Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (8) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (8)

Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (8)

Frymën ia zinte era e rëndë e djersës së saj. Kjo e habiti, meqë Tina me të vërtetë shpesh i linte të tjerët pa frymë, por për shkak të erës tepër të fortë të parfumit, e jo të djersës. Mezi merrte frymë. Tina përnjëherë pushoi së buzëqeshuri dhe, pas një momenti të qetë- sisë, gjatë të cilit marrëzia e saj u zëvendësua me një shprehje tjetër, që reflektonte një kombinim të dhembjes, pikëllimit dhe epshit, ajo bashkoi buzët e saj tepër të lagështa, bile të neveritshme, të ndyta, me buzët e tij. Tani me të vërtetë iu duk sikur do të ngufatej, do të vdiste.

- Aaaaaaaaaa... Ishte zëri i vet ai që e zgjoi nga gjumi. Shumë shpejt iu afrua Sabrina, natyrisht, bashkë me Donikën.

- Kujtim, a je mirë? Çka pate? A ndonjë ëndërr të keqe, a?

- Mirë jam, mirë! Oh... Po... ishte një ëndërr e keqe, më duket!

- Babi, a do një gotë ujë?

- Jo... nuk e di!

- Po, po, ja tani ta sjell! Sabrina ia preku ballin dhe menjëherë reagoi.

- Po ti paske edhe më shumë temperaturë tani! Po ta sjell edhe paracetamolin! Papritmas filloi që t'i errësohej shikimi. Nuk pati fuqi ta thërriste askënd. I ra të fikët. x x x

- Hë, doktor! A u zgjove, a? Sapo e pa e njohu. Ishte një infermier i Qendrës Emergjente, të cilin e kishte parë shpesh, por emrin nuk ia dinte.

- Po... A për këtu qenkam bërë, a?

- Jo, bre doktor! Mirë je! Me gjasë për shkak të kujdestarisë jeni lodhur pak. E, të kishte rënë shtypja. Pastaj edhe ndonjë grip me gjasë... Zakonisht Kujtimin e nervozonte kur të tjerët i drejtoheshin herë me "ti", e herë me "ju", jo për ndonjë gjë tjetër, por për shkak se këtë e konsideronte si mangësi të pafalshme të të shprehurit. Kishte hasur aq shumë njerëz që nuk përdornin këtë rregull gramatikor ashtu si duhej. Por, kësaj here nuk ndjeu zemërim, e as nuk tha gjë.

- Kush më solli këtu?

- Gruaja juaj, doktor, ja te dera janë të gjithë, iu thashë të prisnin aty, e di, për shkak të fëmijëve. Ja, menjëherë po i thërras! Provoi të çohej, por ndërroi mend, pasi që sapo e lëvizi kokën, ndjeu një marramendje të cilën nuk e kishte përjetuar ndonjëherë më parë.

- "Çka hamamin më gjeti?", mendoi Kujtimi me vete. Sikur edhe mund të pritej, të parët në dhomë hynë Dida dhe Riki. Donika i kishte sytë e skuqur, por ishte Rinori ai që foli i pari.

- Babi, a je mirë? Çka ke kështu? Na ke frikësuar!

- Mirë jam, djali im! Hajdeni, hajde Didë, zemër, çka të janë skuqur sytë? Sabrina dhe Kujtimja tanimë po ashtu gjendeshin në dhomë, me një shprehje të shqetësuar në fytyrë. Gruaja iu afrua dhe ia kapi dorën, derisa Kiki ia dha një puthje të lehtë.

- Të kam thënë njëqind herë, mos kujdestaro kaq shpesh! Le të kujdestarojë kush të dojë!

- O, nuk e kam për kujdestari, oj Sabi. Nuk e di, ndoshta kam ndonjë grip...

- Kurrë nuk të ka ndodhur kjo!

(Kosova Sot)

2 orë e 34 minuta më parë
22/06/18