Ngjarje e vërtetë: E donte alkoolin më shumë se familjen (5)

  • 02 January 2018 - 13:16
Ngjarje e vërtetë: E donte alkoolin më shumë se familjen (5)

 Unë në terapi jam duke ardhur tash e dy muaj dhe tanimë kam vërejtur përmirësime. - Njëmend? Mos bëj hajgare! - i tha me ironi Renata. - Çfarë përmirësimesh ke vërejtur? - Më parë kam pasur ankthe të tmerrshme - tha me shikim të ulur. - Vazhdimisht ëndërroja se më vdiste vajza. E ngriti shikimin kah unë dhe menjëherë vërejta se kishte shikim të butë. - E tani, nuk sheh më ëndrra të tilla, a? Renata vazhdonte që të bisedonte me të, por aspak e interesuar rreth shprehjes së fytyrës së saj. Ndjeja nevojën që ta pyesja Jetmirën se si kishte kërkuar ndihmë në spital. Buzëqeshi para se të përgjigjej, sikur të gëzohej që dikush ia bëri këtë pyetje. - Mbeta pa vajzën time trevjeçare - më tha, derisa iu mbushën sytë me lot. - Ishte tepër e sëmurë… - Po çfarë vajze, more - tha Renata. - Ky është efekti i alkoolit. Me gjasë as që ke pasur ndonjëherë fëmijë! Jetmira nuk tha asgjë, pos e uli kokën poshtë. Unë nuk munda të durohem dhe i thashë: - Unë të besoj, Jetmirë. Për fat të keq, gjërat e tilla ndodhin. A ishte burri yt afër, që të të ngushëllonte? - Nuk kam burrë - u përgjigj me zë të ulët. - Sapo ngela shtatzënë, ai më la. Por, unë e doja atë fëmijë dhe as që më shkonte ndërmend t'i thosha burrit të rrinte me mua nga mëshira. E kisha punën time dhe rrogën time, kështu që nuk kisha nevojë të më mbante ai. - Shoh se ju të dy po ia kaloni mirë! - tha Renata duke buzëqeshur. - A mund ta pi një birrë për shëndetin tuaj? - Jo! - iu përgjigja me ashpërsi. - Ti je në terapi të lënies së alkoolit dhe, nëse ke harruar, kjo është për të mirën tënde. Ajo nuk tha asgjë. Vetëm u ngrit dhe iu afrua TV-së, duke na injoruar. - Renata sillet kështu edhe gjatë terapisë grupore - tha Jetmira. - Duket se ajo nuk dëshiron fare të ndryshojë. Dhe, të lutem, më fal që flas kështu rreth gruas tënde. - Mos u mërzit - i thashë. - Por, më trego, çka ndodhi me fëmijën tënd? - Nuk e kam imagjinuar këtë, më beso! - u mundua që të fliste sa më bindshëm. - Nga atëherë kanë kaluar tash e shtatë vjet. Fillova të pija dy vjet më parë, nga dëshpërimi, e më pas më vërejti nëna ime, e cila më detyroi që të kyçem në terapi. - A dëshiron të shërohesh? - Ndonjëherë jo - mu përgjigj me pikëllim. - Por, ndonjëherë te unë lind shpresa dhe mendoj se, në të ardhmen, ndoshta përsëri do ta kem njëfarë jete dhe do të ndjej ngrohtësi ndaj dikujt. Por, më thuaj, a guxon ti ta lejosh gruan që të vozitë? Nëna mua ma ka ndaluar këtë. Kurrë nuk kisha menduar për këtë, meqë Renata e përdorte automobilin vetëm kur shkonte për t'i vizituar familjarët e saj, që jetonin jashtë qytetit. Megjithatë, fjalët e Jetmirës më shqetësuan. - Ke të drejtë - u përgjigja. - Kurrë nuk kam menduar për këtë, meqë ajo vozitë rrallë. Por, duke pasur parasysh karakterin e saj, nuk e di a do të mund t'ia ndaloja vozitjen. - Unë nuk pi më - më tha Jetmira. - Por, çdo herë kur dalim nga terapia grupore, shoh që Renata shkon në kafene. Nuk besoj se ajo atje pi kafe, apo çaj. - Asaj terapia nuk është duke i ndihmuar aspak - thash i pikëlluar. 

(Kosova Sot)