< Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (50) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: E vėrshuar nga puthjet (50)

Roman dashurie: E vėrshuar nga puthjet (50)

Besonte se ishte vetëm çështje ditësh kur do t’i tregonte se kishte rënë në dashuri me të, se donte ta kishte pranë përgjithmonë. Se ishte vetëm çështje ditësh kur do t’i propozonte fejesë... Laura u zgjua e para mëngjesin tjetër. Prapa saj ishte një natë e gjatë, e mbushur me një gjumë çlodhës, e ku i kishte ndihmuar edhe Redoni, me ledhatimet e tij të pafund. Edhe pse e kishte zënë gjumi thuajse menjëherë sapo kishte rënë në shtrat, disi e dinte se Redoni e kishte ledhatuar edhe pasi që e kishte zënë gjumi. E kishte ledhatuar duke i thënë fjalë të ëmbla, të buta. Ndjente se diçka, krahasuar nga dita e djeshme, kishte ndryshuar në raportin e tij ndaj saj, por këtë ndryshim nuk dinte si ta interpretonte deri në fund. Nga frika e zhgënjimit të mundshëm, ajo ia kishte ndaluar vetes që të shpresonte. Po ashtu, e kishte detyruar veten që të zgjohej nga shtrati menjëherë pasi që të zgjohej. Kishte dëshirë që të gjendej afër Redonit në momentin kur ai të zgjohej nga gjumi, por nuk donte që atë gjest ai ta interpretonte si presion të ri ndaj tij. Me anë të shikimit “ia puthi” fytyrën e përgjumur, para se të zgjohej nga shtrati. Qëndroi shkurt në banjë, e më pas veshi rrobat sportive dhe doli jashtë. Qëndronte jashtë, në ajër të freskët, duke e thithur atë ajër me tërë fuqinë e mushkërive të saja. Gjithandej përreth saj shtrihej natyra e paprekur, e cila përshtatej mirë me ato ngjyra të pranverës. E joshnin majat e maleve të veshura me mjegullën e mëngjesit, livadhet e mbuluara me lule, si dhe grykat e maleve dhe qetësia e ujërave të liqenit, e cila edhe atë e mbushte me qetësi. Ndjente sesi mu aty, para atij peizazhi i cili kufizohej me fantazinë, gjoksi i mbushej me shpresë, sesi e vërshonte optimizmi jetësor. Ishte bindur se gjithç- ka do të ishte në rregull. Biseda me Redonin i kishte ndihmuar që të pajtohej me veten, mirëkuptimin e tij e përjetonte si njëfarë shpagimi. Mund ta vazhdonte jetën tutje, më e varfër pa dashurinë e tij, por më e pasur për shkak të miqësisë së tij. Qëndroi edhe pak jashtë vilës, e më pas hyri brenda me nguti, për ta zier kafen dhe për ta përgatitur kafjallin. Redoni një lloj të ilaçeve i merrte në mëngjes, e ajo nuk donte që ai t’i pinte ato në bark të thatë. Gjatë disa ditëve vijuese, Laura vazhdoi që të përkujdesej maksimalisht rreth Redonit. I përgatiste ushqime dietetike, i ziente çaje nga bimët shëruese dhe i tregonte t’i pinte ilaçet në kohën e duhur. Nuk e lejonte të punonte asgjë edhe pse ai insistonte t’i ndihmonte në kuzhinë, apo në pastrimin e shtëpisë. /vijon/

(Kosova Sot)

7 orë e 43 minuta më parë