Ngjarje e vërtetë: Kurrë më! (1)

  • 18 August 2017 - 15:14
Ngjarje e vërtetë: Kurrë më! (1)

Binte shi... Edhe një ditë e mërzitshme, plot vranësi, e bërë vetëm për të fjetur dhe për të menduar. U rehatova më mirë në kolltuk dhe hyra në "Facebook". Nuk kishte ndonjë gjë tepër interesante... përderisa një djalosh i mrekullueshëm me sy ngjyrë kafe nuk ma dërgoi një mesazh... Besniku... çka ishte ajo e veçanta e djemve me këtë emër? Deri tani nuk kam parë asnjë Besnik të shëmtuar, e ky, i tashmi, kishte diçka të veçantë në vetvete. Një si shkëlqim të veçantë në sytë e tij, gjë që shihej qartë edhe në foto. Biseduam shkurt, por me shije. Mua mu duk se u afruam goxha shumë. Por, më pas, nuk mu lajmërua për 2-3 ditë. Kisha filluar të shqetësohesha, shpresoja që ai do të më lajmëronte sërish, por jo. Vendosa që vetë t'i lajmërohesha. Ia dërgova një mesazh të llojit: "Çka u bë që nuk lajmërohesh, a je zemëruar me mua, ndoshta?". Ka të ngjarë që të jem qenë tepër imponuese, por çka të bëj, e tillë jam. Dhe, kështu vazhduam që të komunikonim, ai vazhdimisht më shkruante, nuk mund ta paramendoja as edhe një ditë të vetme pa komunikuar me të. Pas njëfarë kohe vendosëm që të takoheshim dhe të njiheshim. Kur e pashë për herë të parë "live", mbeta e mahnitur. Kishte kohë që nuk më kishte pëlqyer asnjë djalë, por ai... ai ishte tregim në vete. Përfundimisht, për ditëlindjen e tij... u bashkuam. Gjithçka ishte e përkryer, e doja pa kushte, e di se edhe ai më donte mua... kishim një besim të madh te njëri-tjetri. Çdo ditë më bëhej shumë më e bukur pasi që merrja ndonjë mesazh nga ai, apo pasi që ia prekja flokët. Kështu kaloi viti më i bukur në jetën time. Isha me të vërtetë me fat. Thuhet se kur lumturia arrin kulmin dhe kur është më së miri, del diçka në udhë dhe prishë çdo gjë që ke ndërtuar me aq shumë mund. Përvjetori ynë ishte dita më e vështirë dhe më e rëndë në jetën time. Ndoshta atë ditë nuk isha e vetëdijshme, por tani do të jepja gjithçka që ta ktheja kohën mbrapa dhe të bëj disa ndryshime. Më mbante fort në përqafim, derisa lotët e mi lagnin supin e tij. Aroma e trupit të tij edhe më shumë më dehte dhe më bënte të qaja, sikur ta kisha ditur se kurrë më nuk do ta shihja. Duhej të shkoja me prindërit jashtë shtetit për pesë ditë. Kjo nuk ishte një periudhë e gjatë, por mua më dukej si një pafundësi. U përshëndetëm në aeroport, pashë se edhe ai ishte pikëlluar shumë. Kjo më shkaktonte dhembje të madhe, por disi ndjeja se, ndoshta, ashtu ishte e shkruar të ndodhte. Jashtë shtetit mund të them se kalova mirë, por më mungonte ai, më mungonte përqafimi i tij. Ato ditë kaluan aq ngadalë, nuk mund të kënaqesha me asgjë, mendja më rrinte vetëm te ai. Përfundimisht, kaluan edhe ato ditë të zymta dhe të nesërmen duhej të nisesha për t'u kthyer në vendlindje. Meqë duhej të kthehesha dy orë më herët, ia dërgova Besnikut një porosi në FB që të mos më priste në orën tre, por në orën një. Mezi prisja që të arrija, t'ia shihja ata sy të bukur. (vijon)

(Kosova Sot)