"Instagram"-i vjen me risi - Auto&Tech - Kosova Sot
"Instagram"-i vjen me risi

"Instagram"-i vjen me risi

"Vegla" e re 'screenshot' e "Instagram"-it do t'u tregojë përdoruesve kush ua ruan postimet 

Duket se "Instagram"-i ka vendosur t'ua vështirësojë jetën 'tinëzarëve'. Kjo platformë e medieve sociale, që është në pronësi të "Facebook"-ut, është duke testuar një tipar të ri, i cili i lajmëron përdoruesit e tjerë, nëse ju bëni 'screenshot' të ndonjë postimi nga "Instagram Stories" i tyre. Javën e kaluar për herë të parë u bë me dije se ky tipar i ri është duke u testuar në mesin e një grupi të përzgjedhur të përdoruesve, por se, së shpejti, mund të zgjerohet më shumë dhe, tani pamjet e shpërndara në mediat sociale tregojnë se si mund të funksionojë një gjë e tillë.

Njoftimi me ikonë

Pasi bëni "screenshot" rrëfimin e ndokujt, në listën e njerëzve që e kanë parë atë postim do të paraqitet një ikonë e vogël e kamerës, pranë emrit tuaj. Përdoruesit e tjerë, që janë pjesë e testit, kanë marrë një njoftim nga "Instagram", ku thuhet se, herën tjetër kur do të bëjnë "screenshot" të ndonjë storjeje, personi që e ka postuar atë storje do të njoftohet. Postuesi i storjes mund ta vërejë këtë duke klikuar në storjen e tij, në "Instagram app". Me këtë rast do të paraqitet ikona e kamerës te emri i personit që ka bërë "screenshot" të asaj storjeje. Edhe "Instagram" ka konfirmuar se është duke testuar këtë 'vegël'. 'Ne gjithmonë testojmë mënyra për të përmirësuar përjetimin në 'Instagram' dhe për ta bërë më të lehtë të ndani çdo moment me njerëzit që kanë rëndësi për ju", thuhet në deklaratën e kompanisë. Disa përdorues kanë dalë në "Twitter" duke u ankuar rreth kësaj risie, duke thënë se ata kanë dashur që "Instagram" t'i lejonte ata të bënin 'screenshot' pa u trazuar.

Ka mundësi të evitimit

Megjithatë, disa përdorues të mençur kanë gjetur mënyrën se si t'i ikin kësaj risie. Për të bërë 'screenshot' pa u trazuar, kyçeni opsionin 'airplane' në celularin tuaj, bëni 'screenshot' të imazhit që doni ta ruani, e më pas shkyçeni opsionin 'airplane', që të vazhdoni me përdorimin e aplikacionit. Kur një pajisje është në mënyrën 'airplane', ajo pamundëson transmetimin e çdo sinjali WiFi ose Bluetooth. Një mënyrë tjetër për evitimin e këtij kontrolli, është duke përdorë një shfletues të internetit. Nëse shfletoni "Instagram"-in në ndonjë laptop ose kompjuter desktop, atëherë përdoruesit mund të bëjnë 'screenshot' të ndonjë storjeje nga dritarja juaj e shfletimit (browsing). Si kompjuterët 'Mac', po ashtu edhe ata 'Windows' kanë funksione 'screenshot'. Kjo nuk është hera e parë që 'Instagram' ka njoftuar përdoruesit që dikush ka bërë 'screenshot' të fotove të tyre. Në vitin 2016, "Instagram" kishte dalë me një tipar, i cili dërgon njoftime, kur bëhet 'screenshot' nga ndonjë mesazh privat. "Vegla" e re "screenshot" po ashtu është shembulli i fundit që "Instagram" merr një faqe nga "Snapchat". Por, që nga atëherë, "Snapchat" ka dalë me një tipar tjetër, i cili ua mundëson përdoruesve të dërgojnë "Snap" me laqe, si dhe "Snapchat Stories", që ua mundëson përdoruesve të postojnë "Snaps" që zgjasin për 24 orë. 

(Kosova Sot)

20 orë e 51 minuta më parë
22/06/18