Testi që tregon a do të ndaheni me partnerin, apo jo

  • 25 October 2016 - 08:48
Testi që tregon a do të ndaheni me partnerin, apo jo

Ekspertja e çifteve, Kate Wray, ka përpiluar një test të thjeshtë, i cili, sipas saj, na ndihmon që të vendosim në lidhje me partnerin,transmeton gazeta Kosova Sot.

Nëse edhe juve ju mundon pyetja a është partneri juaj aktual, “ai i vërteti”, atëherë një test i thjeshtë mund t’ju ndihmojë t’iu sqarohen gjërat në këtë drejtim.

Kate Wray, eksperte e çifteve, ka përpiluar një test të thjeshtë, i cili, sipas saj, mund të na ndihmojë në këtë aspekt.

Ajo thotë se, nëse mundeni t’iu përgjigjeni me “po” tetë nga gjithsej dhjetë pyetjeve të thjeshta poshtë, atëherë perspektiva e lidhjes tuaj është e ndritshme.

1. A jeni “versioni më i mirë, i mundshëm” i vetes tuaj?

Ju me gjasë do të thoni se ne jemi vetëm një lloj i personit përgjatë tërë jetës. Por, në lidhjen aktuale, a jeni “personi më i mirë” që keni qenë ndonjëherë, për shkak të personit me të cilin jeni?

2. A i besoni njëri-tjetrit, pa rezerva?

A ju shkon mbrëmja apo edhe nata duke e pyetur veten se, vallë, me kë dhe ku gjendet partneri juaj, nëse ka dalë pa ju? A keni nevojë ta dini çdo detaj rreth asaj se me kë dhe ku ka qenë ai? A ndieni nevojën që t’ia kontrolloni celularin? Nëse po, atëherë nuk mund të përgjigjeni me “po” në këtë pyetje.

3. A ndjeni, që të dy ju, se jeni me fat që keni këtë lidhje dhe a e shprehni rregullisht këtë?

Nuk mjafton që vetëm ju të ndiheni kështu. Që të përgjigjeni me “po” në këtë pyetje, kjo ndjenjë duhet të jetë e dyanshme.

4. A mund ta merrni me mend që të plakeni bashkë?

Nëse ju ndodh që të bisedoni si do të plakeni bashkë, atëherë kjo është një shenjë e sigurt e jetëgjatësisë së lidhjes tuaj.

5. A jeni miqtë më të mirë?

Njëri-tjetrit i tregoni gjithçka, bisedoni çdo ditë dhe qeshni së bashku.

6. A ju pëlqejnë familjet dhe miqtë e njëri-tjetrit?

Miqtë dhe familjarët na përkufizojnë, na bëjnë ata që jemi. Nëse juve ju pëlqejnë familjarët dhe miqtë, por partnerit tuaj, jo, atëherë diçka nuk është në rregull me lidhjen tuaj.

7. A i mbështesni vendimet e njëri-tjetrit?

Për të gjitha vendimet e mëdha – pa marrë parasysh a bëhet fjalë për punën, familjen, apo për probleme financiare – a jeni në të njëjtën anë? Apo edhe nëse nuk mundeni të pajtoheni në tërësi, a mundeni ta mbështetni vendimin përfundimtar të njëri-tjetrit?

8. A bëni gjëra veç e veç (ndaras nga njëri-tjetri)?

Nëse çdo gjë e bëni bashkë, atëherë shumë shpejt do të mbeteni pa tema për të biseduar. Posedimi i hobive personale, apo vetëm takimi me miqtë ndaras, ju bën që t’ia dini më shumë vlerën kohës që e kaloni bashkë.

9. A ju interesojnë gjërat e njëjta?

Një lidhje e shëndetshme ka të bëjë me gjetjen e balancës adekuate midis pyetjes tetë dhe nëntë. Duhet të ekzistojnë ca gjëra që preferoni t’i bëni së bashku, qoftë duke shikuar një emision të përbashkët TV, apo ndonjë hobi i përbashkët.

10. A pajtoheni rreth gjërave madhore?

Gjërat “e vogla dhe të mesme” nuk kanë aq shumë rëndësi, mund të pajtoheni, apo të mos pajtoheni rreth tyre, por gjërat tepër të mëdha kanë rëndësi, p.sh., si t’i edukoni dhe rritni fëmijët. Pyeteni veten a doni të keni fëmijë, analizoni vendimet e mëdha financiare dhe atë se ku është duke shkuar kjo lidhje. 

(Kosova Sot)