Roman dashurie: Vejusha (27) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: Vejusha (27)

Roman dashurie: Vejusha (27)

U ndal. Çfarë dëshironte në të vërtetë? Nuk e dinte. Ai ende e shikonte pa ndonjë shprehje në fytyrë. - Desha të të ftoj në darkë, nëse je i lirë. Kjo ishte e vetmja çfarë mundi të thotë në atë moment. Në atë mënyrë ia bëri me dije që dëshiron që t'i përmirësojë disa gjëra mes tyre. Ajo ia zgjati dorën e pajtimit në mënyrë të hapur e të sinqertë. Darka e kishte domethënien e saj. Ishte ajo bisedë, ndoshta edhe një puthje, shëtitje me mbajtje duarsh. - Nuk jam i lirë. E refuzoi sikur të ishte ndonjë vajzë e re, që përpiqet në të gjitha mënyrat t'i imponohet ndonjë djali të pashëm. U skuq nga turpi. - A është kjo e tëra apo ke për të më pyetur edhe ndonjë gjë?

- Jo. Kjo është e tëra. Ai u kthye dhe doli. MST/

Kapitulli i njëzeteshtatë

Atë mbrëmje përmes telefonit i tha Nexhit që më nuk dëshiron që të takohet me të. Ai nuk e pranoi lehtë këtë, por shpresoi që do t'i kalojë ky disponim i pazakontë. Ajo ishte e shtrirë në shtrat dhe po shikonte në tavan. Në atë moment i mungonte bashkëshorti i ndjerë. Sado që e mashtronte, kur e kuptonte se Lumja është zhgënjyer dhe më nuk ka forcë për të luftuar, ai i kushtonte momente të mrekullueshme, e ushqente, e dërgonte në dyqane, e befasonte me udhëtime në vende romantike dhe sërish e mbushte me shpresë. Tani nuk e kishte askënd afër vetes. E urrente Velin që e kishte refuzuar në atë mënyrë. E dinte se edhe vetë është fajtore, sepse e kishte refuzuar disa herë, por ajo kishte arsye, asaj i kishte thënë se ka të dashur. Diku rreth mesnatës i cingëroi telefoni. Mobilin e kishte diku në çantë dhe mezi ia doli që ta gjejë. Në ekran nuk e njohu numrin. Diçka e shtynte që të mos lajmërohej, duke supozuar se ishte Nexhi, i cili është dehur dhe kërkon që t'i kthehet. Megjithatë u lajmërua.

- Alo? - Lume, jam unë Enveri. A mos të zgjova pahiri? Çdo gjë papritmas u bë mirë. - Jo, nuk mund të fle. - As unë, e në mëngjes i kam tri operacione dhe ato të tria korrektime të hundës. - Shumë keq. - Mendova që po të të shihja do të mund të flija më lehtë. Dëshiron të dalim në një shëtitje të shkurtër? Vetëm mendimi për dalje nga shtëpia dhe shëtitje në rrugë e shtyri që të mendojë për faktin, nëse duart e lidhura do të kenë më shumë domethënie sesa herën e shkuar. Lumja dëshiroi që t'i thotë diçka për të mësuar më shumë. - Jo, nuk jam e interesuar për shëtitje. E dëgjoi një ofshamë zhgënjimi në anën tjetër. E më pas qeshi. - Por, nëse dëshiron që të vish tek unë...

- Menjëherë. Në cilin kat je? MST/ Kapitulli i njëzetetetë E priti e veshur me një fustan të kaltër të shtëpisë, me flokë të ngritur lart. - Urdhëro, hyn brenda, unë nuk kafshoj. - E di që nuk kafshon. Ishte i veshur me tuta. Shihej se ishte ngutur. U ulën në dhomën e ditës dhe për një kohë shikuan televizor. Ia qiti një birrë, ndërsa edhe vetë e mori një. /Vijon/

(Kosova Sot)

11 orë e 17 minuta më parë