Ngjarje e vërtetë: PËR TY Pjesa (2)

  • 11 November 2017 - 14:00
Ngjarje e vërtetë: PËR TY  Pjesa (2)

Përreth meje ekziston vetëm ti! Tash rri ulur në dhomë dhe ta shkruaj këtë, shikoj vërdallë. Shikoj trëndafilat e venitur, kornizën me foton tonë, fotografia jote, plot zemra nëpër shtrat, dy arusha që lirojnë aromën tënde, e më pas kujtimet. Sa herë jemi shtrirë në këtë shtrat në dhomën time, të përqafuar, të dashuruar, shikonim filma, flinim, ledhatoheshim, hanim pica, fjaloseshim, ishim të pikëlluar, të lumtur. Sa herë kam qëndruar e shtrirë në këtë shtrat dhe gjithë natën e kam kaluar duke biseduar me ty në telefon, me orë e me orë, e kurrë nuk mërziteshim. Sa herë ke fjetur në shtratin tim, me lot në sy, por me buzëqeshje. E më pas më kujtohen edhe shumë momente të tjera që i kemi kaluar së bashku. Kudo që shëtis, kaloj, kujtoj diçka nga ne, disa nga budallallëqet tona, buzëqeshjet. E më pas e pyes veten time nëse do të kem me dikë tjetër atë që kisha me ty? A do të bëjmë ndonjëherë diçka për dikë tjetër në krahasim me atë që kemi bërë për njëri-tjetrin? Vetëm kujtoje atë nëpër të cilën kemi kaluar dhe gjithçka që kemi bërë për njëri-tjetrin. Ia kemi dalë t’i mposhtim pengesat të cilat dëshironin të na ndanin. Të gjithë i kemi mposhtur, ishim njëri pranë tjetrit, kemi luftuar për dashurinë tonë. Pse u ndalëm pra? A mos vallë i ke harruar ato momentet më të mira, ditët tona më të bukura? Njoftimin tonë, puthjen e parë, për të parën herë më the se më dashuron. Të kujtohen thirrjet telefonike, bisedat, a të kujtohet dimri kur të thash se të dashuroj, ditëlindja jote dhe imja, kinemaja, dita e të dashuruarve, parkingu, hera jonë e parë... A mos vallë i ke harruar ato fjalë, premtimet, planet, imagjinata. Ku humbi ajo përgjithmonë? Ku humbi ajo se më dashuron më së shumti në botë dhe se nuk e kam idenë sa kam vlerë për ty? Ku mbeti fjala se unë jam ajo që kurrë nuk dëshiron ta humbasësh? Ku mbeti premtimi se nuk mundesh ta imagjinosh veten pa mua? Ku humbi ajo dashuri, lumturi, argëtim, dashuri? E gjithë kjo humbi për disa ditë? Nëse është ashtu, atëherë nuk ka qenë dashuri. Sepse dashuria nuk humbet për një moment. A do ta dashurosh dikë sikur mua? A do ta shikosh , puthësh, përqafosh dikë sikur mua? A do të vajtosh për dikë tjetër? A do të kesh me dikë tjetër mbrëmjet që i kishe me mua, të veçanta, me dashuri e plot pasion. A do të mundet dikush të buzëqesh kur ishe më i pikëlluari? A mundet të jetë dikush shoqja jote më e mirë, të flasësh me të për gjithçka të jetë edhe shoqja dhe e dashura jote? A do ta gjesh ndonjë vajzë e cila do jetë me ty sa herë të kesh nevojë, e cila do të dashurojë sikur unë dhe do të ofrojë krejt atë që ta kam ofruar unë? Ndoshta, ndoshta një ditë... Por, jo së shpejti dhe vetë e di ti këtë. Ja, tashmë kanë kaluar tre muaj që nuk jemi bashkë, mjaft kohë e gjatë. Në fillim e kisha më vështirë, por as tani nuk e kam më të lehtë. Që nga momenti kur ke shkuar gjithçka ka marrë drejtimin e kundërt, asgjë e bukur nuk po ndodh, asgjë nuk mundet të më bëjë të buzëqesh, të më disponojë... 

(Kosova Sot)