< Ngjarje e vërtetë: Ai ishte tradhtar i papërmirësueshëm (1) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vėrtetė: Ai ishte tradhtar i papėrmirėsueshėm (1)

Ngjarje e vėrtetė: Ai ishte tradhtar i papėrmirėsueshėm (1)

Kjo që po ua tregoj ka ndodhur derisa isha ende naive, d.m.th. nja dy muaj para se ta blija kremin tim të parë kundër rrudhave. Nja dy muaj para se të kuptoja se disa njerëz kanë shikuar tepër shumë seri amerikane dhe nga jeta e tyre janë munduar ta bëjnë një seri me elemente të trilerit, e mua të ma japin njërin ndër rolet kryesore. Gjithçka filloi një mbrëmje vere në klub, derisa isha duke e festuar ditëlindjen me shoqërinë, më shumë për shkak se më duhej, që të mos ndahesha nga të tjerët, sesa që më festohej me të vërtetë. Në atë festë të rreme vëmendjen ma tërhoqi një zë i panjohur në turmë: “Hej, urime ditëlindja! Kur e ke pasur ditëlindjen? Dje”? U ktheva dhe pashë Luanin, një të njohur të cilin nuk e kisha parë qëmoti. Ai ishte një doktor për të cilin çmendeshin vajzat e edhe gratë e martuara, qyshkur e njihja.“Si e di se e kam ditëlindjen”, e pyeta, e frikësuar se një gjë e tillë mund të dukej nga pamja ime e dehur. “E pashë në FB”, më tha ai duke qeshur. “U, po njëmend”, thash unë duke e pyetur veten se a ishim me të vërtetë shokë në “Facebook”, apo jo. “T’i kam dërguar disa mesazhe, por nuk më je përgjigjur”, vazhdoi ai me stilin e tij të njohur. Nuk isha përgjigjur në mesazhe meqë nuk më kishin interesuar, duke qenë se isha tepër e zënë me situatat e mia të dashurisë, por tani gjithnjë e më shumë më bëhej e qartë që ai qenka... i gjatë, zeshkan, i pashëm. Nejse, nëse këqyrim hollë e hollë, nuk ishte aq i gjatë, nuk ishte as aq zeshkan, e as tepër i bukur, por ishte i mrekullueshëm – çdo sekondë më i mrekullueshëm, kështu që festa ime e rreme u shndërrua në festë të vërtetë. Të mos e zgjas, i këmbyem numrat e telefonit dhe isha e gatshme për një fillim të ri të dashurisë – me doktorin e pashëm. Afera jonë e vogël filloi që javën tjetër: pijet, darkat, daljet në mbrëmje, puthjet, bisedat e natës dhe gjithçka që shkon me to. Por, sikur edhe në seritë TV, ku personazhi kryesor i ka të metat e veta, kështu i kishte edhe ai. Ai kishte një të dashur – Mirjetën! Ata ishin në lidhje tash e ca vjet. Më tregoi menjëherë se ishte duke u munduar që të dilte nga kjo lidhje e gjatë dhe e mundimshme, e cila kishte humbur çdo kuptim dhe se si i duhej maksimalisht një muaj, e më pas do të ishte i tëri imi. I besova, pse të mos i besoja?! Ndoshta për shkak se të gjithë më kishin thënë se ai ishte një tradhtar i vërtetë? Nuk iu besoja, sepse ai nuk dukej si tradhtar. As nuk sillej si një i tillë. Mjekët që punojnë nga dhjetë orë në ditë nuk kanë kohë që të bëhen tradhtarë dhe të vrapojnë pas të tjerave. Kisha dëgjuar edhe tregime të çuditshme, sesi ai përziente diçka edhe me disa vajza të tjera, por një gjë e tillë dukej tërësisht e pabesueshme: nëse punonte tërë ditën, e në mbrëmje rrinte me mua, atëherë kur takohej me të tjerat?! Çfarë marrëzie! Ditët kalonin, Luani dhe unë bëheshim gjithnjë e më të afërt, e ai dhe Mirjeta gjithnjë e më të largët. Duke pirë, bashkë qesheshim me thashethemet rreth tij dhe femrave të tjera. Më njoftoi me të gjithë shokët e vet, bile edhe me kolegët. Njëra nga koleget ishte edhe Saranda. Një femër e pashme, me flokë të gjata ngjyrë bakri. Luani menjëherë më tha që ta injoroja, meqë ajo ishte dashuruar në të dhe kishte filluar ta nervozonte. Në atë përrallë besoja verbërisht derisa një mbrëmje në kafene takuam Sarandën e dehur, e cila më sulmoi: “Kuçka e fëlliqtë! Largohu nga ai! Luani është i imi”! Luani e evitoi këtë skenë me mjeshtëri, me fjalët: “A nuk e sheh të gjorën që moti ka rrëshqitë, a? Më beso, edhe kur nuk është e dehur, kjo është vet e katërdhjeta”. Të njëjtën mbrëmje, kur arrita në shtëpi, mora mesazhin e tij: “Si drogë je. Mendoj se jam në gjendje të bëj gjithçka, vetëm që të jem me ty përgjithmonë”. (Vijon)

(Kosova Sot)

4 orë e 0 minuta më parë