Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t'i besoja (5)

  • 30 May 2017 - 10:49
Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t'i besoja (5)

Dy orë më vonë, m'u desh të pranoja se Lulja, përkundër vërejtjes së Fluturës, ishte një femër shumë e aftë. Jo vetëm që më ndihmoi në llogaritjen e rrogave, por rregulloi me sukses edhe kaosin i cili ishte grumbulluar në tavolinën time tash e disa ditë. Kur e vendosi edhe dosjen e fundit në orman, buzëqeshi dhe duartrokiti. - Ashtu, mendoj se kemi merituar nga një kafe. A pajtoheni edhe ju? - pyeti ajo me buzë në gaz. Edhe pse atë ditë kisha pirë disa kafe, kuptova që do të më ishte e mirëseardhur edhe një tjetër. Lulja më intrigoi si person dhe gjithsesi doja ta njihja më mirë. Dhjetë minuta më vonë, unë dhe Lulja pinim kafe dhe bisedonim sikur të njiheshim me vite të tëra. Më tregoi se, tash vonë, për shkak të shpërnguljes, kishte prishur një lidhje të gjatë dhe se ende vuan për ish të dashurin e vet. Më duhet të pranoj se sinqeriteti dhe ngrohtësia e saj me të cilën rrezatonte, shumë shpejt larguan nga koka ime edhe dyshimin e fundit rreth saj, i cili më pengonte që t'ia hapja zemrën. Edhe pse me këtë rrezikoja besnikërinë e saj, vendosa që haptazi t'i ofroja bashkëpunim dhe atë, mendoja, në të mirë të dyanshme. - Tmerr, mendoja se vetëm Miftari ishte kopuk, por duket se paska shumë të tillë - më tha pasi që, pa hezitim, ia tregova planin tim ngapak bizar. - Nuk je e detyruar të bësh asgjë kundër dëshirës tënde - i thash në fund. - Dhe, me të vërtetë për shkak të atij Okit, ti je e gatshme që të shkosh aq larg, sa që unë të përpiqem ta bëj për vete? - sytë e saj të mëdhenj e të kaltër u zgjeruan nga mosbesimi, derisa më shikonte sikur të kisha rënë nga Marsi. - E di se krejt kjo tani të duket budallallëk, sidomos për shkak se njihemi pak, por të paktën, të lutem përpiqu të më ndihmosh. Momentalisht ti më je shpresa e vetme. Dhe, ajo që ka më shumë rëndësi, ti je e re në qytet dhe Orhani nuk të njeh. Kështu gjithçka do të duket më bindshëm. Thjesht, më duhet ta di sa të forta janë ndjenjat e tij ndaj meje, edhe nëse për këtë shkak do të pendohem - mbarova unë, derisa i mbaja lotët me vështirësi. - Dhe, me të vërtetë je e gatshme të m'i japësh 3000 euro për këtë? A nuk janë paksa tepër? - më pyeti e hutuar, në çka unë mohova duke tundur kokën. - Tanimë të thashë. Dua të jem e sigurt a mund të të besoj. - Dhe, me të vërtetë je e gatshme të rrezikosh? Dua të them, nuk do të zemërohesh më pas me mua, nëse me të vërtetë do të më shkojë për dore që ta bëj për vete? - ajo nuk ndalej së pyeturi. - Të premtoj se do të jem e qetë - iu përgjigja e qetë. - Në rregull. Atëherë supozoj se, në këtë rast, nuk kam çka të humbi - tha ajo, e unë përfundimisht mora frymë më lirshëm. - Arbnore, më duhet të të them se kurrë nuk kam takuar dikë si ti. dua ta dish se, në fakt, të admiroj dhe vetëm për këtë shkak pranoj ta bëj këtë marrëzi. E, tani më trego ku mund ta gjej atë farë Okin? - më pyeti ajo, pas çkaje ia shpjegova të gjitha. - Dhe, mos i harro dëshmitë. Natyrisht, nëse do të ketë - i thash derisa ktheheshim në zyrë. - Çka bëre? Jo, unë thjesht nuk mund të besoj se ajo e marra pranoi ta bëjë këtë - më tha motra ime Samirja, kur për darkë ia paraqita planin tim. - Mos ashtu, Samire! Lulja vetëm dëshiron të argëtohet. Përpos kësaj, mendova se do të të vinte mirë që, përfundimisht, vendosa ta sfidoj Orhanin, që ta di me saktësi se ku qëndrojmë si çift - iu përgjigja paksa e lënduar. - Nuk e di çka mund të të them. Nuk thuhet më kot se në dashuri dhe luftë lejohet gjithçka, vetëm nuk do të doja që ti të vuaje - më tha me zë të ulët. - Nejse. Mos harro se ende nuk ka mbaruar kjo punë. Oki mundet edhe të na befasojë, p.sh. duke e refuzuar Lulen, kushedi? - komentova unë edhe pse edhe vet gjithnjë e më pak besoja në ato opsion. Atë mbrëmje para se të bija të flija, e thirra Orhanin për ta konfirmuar marrëveshjen për të shtunën. Kishim planifikuar të shkonim në një darkë romantike, e më pas në teatër, i cili më pëlqente pa masë. - Tung, kukulla ime, më vjen keq që më duhet të të dëshpëroj, por sapo më ftoi trajneri dhe më njoftoi se i tërë ekipi nga nesër jemi në karantinë, për shkak të ndeshjes së ardhshme. Të premtoj se, sapo të më jepet rasti, do t'i kompensoj të gjitha, mirë? - më pyeti, duke më bërë të ndihesha shumë e dëshpëruar. Megjithatë, nuk doja që ai të hetonte ndonjë gjë. Pasi që këmbyem edhe disa fjalë, Orhani ma dërgoi një puthje në telefon dhe, duke më kërkuar falje se i duhej të binte më herët në gjumë, e ndërpreu lidhjen. (vijon)

(Kosova Sot)