< Ngjarje e vërtetë: Dua të më duash (1) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vėrtetė: Dua tė mė duash (1)

Ngjarje e vėrtetė: Dua tė mė duash (1)

E kam dashuruar shumë, e dua dhe tani dhe do ta dua përgjithmonë…Gjatë të gjitha kohërave dhe në të gjitha gjuhët do ta dashuroj. Më kujtohet dita kur për të parën herë e pashë: e bukur, plot vetëbesim si asnjë femër më parë të cilën e kisha takuar. Dhe, po: ishte me burrin e saj. E njihja që më herët, i rregulluar, zotëri i edukuar, gjithmonë i sjellshëm dhe i këndshëm. E ajo? Atë e pashë për të parën herë. Dhe, më ka mbetur në mendje përgjithmonë. As që mundja të imagjinoja për 'diçka më shumë' me të, pasi që ne ishim takuar vetëm gjatë një pike rrotullimi të kohës: në vendin e punës. Por, ky nuk ishte ndonjë zanat aq interesant, për shembull, mjek, e as vendi i duhur për t'u takuar, ndonjë zyrë e avokatit, asgjë e tillë dhe as romantike. Në fakt, unë po punoja në mishtore. Nuk mund ta quaj veten 'kasap' ashtu si në fakt njerëzit edhe më shikojnë, pasi që edhe mua ma përkujton 'masakrën e Teksasit me sharrë', por ja që po e zbus pak - 'punoj në mishtore'. Ishte një punë e mirë kjo dhe me leverdi, paguhej mirë e unë nuk isha ndonjëri prej atyre që jepte shpirtin për bankat e shkollës. Dhe po, kisha sukses edhe me femra. Dhe kurrë, së paku deri atëherë, karshi femrave, nuk kisha ndier inferioritet shkaku i punës me të cilën merrem. Për këtë zanat timin, një ditë ankohem shkaku i orëve që ikja prej mësimit derisa shokët e mi pandërprerë mësonin dhe përgatiteshin për provime, por kush më ka mua faj kur përnjëherë shkaku i një gruaje ndiej inat apo turp për zanatin tim. Ndiej keqardhje...., por kush më ka faj, askush, vetja ime. E kam vlerë- suar se ishte disa vite më e moshuar sesa unë. I mbante vitet ashtu siç i mbante një grua me vetëbesim, e kënaqur me veten dhe vitet e saj. As që po tentonte të dukej si një adoleshente. Vetëm dëshironte të dukej bukur dhe po ia arrinte qëllimit këtu. Ishte shumë e qartë se do ta takoj vetëm atëherë kur të jetë e kënaqur me shërbimin. Përndryshe, unë po mundohesha ta bëja një gjë të tillë. Rrallëherë vinte pa burrin e saj. Kryesisht ishin bashkë. Ai do t'i mbante qeset, e ajo paguante. Gjatë gjithë vitit, vetëm njëherë jemi takuar në rrugë. Më buzëqeshi dhe më përshëndeti me kokë. Mendoj se më përshëndeti, por ndoshta as që më kishte njohur pa mantelin tim të bardhë. Nuk ia pashë për të madhe. Pse një femër kaq e edukuar, e cila thonë se ka një pagë të majme, do ta njihte një kasap? Kush isha unë për të? Ndoshta kisha pagën e një kamerieri, taksisti… dikush që njihet për nga profesioni i tij e jo për nga emri. Dhe, të harron porsa ta kryejë pagesën dhe ia kryen shërbimin. - Koha po kalonte. Isha i vendosur në shtëpinë pranë shitores. Unë po qëndroja dhe pothuajse atë e kisha harruar. Nuk po shpresoja më për të, se do ta takoja apo...? Nëse e takoja, vetëm e dashuroja dhe e shikoja, këtë së paku mund t'ia lejoja vetes time. Rrallëherë po e takoja, po më mungonte shumë. Asgjë më nuk kishte kuptim, që nga momenti kur nuk e kisha takuar. Sa herë që hapej dera, unë ktheja kokën me nguti me të vetmen shpresë, se ajo do të ishte femra që do ta hapte atë derë dhe do të futej brenda. Më në fund, kjo edhe ndodhi. Për pak sa nuk rashë nga gëzimi në tokë. Goja më ishte bllokuar dhe as që mund ta kontrolloja veten time, edhe pse e dija se dukesha si mos më keq. Atëherë, thellë në sytë e saj, vërejta diçka që deri atëherë nuk e kisha vërejtur kurrë. Pikëllim dhe vetmi. Apo ndoshta mua po më dukej ashtu. Atë shikimin në sytë e saj, si shpresën më të madhe e kam kërkuar edhe më vonë, sa herë që vinte dhe kërkonte një shërbim. Ishte aty. Nuk po mendoja fare. Dëshiroja ta përqafoja, ta ngushëlloja, t'i them se dashuroj e le të shkojë rrugës së vet. E unë do të shkoja pas saj. /vijon/

(Kosova Sot)

1 orë e 38 minuta më parë