Roman dashurie: Atherë kur më së paku e pret (36)

  • 12 December 2017 - 13:14
Roman dashurie: Atherë kur më së paku e pret (36)

Nuk e dinte as që i ishin dashur dhjetë minuta për të vendosur, të hynte, apo të mos hynte. Vetëm pasi që hija e tij i ra përmbi, kuptoi se ai ishte aty.

- Është e lirë?

- Natyrisht, ulu. Atmosfera romantike bëri që sërish para vetes të shihte atë mashkull, i cili para shumë vitesh në një kafene i kishte ofruar pije, në shenjë të kërkimit të faljes për shkak të sjelljes së djalit të ri, anëtarit të ekipit të tij. E edhe ajo vetë ishte ndier sikur të ishte e re dhe e pëlqyer, sikur atëherë. - Gjithmonë kur të shoh në ndonjë kafene dhe restorant, ti je e vetme.

- Edhe unë po ashtu mendova.

- Ende nuk ke shkuar në shtëpi?

- Nesër do të shkoj. Për këtë shkak vendosa që ta qerasja veten.

- Kam vërejtur se, kohëve të fundit, preferon goxha shpesh ta qerasësh vetveten. Ajo u skuq, meqë e dinte se në çka aludonte ai - në atë natën kur kishin bërë dashuri për herë të parë. Megjithatë, nuk i vinte keq që e përmendte atë ngjarje, bile i dukej edhe interesante.

- Po, duket se është kështu.

- Sonte dukesh për mrekulli, Gane! Ajo e dinte këtë. Ishte ndrequr deri në maksimum, sikur rrallëherë më parë.

- Faleminderit!

- Më thuaj, a ke menduar gjatë këtyre viteve se ke gabuar në lidhje me mua, se ke mundur të veproje ndryshe?

- Prej ku të erdhi kjo pyetje?

- Do të doja të më përgjigjeshe. Kjo më mundon kaherë, ma lehtëso këtë barrë.

- Po, mendoj se kam gabuar, por më së shumti kohët e fundit.

- Pse kohët e fundit?

- Nuk e di. Me ty gjithmonë e kisha ndjenjën se ishte vonë. Çdo herë dukej se nuk kishte kohë të të jepja shans që të më lëndoje, apo të më doje. Shumë herë të kam hequr nga koka, me arsyetimin se ishte bërë vonë për gjithçka.

- E di, këtë e kam dëgjuar disa herë.

- Dhe, atëherë kur me të vërtetë u bë vonë për gjithçka, kuptova se kisha gabuar - E, kur u bë vonë për gjithçka?

- Kur të pashë me grua dhe me fëmijë. Ai buzëqeshi.

- Po, me gjasë edhe unë kam menduar asokohe se ishte vonë dhe se nuk kishte gjasë për ne. E shikonte se si e sillte shpuzoren, që gjendej para tij. E donte dhe këtë gjë e hetonte aq fort, sikur përsëri të ishte në ato vite kur është krejt normale që të dashurohesh dhe kur të duket se jetën e ke përpara. Kjo i jepte guxim që t'ia bënte një pyetje jo të rëndomtë:

- Dren?

- Urdhëro?

- Çka mendon kështu? E ngriti shikimin. Në sytë e tij të kaltër nuk mund të lexonte asgjë, por shihte butësi, vuajtje dhe pak buzëqeshje, njëfarë ndjenje të përbërë nga shumë ndjenja të tjera.

- Çka mendoj tani?... Pyetje e vështirë, kjo.

- A mendon se është vonë? - Nuk e di... me të vërtetë nuk e di. Nuk ishte e kënaqur me përgjigjen. Por, fakti që ai ishte afër saj i mjaftonte që të ishte e lumtur. Nuk donte të kërkonte asgjë nga ai, mendonte se nuk kishte të drejtë. Për këtë shkak nuk insistoi për një përgjigje përfundimtare. (vijon)

(Kosova Sot)