Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (29)

  • 05 December 2017 - 12:24
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (29)

KAPITULLI I NJËZETENËNTË

Mbrëmjen e tretë u grindën. Ganja rrinte shtrirë në vaskën e madhe të hotelit dhe i ishte lëshuar ujit të ngrohtë dhe muzikës, e cila vinte nga altoparlantët e fshehtë. Milaimi priste në barin te recepsioni, për të dalë për të shëtitur, e më pas edhe për darkë në një restorant të shkëlqyeshëm që gjendej afër, të cilin e kishin “zbuluar” ata. Aq shumë e kishte relaksuar uji, saqë Ganja kishte harruar sa ishte bërë koha. Kur zbriti te bari, pa se e priste Milaimi, i tëri i skuqur në fytyrë. – Tani do të darkojmë këtu në hotel dhe, më pas, do të ngjitemi lart dhe do të flemë. – Pse? Çka ka ndodhur? – A edhe po më pyet, a? Ka një orë që të pres këtu si qyqe. Pres që princeshës t’i zbutet zemra dhe të zbresë poshtë. – Më fal, isha habitur e tëra. Isha në vaskë dhe nuk e kisha idenë se sa ishte bërë ora. Ja, do të shpaguhem me puthje. Ajo deshi që ta puthte, por ai e shtyri me aq forcë, sa që recepsionistët filluan t’i shikonin me habi. Tani edhe Ganja ishte e zemëruar. – Pse më shtyve? – Nuk mundesh t’i zgjidhësh të gjitha kaq lehtë. Të paktën, jo me mua. – Kjo nuk është arsye që të sillesh si një rrugaç. Po shkoj në dhomë. – Të hamë darkë së pari. – Nuk kam uri më. Ajo u ngjit lart në dhomë dhe filloi të qante. Pas martesës, Milaimi sillej sikur ajo të ishte pronë private e tij. Nuk mund të besonte se kishte vetëm tri ditë martesë dhe se i kishte rënë kaq shumë pishman se ishte martuar. Milaimi erdhi pas nja dhjetë minutash. U ul në shtrat afër saj dhe filloi t’ia lëmonte flokët. – Më fal, zemër, u nguta, nuk doja që të isha aq i ashpër ndaj teje. Por, ti e di se unë jam gjithnjë i qetë dhe i durueshëm. Por, ndonjëherë ndodh që të më ik durimi dhe të shfryhem në momentin e gabuar. Hajde të ndreqemi, të lutem. Do të dalim në darkë, në shëtitje dhe do t’i harrojmë të gjitha. Në atë moment Ganja më me dëshirë do t’ia kriste shpullë, por e dinte se nuk kishte rrugëdalje tjetër. Ishte vonë për gjithçka. Ishte martuar me të dhe e vetmja gjë që mund të bënte ishte që të mundohej që ajo martesë të ishte sa më pak e vështirë. Për këtë shkak edhe ia fali.

KAPITULLI I TRIDHJETË

Problemet e vërteta filluan vetëm pasi që u kthyen në shtëpi dhe ia filluan jetës së vërtetë bashkëshortore. Së pari, Milaimi insistonte që banesën e saj ta lëshonin me qira, gjë që Ganes nuk i pëlqente si ide, meqë aty kishte shumë kujtime dhe gjësende të dashura për të, të cilat, për shkak të mungesës së hapësirës, nuk mund t’i merrte në shtëpinë e re. Në fund u dorëzua dhe në banesën e saj u vendosën dy studente nga brendësia e vendit. (vijon) 

(Kosova Sot)