Një version më i lirë i laptopit "Apple MacBook Air" - Auto&Tech - Kosova Sot
Një version më i lirë i laptopit "Apple MacBook Air"

Një version më i lirë i laptopit "Apple MacBook Air"

Aktualisht, laptopi më i lirë "Apple MacBook Air" kushton 999 dollarë 

Kompania "Apple" mund të dalë me një pajisje më të volitshme (lirë) prej 13 inçësh, "MacBook Air", që në fillim të muajit tjetër. Këtë e thotë analisti i kompanisë "Apple", Ming-Chi Kuo. Kuo thotë se pajisja e re "MacBook Air" do të dalë, më së largu gjatë çerekut të dytë të vitit 2018. Aktualisht, pajisja më e lirë "Apple MacBook Air" është 999 në SHBA. Kanë kaluar dhjetë vjet qyshkur "Apple" lëshoi për herë të parë pajisjen "MacBook Air" dhe shumë besojnë se një ridizajnim tanimë është tepër i vonuar.

I PREFERUAR PËR STUDENTËT

Sido që të jetë, "MacBook Air" mbetet përzgjedhje e preferuar për studentët. Laptopi ultra-portabël bëri bujë të madhe pasi u publikua për herë të parë, falë dizajnit të tij. Por, përkundër pamjes së hijshme të "MacBook Air", ai ka një procesor "Intel" të gjeneratës së pestë, i cili mbetet prapa atyre që gjenden në laptopët e tjerë në treg. Furnizuesi tajvanez i ekraneve të ndjeshme në prekje, "General Interface Solution", pritet që ta marrë një porosi të madhe nga "Apple" për ekranet LCD, të cilat mund t'i përdorë për ta paraqitur një laptop tërësisht të ri "MacBook" me 13 inçë, aty kah fundi i vitit 2018. Në vitin 2016, prodhuesi i "iPhone"-it në mënyrë diskrete kishte ndërprerë versionin prej 11 inçësh të pajisjes "MacBook Air", pasi që kishte paralajmëruar dy modele të reja me 13 inçë.

RINGJALLJA E MODELEVE TË VJETRA

"Apple" ka vendosur edhe ringjalljen e modeleve tjera, duke rifreskuar procesorët te modelet me 12 inçë, "MacBook" dhe "MacBook Pro". "MacBook Air" ishte prezantuar për herë të parë në vitin 2008 nga themeluesi i ndjerë i kompanisë "Apple", Steve Jobs. Asokohe, ky ishte shpallur laptopi më i hollë në botë. Pajisja me çmimin prej 1,799 dollarësh, po ashtu ishte laptopi i parë "Apple" që largoi hapjen për CD/DVD, përpos që hoqi edhe portet sikur HDMI. Prej asaj kohe, kompania "Apple" ka ndryshuar në disa drejtime. Gjiganti i Luginës së Silikonit është zgjeruar në fusha të reja të produkteve, duke përfshirë orët "Apple", e tash vonë edhe altoparlantin "HomePod". Kuo po ashtu tregoi se ndihet pozitiv rreth "AirPod"-eve dhe thotë se, një model i freskuar, do të lëshohet në gjysmën e dytë të këtij viti.

A DUHET TA BLINI NJË "APPLE HOMEPOD"?

"Apple Homepod", i fuqishëm dhe inteligjent, por po ashtu edhe gati tri herë më i shtrenjtë sesa konkurrenca. Pra, a ia vlen ta blini një pajisje të tillë? "Apple HomePod" është gati 7 inçë i lartë, pak më i madh sesa një altoparlant tipik i mençur. Ai është edhe më i rëndë, me një peshë prej 2.5 kg. Por, përkundër madhësisë, ai duket të përshtatet me ambientin përreth. "Apple" dëshironte që të përqendrohej te eleganca dhe simpliciteti për dizajn, duke i arritur të dyja këto. Sikur edhe te pajisjet tjera të "Apple"-s, përdorimi është i thjeshtë edhe këtu. Zyrtari i kompanisë "Apple", Phil Schiller, thotë se përqendrimi i "HomePod" ishte te kualiteti i audios, gjë nuk zhgënjen. Altoparlanti i mençur e detekton pozitën e vet në dhomë dhe, në bazë të asaj, transmeton një zë sa më të mirë të mundshëm. A duhet blerë? Nëse ju pëlqen muzika dhe kualiteti i zërit, atëherë "Apple HomePod" nuk do t'ju zhgënjejë. 

(Kosova Sot)

2 orë e 51 minuta më parë
24/06/18