Ngjarje e vërtetë: Triumfi i dashurisë (18)

  • 03 January 2018 - 15:21
Ngjarje e vërtetë: Triumfi i dashurisë (18)

- Pse, bre? Hajt, më trego njëherë, çka paska bërë vaki? - Paska thënë në një intervistë, se Ramushi qenka vrasës... - Shihe... - ... dhe paska kritikuar liderët e Kosovës dhe të Shqipërisë, që e kanë pritur vrasësin si hero. - Thënë të drejtën, unë hiç nuk po befasohem nga kjo deklaratë e tij. Pasi që pa se Ramizi nuk kishte ardhur për atë "muhabetin" që e shqetësonte, përnjëherë Kujtimit i erdhi një dëshirë e madhe për të diskutuar. - Nuk po befasohem sepse, a e ke parë? Ai është i prirë që gjërat t'i tjerr tepër holl. - Spiun është, bre! - Jo, jo. Nejse, ndoshta është edhe spiun, unë nuk e di, por më shumë më duket sikur ai ka përshtypjen se është më i mençur se të gjithë. Se është gjeni dhe se mund të arrijë te çdo e vërtetë thjesht, vetëm në bazë të mendjes së tij. Apo, mund të themi edhe se, në këtë rast, Lubonja dhe të gjithë që mund ta mbështesin këtë qëndrim të tij, manifestojnë një të menduar konkret. "Ramushi ka vrarë, d.m.th. është vrasës"! E, ti e di se të menduarit konkret nuk është shenjë e njerëzve të shëndoshë mendërisht - O Kujtë, mos u mundo t'i arsyetosh! Nuk janë të çmendur këta, jo! Mos harro se ka edhe njerëz të paguar! Edhe pse ky është intelektual, por kam një përshtypje që këta, të Shqipërisë, vetëm lekun e dinë hak. - Mos, të lutem! Mos i përgjithëso gjërat. Ti e di se çka bënë ata gjatë luftës për ne. Është e vërtetë se shqiptarët e Shqipërisë janë disi ndryshe nga ne. Nuk po them as më të mirë, as më të këqij, por ndryshe. Kjo është edhe e kuptueshme, sepse, deri vonë, kemi jetuar në dy bota të ndryshme, pa pasur komunikim midis veti. E, sa i përket asaj që Ramushi qenka vrasës... unë nuk e di, bre vëlla... edhe këta të EULEX-it. I akuzojnë njerëzit se paskan vrarë filan spiunin, apo filan policin serb. Po luftë ka qenë, more njeri! Apo mos këta po mendojnë se ka qenë një lojë fëmijësh. Normalisht që në luftë kundërshtarët vriten midis vete. Unë personalisht, jam njëfarë intelektuali i vogël dhe kam një profesion humanitar, por sikur të kisha mundësi, krejt spiunët me dorën time i kisha vrarë. Ne vetë kemi faj. Çfarë EULEX-i të leshit, a çfarë BE-je të hamamit, bre?! Besën ta dhashë, derisa ne të vijmë në radhë për t'u anëtarësuar, BE-ja as që do të ekzistojë më. Duhet të dalim në protesta e të kërkojmë që të ndërpritet ky cirkus. Askund në botë, në asnjë luftë, nuk është gjykuar a dënuar për vrasjen e kolaboracionistëve dhe kundërshtarëve ushtarakë, a policorë. Kjo është duke ndodhur vetëm te ne. E, civilët, nëse ndokush ka vrarë civilë të pafajshëm, atëherë ia paftë hairin. - Luaja Kujtë, he "Vetëvendosje"! - Aman, jarani jem, mos më ofendo! Më mirë më thuaj shkurt e shqip ahmak, a budalla, nëse mendon se jam i tillë, e "Vetëvendosje" mos më thuaj. - E di, e di se ty të nervozon kjo gjë. Hajgare ishte. Kujtimit i ra në mend se nuk i kishte ofruar shokut asgjë. - Djalo, a je për kafe, a për bukë, a? - Jo për bukë me çaj! A nuk e prishni ju shehërlinjtë kështu në mëngjes, a? - Po de, po ti je katundar, për atë shkak nuk të ofrova. Të dy qeshën. Por, si duket, Kujtimit ende nuk i kishte ikur zelli për të debatuar. Sikur kur i shpëton ndonjë rreziku të madh, e të kaplon euforia. H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)