Pastrojeni lidhjen nga këto vese

  • 01 July 2016 - 14:07
Pastrojeni lidhjen nga këto vese

Veset janë të vështira për t’u lënë pas, veçanërisht ku funksionojnë përgjatë një marrëdhënieje afatgjatë. E kuptoni se marrëdhënia juaj po vuan nga pasojat e veseve, kur ndjeni se diçka mungon gjatë kohës që kaloni me partnerin/en tuaj. Ndoshta nuk mund t’i vini gishtin diçkaje dhe të gjeni fajtorin, por mund të bëni disa gjëra për ta ndryshuar atë.

Një ves i keq i lidhjes suaj është ai që vazhdon të ndodhë edhe pse ju shkakton juve apo partnerit/es stres. Ai mund të krijohet dhe të vazhdojë ekzistencën pavarësisht personaliteteve, besimeve apo vlerave të çdo njeriu dhe mund të reflektojë qëllime të mira në mënyra të gabuara të ndërveprimit tuaj.

Jo të gjitha veset e lidhjes suaj janë të këqija. Të mirat ju lejojnë ju dhe partnerin t’i bëni gjërat më mirë dhe të njihni kufijtë e njëri-tjetrit. Nga njëra anë secilit person në një lidhje i takon të pranojë tjetrin ashtu sikurse është, por njëkohësisht ka edhe detyrën të jetë sa më mbështetës ndaj njeriut që ka në krah.

Por ju duhet të dini të dalloni edhe veset që secili i ka për vete dhe ato që ndikojnë negativisht në lidhjen tuaj me gjasat e mundshme të shkatërrimit të saj.

Pritja e dashurisë vetëm nga tjetri

Tendenca që të besoni se partneri është ai që duhet t’u qaset i pari dhe t’ju shfaqë dashurinë është më i pranishëm te gratë, siç tregohet nga kërkimi mbi atë që ka më tepër gjasa të shprehë i pari dashurinë. Nëse e keni këtë besim, atëherë do të shkoni drejt vesit të pritjes së një personi tjetër që t’ju tregojë se ju do. Kjo nuk mund ta ndihmojë shumë lidhjen tuaj pasi të keni kaluar shumë kohë së bashku.

Ky ves jo vetëm që ju pengon të përmbushni nevojat tuaja, por mund të dërgojë sinjalet e gabuara te partneri juaj që ju nuk jeni shumë e dhënë pas tij.

Për të kundërshtuar këtë ves, ekspertët rekomandojnë ta keni më në kontroll fatin tuaj. Sa herë që të ndërmerrni një vendim duhet të kuptoni se jeni ju ai që do të përfitojë. Rezultatet do t’ju habisin dhe do të kuptoni se lidhja juaj do të jetë ende më e shëndetshme.

Të grindeni vazhdimisht për të njëjtat gjëra

Është shumë e lehtë të përfshiheni në zënka, veçanërisht kur përsëriten vazhdimisht. Ju mund të arrini të parashikoni me saktësi arsyen e mosmarrëveshjes suaj me partnerin. Përpara se të përfshiheni në një rutinë të ankesave të vazhdueshme, gjeni kohën për të zgjidhur problemin duke folur qetësisht derisa ta zgjidhni atë.

Ju mund të hiqni dorë nga ky ves i keq me përmirësime të ngadalta çdo ditë. Sigurisht që zënka mund të ashpërsohet nëse ju e përdorni atë për të nxjerrë në pah të metat e njëri-tjetrit. Shtoni ndjesinë e kontrollit të vetes dhe do të kuptoni se ngadalë gjërat do të vijnë në shina dhe se lidhja juaj nuk do të vuajë më nga zënkat që përsëriten.

Të merrni partnerin për të mirëqenë

Ky është një ves që mund t’ju përfshijë lehtësisht nëse nuk jeni të vëmendshëm dhe mund t’ju kushtojë shumë në një lidhje afatgjatë. Në një farë mënyrë marrja e tjetrit për të mirëqenë është një shenjë e mirë sepse tregon se ju ndiheni që mund të mbështeteni te njëri-tjetri. Por nga ana tjetër, efekti anësor nënkupton se ju nuk merrni më në konsideratë se çfarë ndjen, mendon apo vendos me vullnet të lirë njeriu juaj i zemrës sepse ngadalë opinioni i tij/saj kthehet në të mirëqenë për juve.

Kjo është diçka shumë e keqe, e askush nuk mund ta tolerojë dhe për këtë arsye duhet të luftoni shumë me mentalitetin tuaj që të respektoni maksimalisht këdo, për sado kohë ta keni pasur në krah.

Serioziteti i tepërt

Mund të kuptoni se qeshni më tepër me miqtë dhe kolegët jashtë shtëpisë sesa me partnerin tuaj. Angazhimet e një lidhjeje serioze normalisht që mund t’ju hedhin më tepër përgjegjësi mbi supe, por familja nuk duhet të jetë shumë serioze.

Gjithnjë veproni në atë mënyrë që t’ju bëjë të lumtur dhe të qeshur, sepse mbi të gjitha njerëzit duan të shoqërohen me ata që i bëjnë të ndihen mirë, të qetë dhe jashtë streseve të panevojshme. Kërkimet kanë treguar se nëse qeshni me partnerin/en tuaj atëherë keni më shumë gjasa të jeni një çift i suksesshëm.

Moskonsumimi i një vakti bashkë

Jeta është e shpejtë për të gjithë ne. Vështirë të gjendet balanca midis shtëpisë, punës dhe argëtimit. Megjithatë duhet të keni parasysh se përherë ka vend për të qenë bashkë dhe për të konsumuar në qetësi një vakt familjar.

Lidhja që krijohet te një çift kur ata hanë bashkë është një lidhje natyrore e njeriut që nga lashtësia që ofron siguri, dashuri dhe mbështetje për të ardhmen së bashku.

Përqendrimi i tepërt te teknologjia

Sjellja jonë ka ndryshuar me kalimin e viteve nga bisedat përballë në teknologjinë e informacionit. Ndërsa është bërë mjaft e zakonshme që të gjithë personat të kenë një jetë individuale, ju duhet të kuptoni se mungesa e vëmendjes ndaj njeriut të zemrës mund të kthehet ngadalë në një pengesë serioze për lidhjen tuaj. Lëreni teknologjinë mënjanë kur jeni me gjysmën tjetër tuajën dhe do të kuptoni që jeta reale dhe respekti është diçka që nuk mund ta humbisni.

(Kosova Sot)