Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (26)

  • 11 January 2018 - 12:11
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (26)

Shqetësimi i tij i vetëm ishin nëna dhe motra, të cilat kurrë nuk e kishin vizituar. Në fakt, gjatë këtyre dy javëve sa kishte qëndruar në UKIP, Luftimin nuk e kishte vizituar askush. Kujtimi mendonte ta transferonte pacientin në repart të hapur, e më pas, nëse çdo gjë do të shkonte mirë, ta lëshonte në shtëpi. Edhe pse ndihej shumë i kënaqur me përparimin që kishte arritur pacienti (kur, në një rast, Kujtimi e pyeti në mënyrë të drejtpërdrejtë se çka mund t'i thoshte për Të Martet, Luftimi, pas një pauze, i tha se kishte filluar të mendonte se ato i kishte parë vetëm në ëndërr, e se në realitet nuk ekzistojnë edhe pse nuk ishte 100% i sigurt në këtë që thoshte), në anën tjetër Kujtimi do të "dëshironte" që pacienti të manifestonte ato simptoma që i kishte pasur në fillim, në mënyrë që profesori Moshe ta shihte dhe të merrte informatat që i duheshin. Kjo Kujtimit ia sillte ndërmend një rast tjetër, të ngjashëm, të një gruaje të re, të sapomartuar, të cilën e kishte sjellë burri i saj një ditë derisa Kujtimi ishte kujdestar. Ajo nuse e re ishte e "pushtuar nga djalli". Ky çrregullim ishte i rrallë në psikiatri, kështu që për Kujtimin ishte hera e parë që shihte një pacient të tillë. Kur nga nusja fliste "djalli" Kujtimit i binte ndërmend filmi "The Exorcist". Aq bindshëm e "luante" rolin e djallit nusja. Pasi që nusja, e edhe burri i saj, nuk kishin pranuar që ajo të shtrihej në spital, Kujtimi i kishte shkruar terapinë dhe e kishte lëshuar në shtëpi. Kujtimi kishte vendosur që, kur të vinte pacientja në kontroll pas dy jave, ta incizonte atë derisa fliste si djall, në mënyrë që ta prezantonte atë incizim para kongresit të Lidhjes së Psikiatrisë Shqiptare, që do të mbahej pas disa muajsh në Tiranë. Meqë nuk kishte telefon me kamerë ("telefoni shërben për telefonata dhe kaq" thoshte ai). Kujtimi mori kamerën digjitale dhe e vendosi në veturë, për të qenë i përgatitur ta bënte incizimin, kur të vinte pacientja në kontroll, natyrisht nëse do të pranonte ajo dhe familjarët e saj. Por, kur ajo erdhi pas dy jave në kontroll, ishte aq e përmirësuar, saqë nuk manifestonte më fare episode të pushtimit nga djalli. Në njërën anë Kujtimit i vinte shumë mirë për përparimin që kishte arritur ajo, por në anën tjetër, i vinte keq që i kishte shkuar huq plani i incizimit të saj. KAPITULLI I NJËMBËDHJETË "Shpresoj se je xhentëlmen, ashtu si paraqitesh para të tjerëve. Nuk do të doja që ajo që ndodhi midis nesh para disa ditëve, të bëhet publike. Nuk na konvenon as ty, e as mua. Dr. Valentina". Ishte ky mesazhi, i cili Kujtimit i kishte ardhur në telefon në orën 4 të mëngjesit, por që e pa vetëm kur u zgjua, në orën 7:00. "A thua do ta ketë shkruar në këtë orë? Në mes të natës"?, vriste mendjen ai, sepse e dinte që, disa herë, mesazhet mund të arrinin edhe me disa orë vonesë. Sido që të ishte, i vinte mirë që, përfundimisht, pas 5 ditëve, merrte një "feedback" nga dr. Tina, sepse kështu nuk do t'i duhej më të bluante më në mend se çka mund të bënte ajo, apo si ndihej rreth asaj që ndodhi. Në punë nuk e kishte parë që nga ajo ditë. "Është në pushim mjekësor", kishte dëgjuar të thoshin, por edhe ashtu, mungesa e saj nuk ishte se ndihej fort në klinikë, meqë puna që bënte dr. Tina aty, ishte me të vërtetë simbolike. H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)