Eksperimente kuptimplota antiFejsbuk - Auto&Tech - Kosova Sot
Eksperimente kuptimplota antiFejsbuk

Eksperimente kuptimplota antiFejsbuk

Në Brazil, “Folha de S.Paulo”, e përditshmja më e madhe në vend, do të pushojë së ndari artikujt e vet në Fejsbuk. Arsyeja e parë është se, që kur Fejsbuk ka ndryshuar algoritmin që vendos se me çfarë shpeshtësie shfaqen postimet në faqet e përdoruesve, janë gjithnjë e më të paktë personat që arrijnë në faqen e gazetës, duke kaluar nga rrjeti social. Dhe kjo po ndodh me pjesën më të madhe të mjeteve të informimit, në të gjithë botën. Arsyeja e dytë është se në Fejsbuk është rritur dukshmëria e faqeve të informacioneve të rreme. “Fejsbuku është bërë një terren aspak mikpritës për ata që duan të ofrojnë përmbajtje cilësore”, ka shkruajtur Sergio Davila, drejtor i të përditshmes.

Në Danimarkë, rrjeti televiziv TV Midvest, që 40 përqind të vizitave i ka nga Fejsbuku, ndali për dy javë publikimin e materialeve të veta në Fejsbuk. Siç ishte e parashikueshme, vizitorët ranë me 27% dhe faqet e klikuara me 10%. Por, befasia ishte se vizitorët e mbetur kaluan 42% përqind kohë më shumë në faqe dhe vizituan 12% më shumë faqe të brendshme.

“Ishte një test që na hapi sytë”, ka thënë Nadia Nikolajeva, drejtuese e rrjetit. Por eksperimenti nuk përfundoi këtu: TV Midvest u kërkoi gjithashtu katër përdoruesve – një student, një politikan, një sipërmarrës dhe një menaxher – që të ndalnin për pak kohë përdorimin e Fejsbukut. Objektivi ishte të kuptohej se si arrinin të informoheshin pa rrjetin social. Të intervistuar në fund të eksperimentit, të katër thanë se u kishin munguar ndërveprimet me përdoruesit e tjerë, por ndiheshin më të informuar.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një komision parlamentar ka takuar përfaqësuesit e kompanive të mëdha teknologjike amerikane, mes të cilave Fejsbuk, për të kuptuar si mund të ndalet përhapja e lajmeve të rreme. Përgjigja mund të jetë, sa për fillim, që të bëjmë të gjithë eksperimentin e katër përdoruesve danezë.

(Kosova Sot)

23 orë e 38 minuta më parë
21/09/18