Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (16)

  • 20 September 2017 - 14:17
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (16)

Hashimi bëri me kokë në shenjë mosbesimi. - Si ia ke lejuar vetes që të përzihesh në thashethemet e estradës, Redon? Kjo nuk të ngjan ty aspak. Dikur kishe më shumë dinjitet. - Dikur? Mendon para se ta filloja lidhjen me Laurën? - Nuk desha të isha kaq i parashikueshëm. - Kuptoj se çka dëshiron të më thuash... - tha Redoni me zemërim, duke ofsharë. - Dhe, përsëri ke të drejtë, natyrisht. Por, sikur që thashë, dëmi është bërë dhe tani nuk mund të korrigjohet. - Të paktën nuk duhet të përsëritet. - Kurrë më! - premtoi Redoni. - Laura do të jetë e detyruar në të ardhmen që vetë t'i bëjë luftërat e veta. Le të mos llogaritë në mua! - Vendim me vend, shok - e mbështeti Hashimi. - Me të vërtetë habitem sesi ke rënë nën ndikimin e saj. Mund të paramendoj se cilat metoda të bindjes i ka përdorur! - tha ai, duke bërë me vetulla. - Shihe! Në atë aspekt, Laura nuk duhet të bëjë asgjë! Ajo femër ka ndikim të jashtëzakonshëm te unë. Mjafton që ta shoh, e të çmendem pas saj. - Nuk je i vetmi! Shumë meshkuj e humbin mendjen sapo e shohin. Kur erdhi sot në stacion, aty u krijua një kaos i vërtetë në mesin e kolegëve. Të gjithë shtyheshin që ta shihnin dhe ta shprehnin mahnitjen e tyre. - Do ta pësoj për shkak të bukurisë së saj! Ja, sot ia mora fytyrën vetes. E lejova veten që të bija aq poshtë - edhe atë para njeriut me të cilin kisha raport korrekt! - Çka të tha Luani rreth tërë kësaj meseleje në lidhje me Laurën? - Apeloi që të ballafaqohesha me realitetin. Lëre! Nuk mund të flas, e as të mendoj më për këtë! - Redoni e ngriti dorën sikur të ishte duke e thirrur kamerierin. - Dua që këtë episod të çmendur ta lë prapa vetes! - Ke të drejtë! - Hashimi e fiku cigaren, duke u përgatitur që të largohej. - I mundohu që ajo të mos përsëritet më! - Këtë tanimë ia kam premtuar vetes - me këtë fjali Redoni ia vuri pikën tregimit rreth Laurës dhe asaj që ajo kishte përjetuar për shkak të përmendjes së emrit të saj në librin e Doruntinës. ... E dinte se do t'i ndodhte kjo. Kur të nesërmen në mbrëmje Laura ia hapi derën e banesës së saj, atij i kishte lindur dëshira që të mos shkonin fare në hapjen e klubit të një të njohuri të tyre të përbashkët. Prej se kishin folur rreth asaj që nominimin e saj për manekinen më të bukur ta festonin me shampanjë në xhakuzi, vazhdimisht mendonte për këtë. Nuk i shkohej në klub. Më shumë donte të rrinte në shtëpi, me Laurën. (vijon) 

(Kosova Sot)