Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja vdekjen e tij (1) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja vdekjen e tij (1)

Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja vdekjen e tij (1)

E fajësoja sepse ai kishte shfrytëzuar një moment të dobësisë sime, duke ma kthyer tërë jetën mbrapshtë. A është kjo shtylla e 25-të apo e 26-të e rrymës elektrike? Gjithçka më del me shpejtësi nga fusha e të parit, e objektet e reja që futen, qëndrojnë vetëm një pjesë të sekondës, për të ikur me të parët. Ky numërim është gjëja e vetme me të cilën merrem gjatë kohës derisa kthehem me tren nga puna në shtëpi. Më qetëson zhurma e njëtrajtshme e trenit. Tani njoh çdo gur në këtë udhë, çdo pemë dhe çdo shtëpi a mur. Herë pas here dëgjohet sirena e trenit, për të trembur ato pak dhi, a dele, që mund të kenë dalë në hekurudhë. Çdo gjë është e njëjtë tash e dhjetë vjet, sa ka zgjatur tanimë edhe udhëtimi im nga shtëpia në punë dhe anasjelltas. Ndryshojnë vetëm ngjyrat me ndërrimin e stinëve të vitit. E di që në stacion të trenit do të më presë burri im i papunë, Shqipëroni. Ai edhe nuk ka ndonjë punë tjetër përveç që të më presë dhe përcjellë në stacion. Por, sa herë që zbres nga treni, ai më matë me sy, për të parë a kam veshur ndonjë gjë tepër provokative, me çka do të mund t’ua tërhiqja vëmendjen meshkujve të tjerë. Prejse ka mbetur pa punë, ai është bërë i padurueshëm, si për mua, po ashtu edhe ndaj vetvetes së tij duke manifestuar gjithnjë e më shumë disa ide paranoide, e në trurin e tij sajon mendime të llojllojshme. Kjo më ngarkon tash e ca ditë, e ditëve të fundit edhe më shumë, meqë përfundimisht, ai ka arsye që të më akuzojë. Kjo më ka bërë që të jem më e strukur dhe të kem më shumë frikë nga ai. E, edhe nga vetvetja ime kam frikë, se mos po e zbuloj veten me ndonjë veprim, sepse me Shqipëronin kurrë nuk i dihet, për shkak se vuan nga sëmundja e çrregullimit pas stresit, e kur e pi edhe ndonjë gotë, atëherë ai bëhet i padurueshëm. Por, në këtë tregim viktima jam unë. Apo, kështu kam dashur të ishte, meqë me vullnet të plotë u bëra viktimë, meqë ndoshta e kam më të lehtë që ta fajë- soj atë për të gjitha problemet e mia. Çdo viktimë e kërkon një fajtor, përndryshe nuk mund të quhet viktimë. Të jesh dhe të konsiderohesh viktimë është më lehtë sesa ta pranosh përgjegjësinë për veprat tua. Ky është depërtim kah linja e rezistencës më të vogël. E, kishte mundur që çdo gjë të ishte ndryshe dhe t’i merrja gjërat në duart e mia, sikur të shkoja me Albanin, në vend se të rrija në shtëpi duke e pritur... derisa rrëshqita dhe gabova. Po, jam në kërkim të fajtorit, sepse kështu e kam më lehtë. Ndonjëherë fajin e ka dikush atje lart, herëve të tjera rrethanat, e disa herë burri... E nxjerr pasqyrën nga çanta për të parë se a kam më grim në fytyrë. Nuk ka, çdo gjë e kisha pastruar mirë me faculetë të lagtë. Gjatë muajit të fundit përgatitem më mirë për të shkuar në punë, meqë dua që të dukem më mirë. Shqipëroni nuk dëshiron që të ndreqem, meqë preferon më shumë pamjen natyrore. Nuk duron as edhe preparatin më të butë kozmetik. Hoqa dorë nga luftimet me të, duke u përcaktuar për zgjidhjen më të lehtë: grimin e vendosi herët, në tren, derisa jam duke shkuar në punë. Por, përkujdesem që të mos kthehem me grim në shtëpi. Nuk dua të krijoj skena, meqë nuk kam me kë t’i qaj hallet. 

(Kosova Sot)

11 orë e 46 minuta më parë
20/11/18