Ngjarje e vërtetë: Ky nuk është fundi (2)

  • 27 October 2017 - 15:15
Ngjarje e vërtetë: Ky nuk është fundi (2)

Shoqet e mia më të mira duhej të niseshin, e bashkë me to edhe unë. U përshëndeta me të dytë nga klasa ime e menjëherë prapa tyre gjendej Nderimi. Ma zgjati dorën, ia zgjata edhe unë. Më tërhoqi dhe më puthi në faqe, paksa afër buzëve. Të gjithë filluan të na nxisnin që të putheshim në gojë. Nderimi vetëm tha “mendon se nuk guxoj” dhe u nis kah unë. E, unë dridhesha, duke ditur se ajo do të ndodhte. Ai ishte vetëm disa milimetra larg meje dhe kur buzët e tij ishin të gatshme që puqeshin me ato të miat, unë u largova. Për fat të keq. Shoqet e mia më thoshin se nuk isha normale e unë, me gjysmë zëri, thash: “Nuk mundem”. Isha frikësuar. Nuk e di pse, kur e dija se e doja. Njëra nga shoqet më mbante që të mos largohesha përsëri, kurse tjetra i tha se nuk do të largohesha më, kështu që ai mund të provonte sërish. Ai u nis, i thash shoqes që të më lëshonte. Përsëri ishte aq afër, por kësaj here ishte ai që hoqi dorë. Tha, “më mirë është në ballë” dhe më puthi në ballë. Unë buzëqesha, sikur doja të thosha, “çfarë i marri”, por në vetvete sa nuk pëlcitja nga inati. Shumë e kisha dashur për dhjetë ditë. Edhe tepër bile. Ata shkuan. E unë me shoqet e mia numëronim ditët deri sa të ktheheshin sërish ata. Erdhi edhe 4 korriku, ata u kthyen herët në mëngjes, më tregoi motra. Isha tepër e lumtur edhe pse nuk e kisha parë. Ditët kalonin e unë mundohesha ta shihja, por kishte diçka kundër kësaj. Nuk e kisha parë më shumë se tre muaj, e as nuk ishim dëgjuar. Gjatë atyre tre muajve kisha dëgjuar gjithçka. Disa më thoshin se ai kishte të dashur të re, të tjerët se ai ishte i dashuruar në mua. Nuk u besoja as të parëve, e as të dytëve, por e dija se ai disi ishte me mua. Nuk e di pse. Erdhi edhe 12 tetori dhe ditëlindja ku ishim ftuar të dytë. Shoqet e mia më të mira erdhën te unë që të përgatiteshim së bashku dhe ma merr mendja se dukesha shumë mirë. Shkuam. Zemra më rrihte si e marrë.

Ai nuk ishte aty, por pas disa minutash erdhi. Ia shtrëngova shoqes dorën, meqë nuk mund të besoja. Ishte i përkryer. Stili i tij i flokëve, paraqitja, zëri. Gjithçka. Ma bëri me dorë, e edhe unë ia bëra. Një shoqe më thirri gjoja që të më tregonte diçka, e në fakt më kishte thirrur që të ulesha afër tij. U ula dhe ndihesha tepër e lumtur, si kurrë më parë. Harrova krejt sa ishte bërë ora. Biseduam gjatë tërë mbrëmjes. Biseduam për gjithçka. Në një moment shoqet erdhën te ne dhe i thanë me zë të lartë: “Hajde, Nderim, bëje atë që na ke premtuar”, e ai më tha mua: “Më fal që veprova ashtu” dhe më puthi në faqe. Nuk e kisha idenë për çka e kishte fjalën, por bëra me kokë. Sytë mu mbushën me lot, me gjasë për shkak se kisha shpresuar që ai të më puthte në gojë. Biseduam edhe më shumë kur u larguan të tjerët. Më tallte, por e tallja edhe unë atë. Prekeshim vazhdimisht, gjoja pa dashje. Ndonjëherë thoshte mu atë që mendoja edhe unë, megjithatë mungonte ajo kryesorja – nuk më puthte. Përkundër kësaj, mbeta tejet e gëzuar, më dukej se fluturoja nga gëzimi. Kisha ndjenja tepër të forta, por nuk mund t’i përshkruaj të gjitha. Mbrëmja ishte e mrekullueshme. E adhuroja atë. Disa nga këngët toja janë “Enchanted” dhe “Made in the USA”. Sa herë që i dëgjoj, mendoj për ne. Gjithçka është kaq magjike. Në takimin tjetër u fotografuam, por fotoja disi ishte e ftohtë. Ishte tepër larg. Por, përkundër kësaj, ajo është fotografia ime e preferuar. Takoheshim çdo të diele. Në fakt unë e shihja, e duket se më shihte edhe ai mua, meqë më tha se disi mbronte më mirë në ndeshje kur unë nuk isha aty, sepse kur isha, ai habitej dhe ia jepnin gol... Kaluan ditët dhe disi fillova të dorëzohesha. Ngadalë kuptova se nuk kishte gjë nga lidhja jonë. Përsëri u dashurova në Meritonin për disa javë. Më 12 dhjetor e dëgjova këngën tonë dhe përsëri mu kthyen të gjitha ndjenjat. Përsëri nuk e kisha parë për një kohë të gjatë. Më shumë se një muaj dhe këtë jam duke e shkruar sepse ndiej nevojën ta bëj. Tani është data 2 janar 2014 dhe mezi pres që të takohemi sërish. Shpresoj më së miri. Pa marrë parasysh sa mundohem ta largoj nga koka, më kot e kam. Kam shpresë që ky të mos jetë fundi i tregimit tonë...

Fund

(Kosova Sot)