Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (14)

  • 30 December 2017 - 14:17
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (14)

- O vllazni. Me siguri jeni tu menue se Milazimin e paskan lan mendtë. Koka tranue! Nashta edhe më kanë lënë këto të shkretat mend. Por, pasi mendova shumë ditë e shumë net, vendosa që të martohem edhe një herë. Mu kujtue nëna ime e shkretë, e cila më kishte rritë me shpirt në fyt. Të gjithë fëmijët e tjerë i kishin pas vdekë. Disa prej tyre ishin më të vegjël se unë dhe, diqysh si nëpër mjegull, më kujtohen ndonjëherë. "Biri im", më pat thënë kur ishte në shtratin e vdekjes, "amanet po ta lë që të martohesh dhe ta mbushësh shtëpinë plot me fëmijë. Kurrë mos thuaj se u bënë tepër. Fëmijët kurrë nuk janë tepër. A po e sheh, unë dhe baba yt rahmetli patëm gjashtë fëmijë, por deshti Zoti e na i mori të gjithë ata, përpos teje. Amanet bir, mos e le hisen që të të shuhet"... Sytë e bacës Milazim ishin mbushur me lot, por zëri nuk i dridhej. - "Nanë, besën po ta dha që nuk do ta lë këtë hise me u shue". Kështu i pata thanë nënës, e ajo vdiq e qetë. Këto fjalë më janë kujtue shpesh prej se më vdiq gruaja. Ju e dini fatin tim të zi. Zoti mi dha gjithë ata fëmijë... ato melaqe... por më pas mi mori përsëri. E, çka mund të bëjmë ne kundër dëshirës së Tij? Kush jemi ne që të mos pajtohemi me vullnetin e Zotit? Por, në ëndërr një zë nuk më linte rehat, më thoshte: "O Milazim, me çfarë fytyre do të dalësh para nënës tënde, kur të vdesësh, kur nuk e ke mbajtë besën që ia dhe"? Për këtë sebep vllazni, vendosa me u martue edhe një herë. N'dash thoni Milazimi u tranu, n'dash thoni çka të doni, po ndryshe nuk mujta. Pas disa momentesh heshtjeje, ishte Osmani, më i vjetri i katundit, që ishte ndier të fliste. - O përhajr bre vlla, ishalla përnjëmend ia çon nanës besën në vend, e e mbush këtë shtëpi me fëmijë e me jetë. Pasi që të tjerët i ishin bashkuar këtij urimi me një "amin" të thënë secili për vete, Osmani kishte vazhduar. - Po miqtë e ri kah i kemi? - O baca Osman, a të kujtohet ai shoku im i ushtrisë, ai që vinte të më vizitonte herë pas here? - Ragipi i Gollakut, a? - Jo, jo. Ai boshnjaku i Pazarit. Meha. - Po, more, e qysh nuk më kujtohet? Burrë i mirë ishte. Moti s'e kam pa. A mos ka vdekë, a? - Jo, jo. Ti më vete kah i kemi miqtë e ri. Nusja është një kushërirë e tij. Qenka rritë jetime e shkreta dhe diqysh paska mbetë mbas dore. Ramadani, një burrë në të tridhjetat, reagoi me një zë shpotitës. - Valla baca Milazim bravo të qoftë! Po qysh t'u kujtue se, me shkue në Sanxhak për me marrë nuse? - Valla bre Dan, ti e di se unë jam më i vjetër se ti. Mbaj mend shumë mirë që, kur burrat mbesnin vejana, shkonin në Sanxhak, a Bosnjë, për të gjetë naj grue. Kërkush nuk kthehej duarthatë. Thash, hajt të shkoj e ta provoj. Edhe Mehën nuk e kisha parë moti... - Po, po. Mehën, qysh jo... Ramadan sherri thuajse e pat përgjigjen në majë të gjuhës. Për një moment në atë atmosferë të zymtë disi u ndez një zjarr i gazit e lumturisë. 

(Kosova Sot)