Roman dashurie: Punë fati (24)

  • 28 March 2017 - 16:12
Roman dashurie: Punë fati (24)

Tanimë kishte përgatitur pamjen indiferente të fytyrës, duke dashur maksimalisht të fshehte nga Çuni se si takimi me vëllain e tij nuk kishte qenë i këndshëm. - Nuk ishte aq i keq, sa kisha menduar. Është e vërtetë se nuk ishte aq i sjellshëm, por kjo nuk çonte shumë peshë. Çuni nuk mund ta fshehte habinë me fjalët që dëgjonte. U ndreq ulur dhe e shikonte duke mos mundur t'i besonte. - Prit, prit! A je e sigurt që nuk ke shkuar në një banesë tjetër dhe je takuar me vëllain e dikujt tjetër? - Nuk mund të besoj, sepse Miloti dhe ti ngjani shumë. - Nuk mund të besoj se flet kështu për të. Ai len një përshtypje të fortë te të gjithë njerëzit. Ata ose mbesin të zemëruar për shkak të sjelljeve të tij, ose janë të mahnitur. Femrat menjëherë dashurohen në të. Anita lutej që të mos skuqej për shkak të kësaj fjalisë së fundit. - Nuk e di. Ai mua më dukej si një njeri normal. Thjesht, atij i pëlqen që pak të jetë më ndryshe. Nejse, si më je sot, i dashur? Çuni vazhdonte të ishte i habitur, por Anita ia doli me mjeshtëri që t'ia përqendronte vëmendjen diku tjetër. Shumë shpejt Çuni e harroi Milotin, por Anita vetëm shtirej kinse edhe ajo nuk ishte më duke menduar për të. Por, ajo ishte e vetëdijshme se ishte duke shikuar me vëmendje Çunin, duke kërkuar ngjashmëritë e tij me Milotin. Kur mbërriti në shtëpi dhe u shtri në shtrat, mori frymë lirshëm. Tani në qetësi mund të mendonte rreth Milotit, ta pyeste veten shtruar se çka kishte ndodhur në të vërtetë gjatë atij takimi. E analizonte çdo moment, por tmerrohej nga kujtimi i përqafimit të tij. E urrente vetveten pse nuk mund të mendonte për diçka tjetër, përpos për atë se sa i bukur ishte vëllai i Çunit.

KAPITULLI I GJASHTËMBËDHJETË

Pas dy ditësh shkoi në banesën e Çunit dhe i gjeti dy vëllezërit duke luajtur me letra. Mbeti e tronditur nga shikimi përqeshës i Milotit. Por, Çuni buzëqeshi me sinqeritet, duke mos ditur se çka ishte duke ndodhur në kokën e Anitës. - Hyr lirisht. Ke ardhur në momentin e duhur. Tanimë Milotit ia kam borxh më shumë se 300 euro, kështu që tani të paktën kemi një arsye për ta ndërprerë lojën, para se të humb gjithçka që kam. Ajo iu afrua shtratit, e vetëdijshme që Miloti vazhdonte të mos ia ndante sytë. Çuni ia bëri me dije se priste një puthje, por derisa e puthte, ajo ndihej disi e turpëruar dhe i vinte neveri nga vetvetja. Nuk mund ta largonte mendimin sesi më me dëshirë do të puthej me atë vëllain tjetër. Derisa ata ishin duke u puthur, Miloti u ngrit. - Shoh se këtu jam i tepërt. Ju lë juve pëllumbave që ta këmbeni intimitetin, nuk më pëlqen kaq shumë t'ju shikoj. Çuni qeshi me zë, por Anitës nuk i qeshej aspak. U ul në skaj të shtratit dhe e uli kokën, sikur të kishte bërë ndonjë faj. (vijon) 

(Kosova Sot)