Ngjarje e vërtetë: ENGJËJT (2)

  • 04 November 2017 - 13:32
Ngjarje e vërtetë: ENGJËJT (2)

Solli me vete disa gjethe me ngjyrë argjendi dhe i vendosi në flokët e mi dhe tha: "E dashur princeshë, më lejo të jem kalorësi juaj dhe që gjithmonë, gjithë jetën time të luftoj për ty. Do ta jap edhe jetën, nëse ka nevojë, e po ashtu edhe zemrën". -Zemrën tënde e mbaj në zinxhir, si një hajmali. -Çfarë nderi dhe fati që është kjo princeshë, tash mundem të vdes i qetë..... e më pas e ndërpres unë atë dhe i them "Nëse ti vdes, atëherë kush do të më mbrojë mua". -E, ai më thotë "shpirti im, princesha ime", për çdo mbrëmje, shpirti im do të jetë në tarracën tuaj dhe do të shikojë nga lart". Dhe, më pas përsëri ai vazhdon: "Princeshë, ti je engjëlli im, do të të përcjell dhe do të kujdesem gjithmonë për ty, por kurrë nuk do të jem me ty, pasi që 'çifti' i njohur si "bukuroshja dhe bisha" nuk shkojnë bashkë, sikurse në film dhe këngë". Tani eja të shkojmë në shtëpi, pasi që është bërë vonë, dhe nga bisha të mos shndërrohem në diçka tjetër dhe të kafshoj. Jam e lumtur dhe e hutuar. Nuk e di as çfarë ndiej, mendoj gjithnjë për të. Kam filluar madje edhe të pyes për të. Kam dëshirë që secilin moment të lirë ta kalojmë së bashku. Kur ai nuk është pranë meje, ndihem tmerrshëm, e ndiej mungesën e tij. Bujarja e ka kuptuar se jam e dashuruar, por një gjë të tillë unë nuk dua ta pranoj. Mbrëmjet me të janë të posaçme, ai u shndërrua në shokun tim më të mirë dhe mundem t'i besoj gjithçka, e nëse zemërohem apo hidhërohem, ai dinte të më kuptonte. Me padurim i prisja takimet me të, por pos dashurisë ndieja edhe një lloj frike. Kur e shikoja, zemra vetëm sa nuk më dilte nga vendi, këmbët mezi më mbanin, ndërsa që gjuha po më lidhej nyje. Dëshiroja që ai kurrë të mos e kuptojë se sa shumë isha e dashuruar në të. Ai edhe më tutje po sillej njëjtë me mua, shfaqej nga asgjëkund, gjithnjë i buzëqeshur, çdo ditë e më i bukur. Të gjithëve u thoshte se ishte i dashuruar në princeshën. Miqtë e tij më thoshin se sa shumë kishte ndryshuar, se është bërë më i qetë dhe më i hareshëm. Më kujtohet fare mirë, ishte ditë e shtunë, po qëndronim ulur në kafenenë tonë të preferuar dhe po prisnim Bujaren, e ajo sikur ta dinte, ishte vonuar hiç më pak se 30 minuta, e ne të dy po flisnim për shkollën, kisha disa nota të dobëta, të cilat më duhej t'i përmirësoja, e mbështeta kokën në gjoksin e tij, derisa ai po më bindte se gjithçka do të jetë në rregull. Kam çuar kokën lart dhe e shikova drejt e në sy, më dukej se ai di gjithçka dhe unë isha e gatshme të flas për dashurinë time ndaj tij. -Çfarë po ndodh me ty kohëve të fundit, po dukesh disi e zhytur në mendime? -Unë... nuk e di... Unë të dua. Nuk po besoja se e thashë një gjë të tillë, ndërsa që ai ishte krejt i humbur. Po mendoja a të rri apo të zhdukem diku larg. Ai edhe më tutje po më shikonte ashtu i humbur dhe po më pyeste nëse isha e sigurt në atë që e thashë. Unë i thashë se po, jam e sigurt, dhe se nuk mundem më të përmbahem, se e kam gënjyer, se nuk kisha sukses ta fshehë dashurinë prej tij. -A do të thotë kjo se përfundimisht je e imja? -Pak a shumë, ashtu, po e jotja, i thashë Më puthi pikërisht në momentin, kur ia behu Bujarja. Secilin moment të lirë e kalonim së bashku, nuk më lejonte as që të ikja nga orët e mësimit, e kur gjatë mbrëmjeve po mbetja diku, ai zemërohej në mua dhe më thoshte se duhet të shkoj në shtëpi, që të fle më shumë, pasi që tashmë engjëjt janë në shtrat. E pyeta se çfarë bën ai kur engjëjt flenë? -Unë... ? Unë i ruaj ata, në fakt unë e ruaj vetëm një. vijon

(Kosova Sot)