< Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (55) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: E vėrshuar nga puthjet (55)

Roman dashurie: E vėrshuar nga puthjet (55)

- E, këtu ke të drejtë! – Nuk e lejoi që të përfundonte. – Kjo që ndodhi nën kulmin e kësaj vile është gjëja e fundit që ka ndodhur në kuadër të miqësisë sonë! Quaje këtë sfidë, apo si të duash, kryesorja më nuk dua të të shoh, Redon! Ajo u kthye dhe iku në dhomën e saj. E mbylli derën dhe filloi t’i përgatiste valixhet meqë kishte ndërmend që menjëherë të largohej nga vila, edhe pse jashtë ishte natë dhe hëna e re nuk ndriçonte edhe aq shumë. Më kot Redoni trokiste në derë, Laura nuk donte t’ia hapte. Më kot ai kërkonte nga ajo që ta dëgjonte. Me të dalë nga dhoma, ajo i iku atij para sysh. Ai e arriti, e kapi për dore. Edhe pse ajo filloi të kundërshtonte, ai e ktheu nga vetja dhe filloi ta qetësonte. - Të kuptoj! Dëshiron të ikësh nga unë, por të lutem prite mëngjesin. Jashtë është terr dhe ti nuk e njeh këtë terren. - Edhe?! Mund edhe të vdes, nëse e kam atë fat! - Mos u bëj e marrë! – e shkundi ai me dy duart e tij. – Askush në këtë moment nuk ka për mua më shumë rëndësi sesa ti! – me qëllim nuk i tha se e donte, meqë e dinte se, në atë gjendje që ishte, ajo nuk do ta besonte një gjë të tillë. – E kuptova këtë gjatë shtatë ditëve të kaluara! E pranoj se, derisa erdhëm këtu, nuk isha i sigurt në ndjenjat e mia ndaj teje! Më duhej të të njihja, të kaloj pak kohë me ty në një ambient, i cili ishte si ambient martesor! - Plan të mrekullueshëm paske bërë! Qëndrove shtatë ditë në shtrat, derisa unë laja dhe të bëja të haje! Paske një vizion të çuditshëm të martesës, Redon! - Provo që të kthehesh në atë kohën kur u ndamë, pas incidentit me Doruntinën! Çka do të bëje ti, sikur të ishe në vendin tim?! Nuk doja që të ndahesha nga ti, e as nuk isha në gjendje që të të ofroja diçka konkrete që, ashtu të lënduar, do të të kthente te unë! Ky plan më dukej ideal, një zgjidhje ideale për problemet tona! Fytyra e Laurës, krejtësisht papritur, u shtrembërua nga dhembja. - Mos më detyro të kthehem në atë kohë të ndarjes sonë, Redon. Meqë, asnjëherë nuk jam ndier më keq në jetën time. Ndarja nga ti më goditi dhe më shkaktoi dhembje të tmerrshme. E, ti pate rastin që të dëgjosh se çfarë jete të vështirë kam pasur. (vijon)

13 orë e 45 minuta më parë