Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (5)

  • 21 December 2017 - 12:07
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (5)

KAPITULLI I DYTË

Pas mbledhjes së mëngjesit, Kujtimi u nis kah vetura. Donte që të shkonte sa më parë në shtëpi. Por, dëgjoi se e thirrën.

- O Kujtë, kah kështu? A s’do ta pimë nga një kafe, a?

Ishte Ramizi, një doktor që, sikur edhe Kujtimi, ishte në specializim në psikiatri, por për dallim nga Kujtimi që kishte vetëm edhe disa muaj për ta përfunduar specializimin, Ramizi ende nuk kishte një vit që e kishte filluar. Ai kishte flokë të zezë, të dendur, një shtat të mesëm dhe duar të trasha e të forta fshatari. Në buzën e epërme e kishte një vragë, me gjasë nga ndonjë lëndim i vjetër prerës, prandaj gojëkëqijtë e quanin ndonjëherë prapa shpine edhe “doktor buza”. Miqësia e tij me Kujtimin me gjasë kishte filluar për shkak se ky i fundit, për dallim nga “shehërlinjtë” e tjerë, më shumë favorizonte Partinë Demokratike të Kosovës – PDKnë, sesa Lidhjen Demokratike – LDK-në. “Nëse na duhet të zgjedhim midis dy të këqijave, unë përcaktohem për të keqen më të vogël – PDK-në”, thoshte Kujtimi. Por, ai nuk ishte anëtar i asnjë partie politike.

-Valla, nuk e di, bre Ramiz! Hajt, s’po ta prishi. I shoqëruar nga shoku i tij, Kujtimi u nis kah kafeneja e afërt. U ulën jashtë.

- Edhe pse hiç nuk po i bëjnë kafet e mira këtu, por nejse! Më larg nuk më shkohet.

- Hajt bre Kujtë edhe ti! Kafe hesapi! Nuk vonoi shumë pasi u ulën dhe kamerieri ua solli kafet. Ai e dinte si i donin.

-Hej, këtë pranimin që e kishe bërë...Këtë djalin... Kujtimi nuk bëzante. Shikimin e kishte të fiksuar në ajër.

-Kah i ke çue mendtë, bre njeri?! -Më fal Ramiz, jam lodhë nga kujdestaria. Nuk kam shti gjumë në sy. Nuk të dëgjova, çka the? -Këtë pranimin që e kishe bërë...

-Po, bre. Gjynah i madh! Djalë i ri! Më dhimbset kur mendoj se, sipas të gjitha gjasave, do të përfundojë sikur këta pacientët kronikë, për të cilët thuajse nuk mund të bëjmë asgjë. Derisa fliste, Kujtimi vërente se Ramizi donte t’i thoshte diçka tjetër.

-Po, de! Por, kjo që the për të Martet. Kjo më bëri përshtypje. -As unë valla kurrë nuk kisha dëgjuar për një deluzion të këtillë. Çka mund të jetë... eksternalizim, lokalizim i së keqes... Për momentin e kam kokën shumë të lodhur që të gjej ndonjë shpjegim më bindës.

-Unë kam dëgjuar për këtë. Për të Martet! Fytyra e Ramizit përnjëherë mori një pamje shumë serioze. Por, si duket Kujtimi nuk e vërejti këtë. -Mos po mendon për ato aktoret skandinave të filmave pornografikë, që i shikon. Marta, Brigita...

-Po të të dëgjojë dikush, do të mendonte se me të vërtetë unë nuk bëj asgjë, pos që shikoj filma porno.

-Pse, a nuk i shikon, a? Edhe duart plot kallo i ke... sidomos të djathtën. -Shihe shehërlinë – “kallo”! Unë jam burrë i martuar, mos harro! “Kallot”, që thua ti, i kam nga puna...

Autor: H. B. I. 

(Kosova Sot)