Pesha e GJND-së

Alma Lama
Publikuar: E mërkure 21 Korrik 2010, 12:35 1 Komente

Alma LAMA

 

Ka një tension të shtuar në Prishtinë në lidhje me vendimin që do të sjellë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ethet i kanë kapluar edhe më shumë pasi tashmë është bërë e qartë se opinioni që do të jepet, edhe pse nuk ka ndonjë fuqi për të anuluar pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008, GJND-ja nuk do të jetë i fundit mjet

ligjor që ka ndërmend të përdorë Serbia.

Lëvizja diplomatike e Beogradit, e cila në fillim nuk u mor edhe aq seriozisht nga Prishtina, rezulton të jetë një hap i menduar mirë dhe mjaft efikas për kundërshtarin. Efikas sepse deri tani Serbia ia ka dalë mbanë të pezullojë disi procesin e njohjeve. Disi sepse me gjithë deklaratat e kryeministrit një ditë para shpalljes së pavarësisë, nuk është e sigurt se ritmi i tyre do të ishte më i ndryshëm nga ç’është tani.

Por, a ka arsye Prishtina të frikësohet nga vendimi i GJND-së? Edhe po, edhe jo.

Jo, sepse vendimi i këtij institucioni, pavarësisht nga përmbajtja nuk do të jetë i obligueshëm. Po të kishte pritur Kosova që të gjithë të pajtoheshin për statusin e saj, pavarësia nuk kishte për të ndodhur kurrë. Ajo që ka ndodhur është respektimi i vullnetit të 95% të popullatës së këtij territori. Tek e fundit janë vullnetet e kombeve baza mbi të cilën janë hedhur edhe themelet e OKB-së dhe jo e anasjella.

Por të kthehemi tek vendimi. Atë që do të japë GJND-ja, është thjesht një opinion i cili në radhë të parë i servohet palës që e ka kërkuar. Por gjithashtu është një opinion i cili do të ishte një lloj guide për të gjitha ato vende që janë në dilemë, në lidhje me njohjen e shtetit të ri. Në fakt është pak e vështirë të thuash që madje ka shtete në dilemë. Sidoqoftë, shtetet të cilat realisht apo formalisht duan të respektojnë një lloj rendi ndërkombëtar, janë të interesuara të dëgjojnë opinionin e gjyqtarëve të OKB-së.

A është shkelur e drejta ndërkombëtare me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës? Ky është thelbi i përgjigjes që duhet të japin ata. Por përgjigja e tyre pritet të jetë po kaq e ngatërruar sa ishte i gjithë procesi i shpalljes së pavarësisë. I famshmi Octapodi Paul, i cili nuk kishte si të mos përfshihej në këtë parashikim, në rrjetet sociale si Facebook, për herë të parë do të gjendet në një dilemë pa zgjidhje. Gjërat për fat të keq nuk kanë ndryshuar për mirë në mënyrë të dukshme që prej shpalljes së pavarësisë. Njohjet kanë mbetur thuajse në vendnumëro, ndërsa shteti i cili për hir të vështirësive të mëdha të lindjes duhej të përpiqej të ishte model, është i zhytur në keqqeverisje.

Por kthehemi tek përgjigja tjetër e pyetjes nëse Prishtina ka arsye të përfshihet nga ethet.

Po-ja ka të bëjë më shumë me procesin që e pret Kosovën, pas vendimit të GJND-së. Në fakt procesi është paralajmëruar dhe ai ka të bëjë me bisedime të reja. Sado që udhëheqësit politikë të Kosovës kanë hedhur ca shqelma për të kundërshtuar bisedimet teknike se nuk janë të tilla por politike, vetëm teknike s’kanë qenë asnjëherë më parë - koncepti i tyre duket se është dizajnuar tashmë. Dhe siç e do zakoni, para ngjarjeve të rëndësishme, krerët janë ftuar në Uashington për të marrë udhëzimet e nevojshme. Vizita e kryeministrit Thaçi në SHBA për të takuar zv/presidentin Xhozef Bajden, është tregues i qartë për proceset e rëndësishme dhe të vështira që ka Kosova përpara.

Opsionet tashmë janë hedhur në publik dhe njerëzve po u mësohen veshët me zgjidhje të tilla si autonomi substanciale për veriun e Kosovës, shkëmbim territoresh, ndarje… Më prapa mbetet ideja e bashkimit kombëtar për të cilën duket se tani për tani s’ka njeri nge të merret me të. Duhet thënë as vullnet.

Ka rëndësi veçanërisht ky lloj diskursi në lidhje me bisedimet e ardhshme, i cili kurrsesi nuk është i rastësishëm. Opsionet të cilat deri më tani janë konsideruar si tejkalim i vijave të kuqe, apo tema tabu, pak nga pak nuk shihen më si të tilla nga opinioni publik. Ta zëmë një autonomi substanciale për veriun, për të cilën thuhet se kryeministri tashmë e ka dhënë dritën e gjelbër, por kjo mbetet gjithsesi në nivelin e spekulimeve, po përflitet si një lloj ilaçi i përkohshëm për gangrenën në trupin e Kosovës. Por nëse Prishtina nuk e ka të qartë se ky lloj ilaçi do të çonte drejt amputimit, Beogradi e di fare mirë çfarë do, maksimumin që mund të nxirret në të gjitha drejtimet nga procesi i bisedimeve që po ia del mbanë me sukses, të imponojë sërish.

Nëse shtojmë këtu edhe heshtjen e pashembullt të intelektualëve të Kosovës, të cilët si duket janë përbetuar të mos thonë asnjë fjalë që do të mund t’i hapte sytë publikut, se në çfarë rrugësh po futet republika e re, por me probleme të pazgjidhshme, gjendja është më shumë se serioze. Askush s’po u kërkon këtyre intelektualëve të bëhen eruditë si Umbero Eko, intelektualë të kalibrit të Milton Friedman apo figura të pakrahasueshme si ajo e Aleksandër Sollzhenecin, mirëpo roli i tyre në shoqëri është i nevojshëm në rrethana të tilla. (Këtë çështje do ta trajtojë gjerësisht në një shkrim të veçantë.)

Përmenda intelektualët për të dalë tek një mobilizim i gjithë shoqërisë për këtë kapitull tjetër që po hapet në historinë e Kosovës, i cili duke se do të jetë edhe ai përfundimtar. Barra nuk mund të jetë vetëm e Qeverisë së Kosovës, sado që ata kanë peshën kryesore, por e gjithë shoqërisë, e qytetarëve të thjeshtë dhe forcave politike, medieve dhe shoqërisë civile, biznesmenëve dhe investitorëve.

Në vend të kësaj ka një lloj hutie të përgjithshme, një pritje se çfarë do të na thotë Amerika, një mendjengushtësi me moton “secili punon për interesat e veta”, pa menduar për shtëpinë e përbashkët dhe sigurisht një retorikë e zbrazët dhe e pakuptimtë e klasës politike, e cila nuk e ka për gjë t’i hajë fjalët e veta.

Ndaj, vendimi i GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së statusit, në mënyrë të natyrshme do të peshojë më rëndë sa do të duhej realisht.

(Autorja është analiste

pranë gazetës “Kosova Sot”)

Komente

  • ramadan 01.08.2010 - 22:38

    Mendimi i dha , dhe nuk pse mos te jemi te gezuar.Serbia pesoi nje goditje ashtu siç e meritonte. Askush thuajse perveç Serbise nuk mundohet t'i jape dykuptimesi. Serbia vazhdon te mos e njohe pavaresine dhe inicon rezoluta ne OKB sepse si duket ne BE e ka humbur terrenin , shpresat ia mbajne gjalle 5-se vendet e njohura.Serbia ka humbur "de facto" dhe " de jure" e vetmja gje qe mundohet te beje eshte shkaktimi i pengesave te ndryshme. Sa do te arrije te shohim...........

KARAKTERE TE MBETURA

arkivi i lajmeve