Ngjarje e vërtetë: Besonte se do ta ndryshonte me mirësinë e vet (3)

  • 26 March 2017 - 15:58
Ngjarje e vërtetë: Besonte se do ta ndryshonte me mirësinë e vet (3)

I ndihmoja kunatës aq sa mundja, përpiqesha që të jem afër saj, por Vera ishte aq e shkathët, saqë në fakt vetëm i pengoja. Ajo femër rishte një mrekulli e vërtetë. Punonte shumë dhe gjithmonë ishte e buzëqeshur. Kujdesej për Leonin, e lante, i këndonte, e ushqente, por përkundër kujdesit për të birin vëllai im dhe shtëpia nuk ishin të lënë anash. Gjente kohë edhe për ta fshirë pluhurin, për t'i larë rrobat, të përgatisë dreka. Kurrë nuk ankohej për lodhje, e gjithmonë zgjohej e para. Të shtunave në mëngjes, derisa ende isha e shtrirë në shtrat, ajo tashmë kishte qenë me Leonin në treg dhe më pas kishte filluar të përgatisë ushqim. Kur e ndieja aromën e supës së saj dhe dilja nga dhoma ime ende me pizhame, Vera me buzëqeshje ma ofronte kafenë e ngrohtë. E adhuroja kuzhinën e saj dhe me kënaqësi e shikoja sesi me aq shumë dashuri dhe kujdes i kryen të gjitha punët e shtëpisë. Agimin e shihja rrallë, ende punonte me çelësa, por edhe kishte filluar shkollën e mbrëmjes. Të gjithëve na thoshte se ka ndryshuar, por unë ndieja se ai është duke fshehur diçka prapa kujdesit dhe mirësisë befasuese. Vinte në mbrëmje, e ndizte televizorin dhe luante rolin e bashkëshortit të lodhur. As sot nuk mund ta kuptoj se si ka mundur ajo të dashurohet në të. Po t'i shikojë dikush që nuk i njeh, do të betohej se bëhet fjalë për një familje të lumtur. Ai gjatë tërë ditës punonte dhe shkollohej, e ajo kujdesej për familjen. Ndoshta edhe vetë do ta besoja një gjë të tillë po të mos isha bindur me sytë e mi në të kundërtën. Një mëngjes, në fakt, vërejta të mavijosura në qafën e Verës. - Çfarë të ka ndodhur? - e pyeta unë e brengosur. - Asgjë e tmerrshme - përgjigj me buzëqeshjen e saj të këndshme në fytyrë. E dija që janë shenjat e duarve të Agimit, kështu që insistova në përgjigje. - E di që ai ta ka bërë këtë! - Nuk ka lidhje - e uli kokën dhe u nis për në banjë. - Si nuk ka lidhje? Kërko ndihmë, mos më thuaj se do ta durosh këtë - i thashë unë. - I mirë është ai, vetëm ngutet nganjëherë - e mbrojti atë. - Mos më fol për mirësinë e tij. Për shkak të tij më është dashur që të largohem nga familja. Dhe për shkak të borxheve të tij prindërit i kanë shitur garsonierat. Nuk guxoj as që mendoj se çfarë do të ndodhte me Agimin po të mos i kishin shitur ato. A e di ti se çfarë do të thotë të kesh punë me fajdexhinj? Ndoshta edhe do ta vrisnin. Vera, duhet t'i dish të gjitha. Dëshiroj që ta dish me kë ke punë, e ti më pas vendos a do të mbetesh me të. - Nuk dëshiroj të di asgjë - u përgjigj me vendosmëri. - Duhesh ta dish! Je gruaja e tij, nëna e të birit të tij. Ti ke obligime ndaj Leonit, ndoshta një ditë do t'ia bëjë këtë edhe atij. - Mos u përziej në jetën tonë. E duam njëri-tjetrin dhe e kemi një djalë. Do të bëj gjithçka për ta ruajtur familjen time! - tha ajo. - Më fal, por nuk po të kuptoj. Si nuk dëshiron ta dish se me kë je duke e ndarë shtratin? Nuk mund të besoj se nuk ke pyetur në lidhje me të para se të martoheshe. Dhe çfarë familje është ajo, në të cilën burri e rrah gruan? - i thashë unë e tronditur. - Nuk dua të flas më! - më tha duke ma drejtuar gishtin. Tani isha e sigurt se nuk është e lumtur. Po të mos e dinte me të vërtetë se çfarë është Agimi, do të më dëgjonte. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak të kureshtjes femërore. Sipas të gjitha gjasave, ia merrte mendja se në çfarë kishte hyrë, e për kthim tashmë ishte shumë vonë. Fjalët e mia ndikonin si kripa në plagë dhe për atë arsye nuk dëshironte të dëgjonte. Ende e pyesja veten pse një vajzë e tillë kishte pranuar që të martohet me vëllanë tim. Nganjëherë dëshiroja që të kthehem te tezja, vetëm të mos e dëgjoj vëllanë tim të dehur e agresiv. Por, isha shumë e përfshirë në martesën e tyre dhe nuk mund t'ia ktheja shpinën kunatës. Dikush në atë shtëpi duhej të ishte në anën e saj. Ajo isha unë, edhe pse nuk kam ndërmarrë ndonjë gjë konkrete për ta bindur. Një mëngjes sërish i propozova që të kërkojë ndihmë, ndërsa ajo sërish më refuzoi. - Nëse ti nuk dëshiron, do ta thërras unë policinë dhe qendrën për punë sociale. Do të lajmëroj për gjithçka që ndodh këtu - i thashë. - Ti e di se duhet t'i tregoj Agimit për këtë? - më tronditi sërish. - Çfarë? Unë dëshiroj që të të ndihmoj e ti do t'i tregosh? - u çudita unë. - Agimi dëshiron që t'i tregoj gjithç- ka që flitet në shtëpi derisa ai nuk është këtu. - Pse lejon që të sillet ashtu me ty? Askush nuk duhet t'i durojë goditjet. Çfarë problemi ke? Bëhu e fortë dhe i trego që nuk mund të sillet ashtu me ty - thashë unë duke i vendosur duart e mia në krahët e saj. - Më lësho! - bërtiti ajo. - Nuk do të të lëshoj deri kur të më tregosh pse po e duron këtë. Më trego ose do ta thërras tani policinë - i thashë unë dhe e mora telefonin në dorë. - Mos, do të të tregoj, por më premto se nuk do t'i tregosh akujt - tha me zë të butë. /Vijon/

(Kosova Sot)