Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (37)

  • 19 June 2017 - 16:54
Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (37)

- E dashur, sonte nuk do të shihemi, do të rri me një partner i cili ka ardhur nga Vjena, shihemi nesër. Gjumë të ëmbël! - Faleminderit. E ti kalo mirë! Kur u ndërpre lidhja, u ndjeva si një leckë e ndytë. Në njëfarë mënyre ndihesha e tradhtuar. Edhe u shtir kinse kjo nuk kishte rëndësi për të, që ai shkon diku pa të, që ajo do të mbetej e vetme në banesë, duke menduar ku është ai dhe a ishte duke e shikuar ndonjë femër më të re dhe më të bukur, e dinte se nuk ishte aspak indiferente. Bile filloi të qante edhe pse luftonte me lotët për shkak të krenarisë së mallkuar. Pas gjysmë ore e thirri, e vendosur që ta shkëpuste atë lidhje të marrë, e cila nuk kishte perspektivë. Telefoni cingëroi gjatë, por Iliri nuk e hapte. Kjo vetëm sa e zemëroi Lulen edhe më shumë. Ishte e bindur se ai tanimë ishte duke i vërvitur sytë, pasi që do ta shihte numrin e saj në celular, sikur ajo të ishte duke e ngufatur, sikur të ishte ndonjë grua plakë e cila e mërziste me thirrje. Filloi edhe të kruhej nga nervozizmi. Për më shumë se një dekadë nuk e kishte pasur atë kruarje të çuditshme në bazë nervore, e cila e kishte munduar derisa kishte qenë vajzë e re. E tani i ishte kthyer, gjë që kishte veprim edhe më të fuqishëm në psikikën e saj. Pas pesë minutash e thirri Iliri. - Pse nuk ma hape telefonin? Kjo pyetje i doli si plumb, thjesht nuk mund ta ndalte. - Dashuri, mu desh të dilja jashtë që të mund të të dëgjoja. Brenda është një kaos i vërtetë. Çka ndodhi? - Hiç! Asgjë, hiç! - E, pse më thirre, atëherë? - Të thirra që të të them se nuk jemi për njëri-tjetrin. Mbaroi. Nuk ka nevojë të më thërrasësh më. Lulja e mbylli telefonin. Më kot Iliri u mundua nja dhjetë herë të fliste me të, ajo qante, por nuk e hapte telefonin. Pasi që i kaloi vala e parë e zemërimit dhe dëshpërimit, filloi të përgjonte, duke dëgjuar zhurmat para derës së hyrjes. Ishte e bindur se ai do të vinte, do të vinte me atë shikimin e tij pyetës, do të mundohej të sqaronte pse ajo përnjëherë vendosi për ndarje. Po, mendonte, nëse e donte, ai do të vinte. Por, atë natë Iliri nuk erdhi. Mëngjesin e priti e zgjuar, e vetëdijshme vetëm për një fakt – se kishte pasur një ëndërr tepër të madhe dhe se ishte zgjuar kur kishte filluar të binte në humnerë. Kapitulli i njëzetë Sikur për inat, atë mëngjes e thirri Valdrini. As vetë nuk e dinte pse ia hapte telefonin, por ishte e sigurt se edhe kjo ishte pasojë e atij inati të marrë të femrave, sikur në atë mënyrë ishte duke iu hakmarrë Ilirit. - Si je, Lindita? - Mirë. Ti? - Ashtu. Mu desh të të thërrisja edhe një herë, duke u lutur që të ma hapje telefonin. - Pse më thërret? - Që të të them se gruaja ime u largua nga këtu. Kur u ktheva, tërë ditën mendoja për ty. Nuk mund të duroja më, kështu që i tregova dhe i thash se duhej të ndaheshim sa më parë që të ishte e mundur. Dhe, tani jam i lirë. Shkurorëzimi do të përfundojë pas një muaji. 

(Kosova Sot)