Ngjarje e vërtetë: Si filloi tërë kjo mesele (3)

  • 30 October 2017 - 13:39
Ngjarje e vërtetë: Si filloi tërë kjo mesele (3)

Nuk ishte njësoj për të. Sapo kishte filluar ta harronte, ajo ishte paraqitur përsëri në jetën e tij. Shihja se ishte duke u thyer. Edhe pse ia kishte bërë atë që ia kishte bërë, prapëseprapë një pjesë e tij ishte e gatshme që të harronte gjithçka dhe t'ia falte të gjitha.

Ai kërkoi ndihmë: - Vëlla më ndihmo! Nuk e di çka është duke më ndodhur. - E di se çka po të ndodhë! Je dashuruar sërish! - Jo, ende jo. E, nëse vazhdoj kështu... Nuk ishte vështirë të kuptohet. Nga larg shihet kur njeriu është i dashuruar, kjo nuk mund të fshihet. Nuk dija çka të mendoja, e lëre më çka të thosha në ato momente.

Gjithçka ishte e qartë, ai ishte i vetëdijshëm për këtë, por megjithatë ia filloi tregimit të vjetër. U mundova që ta kthjellja, që të bazohej te logjika, e jo te ndjenjat. Ia përmenda mashtrimin: - A krejt këtë mesele do ta harrosh, a? A duhet sërish të të tregoj se çka ka bërë ajo? - Nuk ke nevojë. I di të gjitha. Të gjitha parimet tanimë i kam shkelur për të. E dija se do t'ia falte, por nuk mund të bëja asgjë. Është e kotë të flasësh me një të shurdhër. Ai kishte rënë sërish në kthetrat e saj. Nëse herën e parë mund të thoshte se nuk e kishte ditur, tani kishte pranuar vullnetarisht. Çka ishte ajo gjë aq joshëse tek ajo vajzë? Këtë pyetje do t'ia shtroj edhe vetes gjashtë muaj më vonë. Dhe, kështu erdhi Viti i Ri. Festa si festë. Të gjithë presim shumë nga Viti i Ri, sikur çdo gjë e keqe do të ikë me vitin e vjetër, e do të mbetet vetëm ajo që e dëshirojmë. Kështu ishte edhe kësaj here. Donim që viti 2014 të ishte shumë më i suksesshëm sesa krejt deri tani, e për vitin 2015 do të shpresojmë të jetë edhe më i mirë. Dhe, kështu tërë jetën. Me shpresë se do të bëhet më mirë, se përfundimisht do të vijë ai vit, ku do të na plotësohen të gjitha dëshirat tona. E, edhe sikur të vinte një vit i tillë, ne sërish nuk do të ishim në disponim, meqë do të dëshironim edhe më shumë. E tillë është raca njerë- zore. Në fakt, ngjarja të cilën do ta përshkruaj, ndodhi menjëherë pas pritjes së Vitit të Ri, disa ditë më vonë. Ishte e shtunë mbrëma, koha për të dalë. Meti, Blerimi dhe unë ishim marrë vesh që të dilnim. Shkuam në një klub lokal. Më kujtohet se ishte një ditë para mbarimit të festave. Për këtë shkak, ajo ishte dita e fundit kur qyteti ynë ende ishte plot, para se të largoheshin studentët dhe punëtorët. Meti dhe unë ishim të gatshëm, plani ishte ky: do ta zëmë një tavolinë, e më pas do të na bashkoheshin Engjëllushja dhe shoqet e saj. Blerimi nuk kishte haber për asgjë, ai rrinte anash. Edhe një herë konfirmohej ajo thënia se i treti gjithkund është tepricë. Meti rregullisht kontaktonte me Engjëllushen. Kësaj i vinte era lidhje e re. Ajo erdhi me dy shoqe, u përshëndetëm përzemërsisht. Disi arritëm të gjenim vend për të gjithë. Engjëllushja ishte ulur midis Metit dhe meje, në anën time të djathtë Blerimi, afër tij dy shoqet dhe rrethi mbyllej me Metin. Mbrëmja ishte fenomenale. Pijet, vallëzimi, shakatë, disponimi në maksimum dhe shoqëria e mrekullueshme. Më së shumti bënim shaka Engjëllushja dhe unë. Gjithmonë kishim një raport të tillë; e respektoja sikur të dashurën e Metit, meqë një gjë e tillë atij i pëlqente tej mase. Në ato shaka mora anën e saj, d.m.th. ishim unë dhe ajo kundër Metit. Edhe sonte ishte ngjashëm, me përjashtim të asaj se të gjithë e dinim se çka kishte ndodhur në ndërkohë. Vetëm Blerimi nuk kishte haber për asgjë. Njëra nga shoqet e saj ishte mu ajo që kishte treguar gjithçka, kur zinxhiri i sekreteve përfundonte te unë. Meti ishte i përmbajtur gjatë tërë mbrëmjes, deri në momentin kur filloi të dehej, kur filloi t'i vardisej haptazi Engjëllushes. E, ajo e luante një lojë. Tanimë kishte kaluar mesnata dhe atmosfera kishte arritur kulmin. Për një moment vërejta një shikim jo të rëndomtë. Ishte Engjëllushja. Shikimet na u ndeshën, kjo zgjati vetëm një pjesë të sekondës, por pati një domethënie të madhe. Tanimë thash se shoqëroheshim, talleshim, por një gjë e këtillë më ndodhi për herë të parë. Ndieja se ai shikim nuk ishte miqësor. Dhe, më duhet të pranoj, edhe unë e shikova atëherë ashtu, sikur që shikohet e dashura. (vijon).

(Kosova Sot)