Roman dashurie: Vejusha (31)

  • 21 February 2017 - 13:35
Roman dashurie: Vejusha (31)

Kur doli ai nga zyra, Lumja u ngrit shpejt dhe filloi që të vallëzojë. Këtë e kishte pritur. Nuk dyshoi në asnjë moment në atë ftesë të tij për darkë dhe atë hutim para bisedës së madhe. Me siguri dëshironte që t'i propozojë martesë. Hyri Samiu dhe e pa duke vallëzuar me partnerin e saj të padukshëm, ndërsa Lumja vetëm qeshte si një tinejxhere e dashuruar. - Do të bëhem sikur nuk e pashë këtë. - Mirë. Samiu po kërkonte diçka në dollap. - Plako, si është martesa? E shikoi i befasuar. - Pse po më pyet, edhe ti e ke pasur një përvojë! - Po, por nuk ka qenë ajo martesë si kjo e jotja. Nuk ka pasur shumë dashuri reciproke. - Në martesën time gjithçka është mirë, faleminderit për pyetjen. - A është zvogëluar dashuria? A është transformuar? A ka qenë më mirë më parë apo tani? - Nuk ka ndonjë ndryshim. Por, pse po m'i bën këto pyetje? Mos je duke menduar që edhe ti të martohesh? - Ndoshta... E dinte që në atë moment nuk do ta dëgjonte ndonjë përgjigje më të mençur nga ajo. MST/ Kapitulli i tridhjetetretë - Jemi ulur këtu për tashmë një orë e gjysmë, kemi ngrënë gjithçka nga menyja dhe mendoj se ka ardhur koha që ta mbledhësh guximin dhe të thuash çfarë ke për të thënë. E dinte që nuk është një gjë romantike që ta ngutë që t'i propozojë martesë, por më nuk mund të priste. Tërë kohën kishin biseduar për gjëra të parëndësishme, e ajo e kishte humbur durimin dhe e pyeste veten se a është aq i tmerrshëm propozimi për një mashkull. - Po, ke të drejtë, është koha që të ta them atë çfarë kam për ta thënë. Fytyra e tij u ngrys. Një rrëqethje e përshkoi trupin e Lumes, por megjithatë ishte e sigurt që ai vetëm ka shumë frikë në lidhje me propozimin për martesë, dhe se për atë arsye është ashtu i ngrysur. - Dëgjo Lume. Ti e di se të dua, se jam shumë i dashuruar në ty, dhe se je shumë e rëndësishme në jetën time. Ajo u gëzua. Biseda po shkonte në drejtim të duhur. - E di. Dhe gjithashtu e di që edhe unë të dua dhe se jam e çmendur pa teje. Fytyra e tij u ngrys edhe më shumë. - Ekziston vetëm një gjë e vetme, e dashur, që është më e fortë se ti. Buzëqeshja e Lumes u zhduk nga fytyra e saj. Tashmë biseda kishte marrë drejtim tjetër. - Cila gjë? - Karriera ime. - Nuk po të kuptoj. - A të kujtohet ajo biondja që ishte pranë meje, kur u ktheve prej pushimit dhe erdhe që të më përshëndesësh? - Ajo me kolagjen në buzë? - Po, ajo. - Më kujtohet. E urreja. Provoi që ta bëjë që të buzëqeshë, por nuk ia doli. - Ajo është e martuar me një zviceran që e ka një klinikë të madhe në Cyrih. Ma ka ofruar punën e kirurgut kryesor në atë klinikë. Paga është dhjetë herë më e lartë se këtu, ndërsa kontrata është për pesë vjet. Mbeti si e mpirë. Ai ende po fliste për atë punë, e ajo vetëm po mendonte në lidhje me faktin sesi ai jo vetëm që nuk do t'i propozojë, por edhe do të largohet nga ajo. Në një moment nuk mund ta dëgjonte më. - Më ke sjellë këtu që të japësh dorëheqje dhe të ndahesh nga unë? Dy miza me një goditje? Veli u përpoq që ta ndalë por ajo u ngrit shpejtë. - Nuk mund të besoj. Paga, karriera, për ato arsye largohesh nga unë, sikur paratë janë më të rëndësishmet. -Ti e ke lehtë të thuash se nuk janë kur i ke fituar në mënyrë shumë të lehtë! Kjo ishte thika në zemrën e saj. /Vijon/

(Kosova Sot)