Ngjarje e vërtetë: Si i tregova burrit se djalin nuk e kisha me të (6)

  • 28 December 2017 - 12:55
Ngjarje e vërtetë: Si i tregova burrit se djalin nuk e kisha me të (6)

- Ndoshta burri yt është i marrë. Ndoshta është naiv, apo ndoshta të do aq shumë saqë nuk dëshiron ta dijë të vërtetën. Të gjitha këto janë probleme të tij. Unë e dua djalin tim, me apo pa ty. Kjo është e drejtë e imja! - bërtiti ai.

- Ku ishe dhjetë vjet më parë? Kur më kërkoi gruaja jote, i premtova vetes se nuk do të të takoja më. Edhe sikur të doja të të tregoja rreth shtatzënësisë, nuk mundja, meqë ti ishe zhdukur. Agimin e takova rastësisht. Më mori nga qyteti dhe ma shpëtoi fytyrën. Është burrë dhe baba i mirë, nuk mund ta lëndoj, e dua dhe e respektoj tepër shumë.

- Do të shohim a do të zgjasë kjo dashuri edhe pasi që, me rrugë gjyqësore, do të kërkojë dëshmimin e atësisë

- Dini nuk dorëzohej. Ndoshta ishte i ofenduar pse e kisha refuzuar ofertën e tij. Nuk doja t'i tregoja se sa më kishte frikësuar. Për shkak të mëkatit të vjetër vendosa, nuk do ta humbja familjen.

- Edhe nëse ia del që të më ndash nga Agimi, te ti nuk do të kthehem kurrë. As Lumin nuk do të ta jap. Më së miri do të ishte sikur ta harrojmë këtë bisedë - i thashë. U ndamë në mënyrë të ftohtë, krahas kërcënimit të tij se kurrë nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij. Këto pushime verore me të vërtetë më dolën mbi kokë. Mezi prisja të kthehesha në shtëpi. Kur u ula përfundimisht me Lumin në veturë, ndjeva lehtësim. Por, Dini nuk më linte të qetë. Ankthi i vërtetë filloi menjëherë pas thirrjes së tij të parë. Më thërriste disa herë në ditë. Më kërcënohej se do të vinte dhe të gjitha do t'ia tregonte burrit tim. Më së shumti kisha frikë se mos ma merrte Lumin, gjë që ai edhe ma thoshte. Dridhesha pas çdo cingërime të telefonit. Kur paraqitej Agimi, Dini e mbyllte telefonin.

- Po shoh se diçka po të mundon. Prej se je kthyer nga verimi, disi je e shqetësuar dhe e brengosur. Të shoh sesi të kaplon stresi sa herë që cingëron telefoni. Pse nuk më tregon për çka bëhet fjalë? Do ta zgjidhim bashkë këtë problem - më tha Agimi një ditë. E kisha vështirë t'ia filloja, por megjithatë ia tregova të gjitha. Gjatë asaj gjysmë ore të monologut tim isha përgatitur edhe për më të keqen, por burri im kishte të drejtë që ta dinte të vërtetën.

- Si mund të më thuash se Lumi nuk është djali im? Ai ka mundur të ngjizej edhe nga epruveta, nga sperma e ndonjë mashkulli të cilin as që e ke parë ndonjëherë. Dhe, i kujt do të ishte djali atëherë? I yni, sikur që është edhe tani. E, kush mund t'i bëhet atij prind përpos ne të dyve? Bëre mirë që më tregove. Herën tjetër kur të telefonojë ai farë Dini, ma jep mua që të flas me të - më tha ai. Më preku reagimi i tij dhe e dija se ishin të paktë ata meshkuj që do të reagonin në atë mënyrë. Pasi që ia tregova të gjitha, tani kisha më shumë frikë nga reagimi i Dinit. Kjo bisedë më bëri që të mendoja seriozisht edhe për një fëmijë të dytë, edhe pse i kisha kaluar mirë të tridhjetat. - Pse jo? Ky quhet planifikim i familjes! Fëmija është i dëshiruar, e prindërit, të rregulluar në aspektin emocional dhe financiar - më jepte kurajë gjinekologu im. Edhe Agimi e mbështeti dëshirën time. Kur pas nëntë muajsh lindi Flutura jonë, ai vazhdimisht rrinte në shtëpi. Vajza jonë vetëm sa na e forcoi martesën. Burri kurrë nuk më pyeti më a kisha folur me Dinin, por ky i fundit hoqi dorë nga kërkimi i djalit. Ndoshta megjithatë kuptoi se vetëm sa do t'ia merrte të birit babanë e vetëm që kishte njohur ndonjëherë. Dhe se, duke e ndarë nga familja, do ta bënte të palumtur për tërë jetën. FUND

NGA NESËR MUND TA LEXONI TREGIMIN TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË “E DONTE ALKOOLIN MË SHUMË SE FAMILJEN”...

(Kosova Sot)