsung Wall" punon sipas parimit të njëjtë të tabelave të stadiumeve, ku pikselët përbëhen nga dritat LED. Ky është një televizor vetë- emetues me drita LED të shkallës së mikrometrit (µm), që janë shumë më të vogla sesa dritat aktuale LED. Teknologjia "MicroLED", që përdoret te ky televizor, eliminon nevojën e përdorimit të filtrave të ngjyrave apo të ndriçimit të prapavijës, duke iu ofruar shikuesve një përvojë unike të shikimit.

TEKNOLOGJIA E RE

"Samsung The Wall", një televizor modular me 146 inçë dhe me teknologji "MicroLED", sjell një definicion të pabesueshëm, pa kufizime në madhësi, rezolucion, apo formë, thotë kompania prodhuese. Kjo teknologji e inteligjencës artificiale sjell një algoritëm për të përshtatur rezolucionin e ekranit, bazuar në karakteristikat e cilësisë së pamjes së çdo skene, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë dhe për ta transformuar me sukses çdo lloj të përmbajtjes në përmbajtje me rezolucion të lartë 8K. CES pritet që të joshë më shumë se 170,000 njerëz nga e mbarë bota gjatë tri ditëve në vijim. 

(Kosova Sot)

6 orë e 1 minuta më parë
20/02/18