Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (52)

  • 28 October 2017 - 13:50
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (52)

​Redoni, sikur Laura, luftonte me dëshirat e tij, me epshet e tij. Edhe ai kishte nevojë për një afërsi të femrës, për prekjet e saj. Donte ta shijonte dashurinë me Laurën, e cila do të plotësohej nga emocionet e dyanshme. E dinte se ky do të ishte një përjetim i veçantë për të dy ata. E kishte vështirë të ndahej nga ajo me rastin e fjetjes. E puthte në ballë, për natë të mirë dhe e përcillte me shikim derisa ajo shkonte në dhomën tjetër. Kur mbetej vetëm në shtratin e zbrazët, ëndërronte trupin e saj, të futur nën çarçafët e butë. E priste me padurim ditën e kthimit të tyre në qytet. Kishte vendosur që, para se të niseshin, në ambientin ku kishte ndodhur ringjallja e lidhjes së tyre, t'ia shprehte dashurinë dhe ta luste që të martoheshin. Aspak nuk dyshonte që Laura do ta pranonte propozimin e tij, gjë që do t'i bënte çiftin më të lumtur në botë. Natën e fundit në vilë, para kthimit të planifikuar në qytet, Laura dhe Redoni e kaluan pranë tryezës solemne, ku dominonin dy qirinj elegantë, dekorativë. Hëngrën peshq dhe sallatë të freskët, biseduan dhe ngucën njëri-tjetrin. Që të dy e kishin në kokë vetëm një mendim: që donin reprizën e shumëfishtë të asaj mbrëmjeje. Laura mendonte sesi ishte bërë e gatshme që t'i harronte të gjitha përparësitë e jetës së natës, të cilave deri atëherë iu ishte dorëzuar me epsh. Mundte, pa kurrfarë pendimi, që të hiqte dorë nga të gjitha mbrëmjet e tjera në qytet, në këmbim të një mbrëmjeje si kjo, të cilën do ta kalonte afër Redonit. E bindur se Redoni në të ardhmen do ta trajtonte vetëm si shoqe të tij, nuk ia lejonte vetes që të imagjinonte, nga frika se një gjë e tillë do t'i shkaktonte dhembje. Për dallim nga Laura, Redoni ishte i bindur se ishin duke kaluar vetëm një nga shumë mbrëmjet që do t'i kalonin së bashku. Ishte i relaksuar, llafazan, i bënte Laurës komplimente të shumta, duke mos e ditur se sa shumë e hutonte atë me një sjellje të këtillë. Gjëja e vetme që e mundonte, ishte dëshpërimi në lidhje me natën që do të vinte, meqë do të duhej ta kalonin ndaras, në shtretër të ndarë. E dinte se, sikur të bënin dashuri, atëherë ai do të ishte kulminacioni i asaj mbrëmjeje të mrekullueshme. Kjo do të jetë nata e fundit që do ta kalojmë ndaras, i premtonte ai vetes, duke shkuar në shtrat. Ky premtim, si dhe gëzimi për shkak të ditës së nesërme, i ndihmoi që të flinte si qengj. (vijon) 

(Kosova Sot)