< Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (46) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: E vėrshuar nga puthjet (46)

Roman dashurie: E vėrshuar nga puthjet (46)

Redoni kishte mbetur pa fjalë nga tronditja, nga ajo që nuk mund të besonte. Rrëfimi i Laurës e preku thellë, meqë as për së afërmi nuk ishte përgatitur ta dëgjonte një gjë të tillë. E urrente veten për faktin që më parë nuk kishte ditur asgjë për këtë gjë, që më parë nuk ia kishte ofruar Laurës mundësinë që t'i rrëfehej. Për shkak të dëshirës jo të vetëdijshme që të realizojë kontakt fizik me të, filloi t'ia lëmonte këmbët, por jo sikur që e prek mashkulli femrën, por me një prekje ngushëlluese. Ajo mori frymë thellë dhe e përpiu duqin që i ishte formuar në fyt. - Është e kotë të të flas rreth asaj se si ndihesha pa nënën, pa vëllain... e, i kisha vetëm gjashtë vjet. Babai nuk ishte në gjendje që të më ndihmonte. Ikte nga unë, meqë edhe dhembja e tij ishte tepër e rëndë. Kur duhej t'ia filloja shkollës, ai më çoi te motra e vet. Më la dhe kurrë më nuk erdhi të më vizitonte. E la filxhanin e zbrazët në tavolinë, meqë gishtat filluan t'i dridheshin. - Nga njëri ferr shkova në një ferr tjetër. Te halla kisha një kulm mbi kokë, kisha të haja sa të doja, kisha gjithçka që ishte e nevojshme për shkollë, por askush nuk më donte. Halla i kishte fëmijët e vet, punonte gjatë tërë ditës në punëtorinë e vet, kështu që nuk kishte kohë për mua. Ajo përkujdesej që t'i kisha të gjitha që më nevojiteshin, por herë pas here ma bënte me dije se për të isha një barrë tepër e rëndë. Derisa rritesha, rriteshin edhe obligimet që ajo m'i ngarkonte. Insistonte që të mësohesha të gatuaja dhe ta merrja përsipër udhëheqjen e shtëpisë. Nuk më maltretonte, këtë nuk mund ta them. Ajo thjesht mendonte se unë isha e detyruar që t'ia ktheja atë që ajo kishte bërë për mua. Dhe, kështu... - fytyrën ia kaploi një ngërç - fillova ta udhëhiqja shtëpinë ende pa i mbushur të trembëdhjetat. Asokohe mësova të gatuaja dhe ta rregulloja shtëpinë. Dhe, asokohe i premtova vetes se do të përkujdesesha në të gjitha mënyrat që ta evitoja në të ardhmen një fat të tillë. - Por, përkundër këtij premtimi, ti insistoje të vije këtu, për të bërë të gjitha ato punë nga të cilat doje të ikje! Laura ia drejtoi një shikim të gjatë, të përqendruar. - E bëra këtë, sepse jam në gjendje që të bëj gjithçka për ty, Redon. Gjithçka! Ti dhe unë jemi ndarë, por unë nuk kam pushuar të të dua. Nuk më vjen marre që ta them këtë me zë. Kur dikush kupton se çka d.m.th. ta urresh dikë, mund ta kuptojë se sa nder është ta duash dikë, sa nuk duhet pasur turp nga dashuria, qoftë ajo edhe e njëanshme - përfundoi ajo me krenari, me një krenari të tillë e cila e bëri Redonin që të dridhej i tëri. (vijon) 

(Kosova Sot)

23 orë e 23 minuta më parë