Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t'i besoja (1)

  • 25 May 2017 - 11:19
 Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t'i besoja (1)

 

Nëse deri tani kam qenë e prirë që të besoj se Oki, falë dashurisë sonë të madhe, megjithatë do të mund të mbetej imun ndaj bukurisë së Lejlës, në momentin kur ajo me shprehje të fajësisë në sy në tavolinën time e lëshoi një album përplot me fotografi, të gjitha shpresat e mia ranë në ujë. Më duhet të të tregoj diçka Arbnore - më tha, duke u kollitur motra ime Samirja, derisa atë mëngjes po hanim kafjall. - Mirë, për çfarë bëhet fjalë? - pyeta duke mos e ngritur shikimin nga buka, në të cilën me kurrfarë brejtjeje të ndërgjegjes po e qitja shtresën e dytë të margarinës. - Mendoj se është më mirë të të tregoj unë se ta dëgjosh nga të tjerët. Bëhet fjalë për Okin - filloi ajo. Më duhet të pranoj se kur e përmendi të fejuarin tim ia doli që më në fund ta tërheqë vëmendjen time. - Po, çfarë ka në lidhje me të? - e pyeta me kujdes. - Shiko, e di se ndoshta do të hidhërohesh që po përzihem në lidhjen tuaj. Mendoj, e di se jeni të fejuar dhe planifikoni që të martoheni, por ndoshta nuk do të ishte keq që të mendoni edhe një herë për këtë punë... - Hej! Kemi biseduar një herë për këtë punë. E dua Okin dhe do të martohem me të pa marrë parasysh se atë pëlqen ty një gjë e tillë apo jo. E tani fol drejtpërdrejt dhe thuaje atë që ke për ta thënë - e ndërpreva unë. - Në rregull - më tha duke i ngritur duar lart në shenjë dorëzimi. - Por, po ta tërheq vërejtjen se kjo që do të dëgjosh tani nuk do të jetë e këndshme - tha qetë, duke i kërcitur gishtërinjtë, gjë të cilën e bënte vetëm kur ishte shumë e shqetë- suar. Për disa momente dukej se po hamendej, e më pas sërish foli. - Mund të më urresh për këtë që do të ta them tani, por të kam motër dhe të dua shumë. Me të vërtetë nuk dëshiroj që për një vlerësim të gabuar ta shkatërrosh jetën. Je e re, e mençur, e bukur... Me të vërtetë nuk kam asgjë kundër Orhanit, por më beso se ai nuk është për ty. Për më tepër, jam e sigurt që ai në ty e sheh vetëm një mundësi të mirë. Edhe më herët kam dëgjuar disa gjëra për të. Më vjen keq, por mbrëmë rastë- sisht e kam takuar Okin në një restorant dhe ai nuk ishte vetëm - më tha. - Çfarë je duke thënë? - e pyeta, edhe pse ma merrte mendja çfarë po provonte të më thotë. - Duket se Oki i ka pikë të dobët biondet. Por, nuk e di pse nuk më çudit kjo gjë? - pyeti me sarkazëm dhe duke mos provuar që ta fshehë shprehjen e neverisë në fytyrën e saj. - Më beso, ishte ulur me atë vajzën sikur të ekzistonin vetëm ata dy në botë. Me të vërtetë më vjen keq Arbnore. Vetëm të lutem që të mendosh mirë edhe një herë për gjithçka. Sido që ta shikosh, ju dy jeni dy bota të ndryshme. Provo të më kuptosh, nuk dëshiroj që të vuash tërë jetën, për shkak të dikujt që nuk të meriton - më tha. - Ti je një gënjeshtare xheloze! Si nuk të vjen turp?! Pse e urren aq shumë Okin? Çfarë të ka bërë? Ne duhemi, si nuk e kupton? - e pyeta e zemëruar. - Nuk e urrej, vetëm dëshiroj që të t'i hapi sytë. Më ke motër dhe kam të drejtë ta bëj një gjë të tillë, e ti bëj çfarë të duash. Nuk kam menduar se kjo do të jetë e nevojshme, por ja, ndoshta do ta ndryshosh mendimin kur ta shohësh këtë - u përgjigj, duke kërkuar diçka në telefonin e saj mobil. Pas disa sekondave e lëshoi ngadalë para meje. - Edhe, a nuk do të shikosh çfarë kam fotografuar mbrëmë në restorant? - më pyeti, derisa po shikoja para vetes. E, më pas diçka brenda meje u thye. Duke u dridhur e mora telefonin dhe e pashë një fotografi në ekran. Nuk kishte dyshim që mashkulli në të i cili po i afrohej biondes tërheqëse, ishte Oki im. Në tavolinën e tyre ishin ndezur qirinjtë, ndërsa afër tyre shihej shishja me shampanjë. Sado që provova, nuk munda t'i ndalja lotët. Qava si një fëmijë. Romantike, s'ka tjetër, mendova derisa zemra po më thyhej nga pikëllimi. - Si ka mundur ta bëjë një gjë të tillë? Kam menduar se më do - mendoja. Samirja për një moment erdhi afër meje dhe më përqafoi fort. - Ngadalë motra ime. Para se ta marrësh ndonjë vendim gjithsesi duhesh të bisedosh me Okin. Mendoj, ndoshta ekziston ndonjë sqarim për këtë - më tha, ndërsa unë e kisha të qartë se ishte duke provuar që të më ngushëllojë.


(Kosova Sot)