Ngarje e vërtetë: Vajza me pikëllim në sy (2)

  • 02 November 2017 - 13:22
Ngarje e vërtetë: Vajza me pikëllim në sy (2)

Nuk prisja që ta shihja më. Ajo ishte e vetmja femër për të cilën isha rrahur ndonjëherë. Në fakt, jo unë direkt, por për mua ishte rrahur sigurimi, e unë personalisht kurrë nuk hyja në konflikte të cilat nuk mund t'i zgjidhja verbalisht. Kur duhej nxjerrë nga lokali mysafirët e dehur apo ata që bënin telashe, aty ishin Mali me shokët. Unë megjithatë isha kundër grushteve dhe dhunës. Mali atë natë më tha se nuk kishte besuar se isha i aftë për një gjë të tillë. Më duhet të pranoj, edhe veten e befasova. Diçka në mua ndryshoi, duke më prekur në vendin më të ndjeshëm të shpirtit tim. Nuk mund t'i harroja sytë e saj të kaltër e të pikëlluar. Të nesërmen vendosa ta shisja lokalin. Nuk isha unë për gjëra të tilla. Deri te ky përfundim erdha pasi që tërë natën mendova rreth saj. Paratë nuk ishin problem për mua, prandaj i propozova Ermalit që ta merrte lokalin, duke ma bërë pagesën me këste. Ai pranoi pasi që disa herë më pyeti a isha mirë. Dy javë më pas ai më ftoi që t'i nënshkruanim dokumentet dhe ta pinim nga një pije, në llogari të tij. Edhe pse nuk doja të shkoja, më duhej ta bëja një gjë të tillë, meqë kuptova se, duke punuar tërë atë kohë së bashku, ishim bërë edhe miq midis vete. Lokali ishte plot me fytyra të rëndomta. Kamerierja i solli pijet, kur pas shpinës së saj pashë përsëri sytë e njëjtë, të frikësuar, sesi më shikonin. Qëndronte në derë, sikur të hamendej a të hynte, apo jo. Ishte e vetme dhe më shikonte drejt në sy. Mu duk se ishte edhe duke u dridhur. U ngrita dhe u nisa kah ajo. Nuk lëvizi as edhe një milimetër, derisa iu afrova. Ia zgjata dorën. Ajo ma dha dorën e saj, por duke mos m'i shkoqur sytë, sikur të ishte duke më vlerë- suar, sikur të mendohej a të më besonte, apo jo. E çova deri te tavolina, ku isha ulur me Malin. Ai nuk u befasua kur e pa. Bëri me kokë në shenjë përshëndetjeje, kërkoi falje dhe u largua. Për disa minuta që të dy ne e shikonim njëri-tjetrin në heshtje. Prisja që ajo të fliste e para. Doja ta dija pse kishte ardhur. A kishte ardhur që të më falënderonte apo për faktin se as ajo nuk mund ta harronte atë natë. Sepse, mua assesi të më dilte nga koka. Me net të tëra zgjohesha nga ankthi, ku ai tipi i dehur i afrohej, e godiste, e më pas ajo rrëzohej. Shihja sytë e saj të pikëlluar dhe lotët në faqe, buzët që i dridheshin dhe shenjën e kuqe në faqe. Më përcillte kudo që shkoja. E, fakti që isha larguar nga lokali, nuk më kishte shpëtuar nga pamja e saj. Tani ishte aty, rrinte e ulur afër meje dhe heshtte, duke mi studiuar vijat e fytyrës. E, më pas, foli. - Quhem Drenushë. Ta kam borxh jetën, por nuk kam ardhur për këtë. Erdha meqë nuk mund ta fshij pamjen tënde nga kujtimi. Dua të të njoh, edhe pse kam frikë se mos po gaboj përsëri. Por, sytë e tu më tregojnë se ti je ndryshe. Nuk e dija çka t'i thosha. Nuk ka fjalë që mund të shpjegonin sesi ndihesha në ato momente. Doja që ajo të më besonte, që ta dinte se kurrë, për asgjë, nuk do ta lëndoja. Doja ta bëja të lumtur dhe ta mbroja deri në fund të jetës. E dija se mendimet e mia ishin të marra dhe se ne të dy nuk njiheshim, por zemra më thoshte se Drenusha ishte ajo e duhura për mua. Në vend të fjalëve, ia dhashë një puthje në buzë. Por, menjëherë e lëshova, disi i frikësuar se, me një sjellje të këtillë, kishte rrezik ta dëboja, ta frikësoja. Por, ajo as nuk u frikësua, e as nuk iku. Vetëm buzëqeshi lehtazi. E kishte buzëqeshjen më të bukur në botë. *** Drenusha u bë gruaja ime një vit pas këtij takimi të parë. Ia dola që nga sytë e saj ta largoja pikëllimin. Nata që na kishte bashkuar tani ishte pas nesh, por unë kurrë nuk munda ta harroja. Ankthet, ku e shoh atë kokë- trashin e dehur, duke e goditur Drenushën, tani mu kanë rralluar, por ende i shoh. Për këtë shkak ajo edhe më tha t'i shkruaja këta rreshta, ndoshta arrij ta harroj atë ankth.

FUND

NGA NESËR MUND TA LEXONI TREGIMIN TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË "ENGJËJT" 

(Kosova Sot)