Ngjarje e vërtetë; E donte alkoolin më shumë se familjen (2)

  • 30 December 2017 - 14:19
Ngjarje e vërtetë; E donte alkoolin më shumë se familjen (2)

Ajo kishte të drejtë që ndihma do të ishte e mirëseardhur për ne dhe ndieja falënderim ndaj tyre, duke qenë se e dija që kishin lënë shtëpinë dhe miqtë, vetëm që të ishin me ne dhe të na ndihmonin. Renata, si zakonisht, ishte e ftohtë ndaj tyre, prandaj më duhet ta pranoj, isha tepër i zhgënjyer. Gjatë viteve vijuese, pak nga pak fillova t’i zbuloja anët negative të karakterit të Renatës dhe grindjet midis nesh u bënë gjithnjë e më të shpeshta. E, thuajse gjithmonë shkak i grindjeve ishte Kaltrina e vogël. Vajza jonë kishte vetëm tri vjet kur një mbrëmje, pasi që u ktheva nga puna, gjeta Renatën duke i bërtitur asaj dhe duke e rrahur në të pasmet. - Çka po ndodh? – e pyeta gruan, duke e larguar nga Kaltrina. – Çka mund të ketë bërë vajza, për ta merituar këtë rrahje? Renata më shikoi me zemërim, me ç’rast vërejta se sytë i kishte të kuqë, por jo nga lotët. - Lehtë e ke ti – bërtiti - ti vjen në shtëpi dhe të gjitha i ke hazër! Unë e mora vajzën te nëna jote dhe e përgatita darkën, e ajo tërë tenxheren me gjellë e derdhi në dyshemenë e pastruar. Nuk dua që të jem robëreshë në këtë shtëpi! Pasi që mbaroi me shfryrjen e zemërimit, ajo u ul në karrige dhe e kapi kokën me duar. Mbeta pa fjalë, kurse Kaltrina pushoi së qari, duke më shikuar e tmerruar, me gjasë duke pritur edhe një ndëshkim. E mora në krahë dhe e çova në banjë për t’ia larë sytë, meqë tërë fytyrën e kishte të lagur nga lotët. - Kurrgjë s’është bërë, zemër – i thashë – Nëna është vetëm e lodhur, meqë punon tepër. - Të lutem, baba, më lejo që të rri te gjyshja! E dija se, po të thosha diçka në dobi të nënës sime, midis meje dhe Renatës do të plaste edhe një grindje tjetër. Për këtë shkak, i ika përgjigjes dhe vetëm thashë: - Tash babi do të luajë pak me ty, e më pas do të të ushqejë dhe do të të vërë në gjumë. Në rregull? - A do të ma lexosh një përrallë? – më pyeti Kaltrina e kënaqur, si duket duke e harruar në tërësi ngjarjen e keqe. - Do të ta tregoj cilën përrallë që do të dëshirosh, e nëse do të ketë nevojë, do të ta lexoj tërë librin me përralla, derisa të të marrë gjumi. Prit vetëm pak, të shoh se si është nëna. Renata nuk kishte lëvizur nga vendi. - Çka po ndodh? – e pyeta i shqetësuar. – Më dukesh disi e çuditshme. Mos ke temperaturë? Atëherë më shikoi dhe, papritmas, ia krisi gazit. - Nuk kam temperaturë – filloi të më qetësonte. – Vetëm nuk mund ta duroj vajzën tënde të llastuar! Sikur nëna jote të mos e llastonte aq shumë, si dhe sikur të mos e lejonte të bënte çka të donte, ajo do të mësohej të sillej si duhej! U ndjeva i humbur, kurse toni i Renatës më frikësoi. Në atë moment në sy më ra shishja e verës, e cila qëndronte mbi tavolinë. Ajo ishte gati e zbrazur, e unë isha i sigurt se nuk e kisha hapur. Mos vallë këtu qëndronte shkaku i gjendjes së Renatës? Gjatë ditëve në vijim fillova ta kontrolloja gruan dhe, kështu zbulova se ajo kishte filluar të pinte. Një mbrëmje, pasi që e vendosëm Kaltrinën në gjumë, vendosa ta filloja këtë temë: - Çka është duke ndodhur? Kur ke filluar të pish? Më shikoi sikur të ishte duke u argëtuar dhe sikur mezi ia dilte të mbetej serioze. As atë mbrëmje nuk ishte krejt esëll. - E çka bëhet nëse pi pak? Edhe prindërit e mi kanë pirë. Prindërit e saj! Ja pse, përkundër faktit se kishin moshë të përafërt me moshën e prindërve të mi, ata dukeshin shumë më të moshuar.

(Kosova Sot)