Ngjarje e vërtetë: Edhe kjo quhet dashuri (1)

  • 06 December 2017 - 12:21
Ngjarje e vërtetë: Edhe kjo quhet dashuri (1)

E mërzitur, rrija shtrirë në shtrat. Më duket se ashtu kisha qëndruar me ditë të tëra. Sikur të mos lodhesha nga uria, me gjasë nuk do të ngrihesha kurrë. Nëpër dritaren e hapur nuhasja aromën e mbrëmjes së qershorit dhe, për një moment, qesha me zërat e fëmijëve që vraponin rreth ndërtesës. Shkova në kuzhinë, e qita ujin për kafe dhe, me kënaqësi thitha tymin e cigares. Sa kishte që nuk kisha pirë duhan? Sa kishte qyshkur ishte larguar Uka? Dy ditë. Dola në ballkon për ta pirë kafenë. Jetoj në periferi, por edhe këtu tani është mbushur me banesa. Ishte evidente se fëmijët rriteshin, duke u bërë çapkënë të vërtetë të “shehrit”, sikur që thoshim dikur. Më pas u dëgjua zëri i një gruaje që i thërriste fëmijët të darkonin. Fëmijët u ngritën nga trotuari dhe ikën me vrap. Të gjithë shkuan te ai djali, ku morën vesh se ishte bërë gati darka. Kështu do të mund të fillonte tregimi për ne të dy... Uka dhe unë ishim më të vegjlit. Jetonim në shtëpi, në mes të qytetit. Ai kishte një fat sikur timin – ta rriste gjyshja. Ato dy gjyshe ishin tërë ajo që kishim Uka dhe unë. Shkonim në të njëjtën shkollë, me këpucë të grisura, por ecnim me kokën lartë. Rrinim ulur ashtu, në trotuar, duke biseduar, derisa gjyshja ime, apo e tij, bërtiste se darka ishte gati. Atëherë hynim brenda dhe hanim duke qeshur. Natën, rrugët dhe qyteti bëhej i yni. Me kalimin e kohës, hymë në një botë të re, në një botë të njerëzve të rinj, me fitime të lehta, me tym të cigares, me rrena dhe mashtrime. Shihnim sesi femrat shiteshin për një natë, sesi njerëzit humbnin shtëpitë dhe banesat për një gabim të vogël. Shikonim se sa shumë para kishin njerëzit. Vetëm atëherë bëhemi të vetëdijshëm që ne hamë bukë e djathë, bartim njërin xhemper derisa tjetri të teret dhe mësojmë në dhomë të ftohtë derisa të vinte koha për të shkuar në shkollë. Një natë nëntori pimë cigaren e parë. Vjedhim molla në pazar, rroba në pazarin e rrobave. E, në shkollë e tejkalojmë edhe veten tonë. Vetëm nga ne varet a do të bëhemi dikush dhe diçka në jetë, se a do të kemi sukses. Për fat, ne e kuptuam këtë me kohë dhe dhamë çdo gjë nga vetja. Rruga na kalitë, na i hapë mundësitë, por nuk na merr në tërësi nën mbrojtjen e vet. Shkolla na jep shpresë për një të nesërme më të mirë, kurse gjyshet na ofrojnë siguri, dashuri dhe strehim. Uka ishte bërë një çapkën i vërtetë, i cili nuk linte dy gurë bashkë. Vjen në shtëpi me pak para, troket në dritaren e dhomës sime dhe pëshpëritë: - Lëri këto para diku, bëj edhe detyrat e mia të shtëpisë, meqë nuk do të mund t’i bëj. Dhe, më thirr në orën pesë, kam provim nesër... Në të njëjtën kohë ai u bë edhe një djalosh shumë i pashëm. Vajzat çmenden pas tij, e ai sillet si një mashkull i vërtetë: i mashtron, e më pas zhduket. E, unë isha bërë njëra ndër vajzat më të bukura në qytet. Por, kush e merrte guximin që të më vardisej, më pas largohej me shpejtësi. I pengonte që dilja pa të, që kurrë nuk kam shumë kohë, ishte tepër xheloz në Ukën, apo thjesht, nuk i takonte botës sonë. - Përsëri të la ndonjë idiot, a? – më pyeti njëherë Uka. – Lëre, moj! Askush nuk të meriton ty! Çka ia merr mendja atij, se është ndonjë bukurosh? Ti je më e bukur, Kaltrina... Dhe, kështu ishin jetët tona. Uka mblodhi ca para, në mënyrë që, pas mbarimit të shkollës së mesme, të siguronim diçka për vete, meqë nuk kishim ndërmend të shkolloheshim më tej. U punë- suam me qëllim që t’iu ndihmonim gjysheve. Uka e mësoi gjermanishten, në fillim me disa probleme, e më pas e dinte “ujë”. (VIJON) 

(Kosova Sot)