Editoriali: Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës

Publikuar: E premte 30 Korrik 2010, 13:17 0 Komente

Ministri alternat grek i Punëve të Jashtme, Dimitris Droutsas, pasi ka vizituar Beogradin, ndalet sot edhe në Prishtinë, për t’ua përcjellë të dy vendeve fqinje mesazhin e Bashkimit Evropian për t’u ulur në tryezën e dialogut, për gjetjen e një zgjidhjeje konsensuale.

Diplomati grek do të ketë takime me lidershipin e vendit, presidentin dhe kryeministrin e Republikës. Sejdiu dhe Thaçi duhet t’i kërkojnë zyrtarit të lartë të Athinës që Greqia të hedhë hapin e duhur në raport me Kosovën. Ky, në fakt, do të ishte edhe mesazhi më i mirë që mund të sjellë diplomacia helene në Prishtinë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Politika zyrtare e Greqisë ka dhënë disa sinjale pozitive me njohjen e pasaportave të shtetasve të Kosovës, me hapjen e një zyre përfaqësuese në kryeqytetin tonë, si dhe me inkurajimin e bizneseve greke që të investojnë në vendin tonë. Megjithatë, hapi kryesor ende nuk është hedhur. Athina zyrtare vazhdon t’i qëndrojë besnike qëndrimit të mëhershëm për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës. Duke ruajtur këtë pozicionim, politika greke nuk po përcjell mesazhe të mira për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Pas krizës tronditëse financiare, Qeveria greke duhet të dëshmojë energji të reja në raportet rajonale dhe njohja e Kosovës mund të jetë akti më me ndikim. Por, është e qartë se boshti serbo-grek, mbetet edhe më tutje rezistent ndaj një zhvillimi të tillë të shumëpritur për shtetin tonë.

Vizita e diplomatit të lartë të Qeverisë së Greqisë, vërtet mund të sjellë mesazhe ndërmjetësimi për dialog dhe zgjidhje konsensuale mes Kosovës dhe Serbisë, por është e hendikepuar pikërisht për shkak të mosnjohjes së pavarësisë nga pala greke.

Duke qenë njëra nga pesë vendet që kanë hezituar ta njohin Republikën e Kosovës, Greqia, si një vend anëtar i Bashkimit Evropian, duhet t’i japë fund këtij abstenimi dhe t’u hapë rrugën njohjeve të reja që sjellin më shumë stabilitet për të gjitha vendet e rajonit tonë.

Komente

KARAKTERE TE MBETURA

Shkrimet e autorit

arkivi i lajmeve