Ngjarje e vërtetë: Zemra e hidhur (4)

  • 03 December 2017 - 15:11
Ngjarje e vërtetë: Zemra e hidhur (4)

Gëzimi im u tret. Ai u zëvendësua nga shqetësimet rreth kujtimeve të hidhura. Doja që të ndihesha si më parë, kur edhe gjërat e imëta kishin domethënie të madhe për mua. Edhe vitin e kaluar nuk e kisha askënd. Ishte një i huaj ai që te unë shkaktoi eksitim. Dhe, zemra ime e uritur dhe e paduruar më futi në kurthin e poshtërimit dhe pikëllimit. Dashuria për mua më nuk kishte domethënien e njëjtë si më parë. Doja të hyja në kafene, por hamendesha. Mbeta si e shtangur kur pashë të njëjtin njeri të huaj nga autobusi, i cili ia kishte dalë të më nxirrte nga dëshpërimi im i hidhur. Por, tani nuk kisha disponim të ngjashëm sikur atëherë në autobus. Zemra më rrihte gjithnjë e më fort. Ishte ulur afër dritareve. Afër tij ishte një femër e bukur. Mu në momentin kur e shikova, dora e tij u zgjat dhe e shtrëngoi dorën e saj. E, unë e shtrëngova çantën. Si mund të mendoja që ai do të mund të ishte ndryshe nga Joni, se do të mund të ishte më i mirë? Më pa dhe ma dha një shikim të njëjtë me herën kur më pa në autobus, sikur donte të thoshte se takimi ynë i rastësishëm ishte ngjarja më eksituese në jetën e tij. Si mundej atëherë ta mbante dorën e një femre tjetër aq ngrohtë dhe butë?! Tanimë kisha vendosur të largohesha, por krenaria më shtynte të hyja brenda. Unë i kisha borxh atij. Në të vërtetë, jo aq shumë, por megjithatë do t’ia kthej paratë, do t’i falënderohem dhe përsëri do të zhdukem në botën time të vetmisë. U ngrit dhe më priti përzemërsisht. Unë jam Krenari, shpëtimtari juaj – më tha duke buzëqeshur. — Kë duhet ta falënderoj për ardhjen tuaj? - A harruat se unë jam Hana? Borxhliu juaj i madh? – i thashë edhe unë duke buzëqeshur. Ai ia bëri me kokë kah femra. - Hana, kjo është motra ime e vogël! Motra e tij? Sërish ndjeva zili kur pashë buzëqeshjen e saj të përkryer. - E di, vëllai im të ka dhënë ty diçka që mua kurrë nuk ma ka dhënë – më tha ajo duke buzëqeshu. — Të ka dhënë para! - E dija se Hana do të m’i kthente paratë. Kurse nga ti kurrë nuk mund ta pres një gjë të tillë – iu përgjigj ai. Përnjëherë më shikoi me sytë e tij plot ngrohtësi dhe shkëlqim. U ktheva dhe pashë një të ri duke iu afruar tavolinës. - Shihe, shihe ti vëllain tim! – tha motra e Krenarit. – Ky kurrë nuk harxhon pa menduar tepër mirë! - Përshëndetje, Tomor! Argëtohuni mirë ti me Lean – i tha Krenari, duke bërë me dorë nga e motra. Kur ata dy u nisën nga dalja, vetëm atëherë pashë se Lea, motra e Krenarit, kishte këpucë ortopedike dhe se çalonte. E kaluan rrugën dhe hynë në veturë. - Ka pasur një fatkeqësi trafiku para një viti — më tha Krenari pasi që hetoi se unë e shikoja atë. – Ia shpëtuan këmbën, por fatkeqësisht, ajo do t’i mbetet përgjithmonë më e shkurtër. - Duhet të jetë tepër trime – thashë unë me një dozë frike. - Ka qenë trimëreshë dhe vazhdon të jetë e tillë. Një vit më parë dukej sikur i kishte ardhur vdekja. Tenisi dhe noti ishin thuajse tërë jeta e saj. Dukej se atyre iu kishte ardhur fundi. Pyetesha se a i kishte ndihmuar edhe ai farë Tomori që ta tejkalonte këtë krizë. Më dhimbsej Lea e gjorë derisa e shihja sesi Tomori i ndihmonte të hynte në veturë. Ai e puthi para se ta mbyllte derën, dhe u ngut që vetë të hynte nga ana tjetër. - Takimet me Tomorin janë pjesë e ushtrimeve të saj të vetëbesimit – më tha me qetësi Krenari. – Me të takohet si edhe para fatkeqësisë. Përnjëherë nga fytyra e tij u zhduk pamja serioze. Përsëri më buzëqeshi. - A je për kafe, Hana? Apo të pimë diçka para se t’ua nisim punëve serioze të larjes së borxheve? – më tha duke ma bërë me sy. — Mos beso në atë që tha motra ime rreth meje dhe parave. Unë qeras me zemër! Buzëqesha derisa e shikoja sesi shkonte deri te banaku. E dija se dhembja dhe poshtërimi tani i takonin së kaluarës. Gjithçka që më kishte bërë Joni ishte e kaluar dhe përgjithmonë e mbyllur. Përsëri fillova të besoja në gjithçka që dikur dashuria donte të thoshte për mua. Krenari u kthye me dy kafe të nxehta. Faqet e mia ishin bërë të kuqe all, derisa ai më shikonte me një respekt të madh. Kisha shkuar për t’ia kthyer borxhin, por ai nuk e dinte se borxhi im karshi tij ishte shumë më i madh. Ai nuk e kishte idenë se sa më kishte ndihmuar që ta ktheja besimin te vetvetja. Parandieja se do t’ia ktheja borxhin në tërësi për ndihmën që ma kishte ofruar dhe se, kësaj here, zemra ime nuk kishte gabuar. 

NGA NESËR DO TA LEXONI TREGIMIN TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË “PËRRALLA E DASHURISË”

(Kosova Sot)