Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja VDEKJEN E TIJ (3)

  • 14 January 2018 - 12:01
Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja VDEKJEN E TIJ (3)

Avniu u kthye në qytetin në të cilin punoj pas dhjetë vjetësh, të kaluara në Austri, ku kishte punuar dhe fituar. Mjaftonte një shikim në rrugën e qytetit, të mbushur plot njerëz, një prekje dore, një buzëqeshje dhe e dija se e doja ende. Nuk mund t'i hapi sytë për ta shikuar rrugën, të cilës ia njoh çdo cm. Nuk më jepet ta shikoj as profilin e pikëlluar të Shqipëronit. Më mirë e kam kështu në guacën e imagjinatës sime… Përsëri e dëgjoj zërin e Avniut dhe e kthej "filmin" prej disa muajsh më parë, kur e kisha takuar papritmas. - Iliriana! - më thirri duke më befasuar, pasi që më kishte parë në një grumbull njerëzish. Që nga ai moment zemra më rrah më shpejt sapo e dëgjoj atë zë ende të njohur, e më pas edhe kur i shoh ata sy, të cilët kurrë nuk do të mund t'i harroja. Flokët vazhdonte t'i kishte të verdhë, të dendur dhe kaçurrel. Vetëm rrëzë buzëve i vëreheshin dy rrudha të vogla, më të thella, por ato aspak nuk ia zvogëlonin hijeshinë. Në fakt, ato ia jepnin fytyrës së saj një dozë të seriozitetit dhe besueshmërie. Tërë paraqitja e tij tregonte një mashkull me vetëbesim dhe të pasur, të paktën gjykuar sipas rrobave që i bartte. Për këtë shkak lumturinë të cilën e ndjeja atë moment, e turbullonte ndjenjën e turpit, meqë ndihesha e relaksuar afër tij. Në imagjinatën time, në lidhje me takimin tim me të, unë dukesha e hijshme dhe e pashoqe, e jo kështu, e veshur me rroba të punës, duke shkuar në dyqanin më të afërt për të blerë sandviç. Më vinte të ikja, ta shtyja këtë moment deri në një rast tjetër, kur do të isha më e përgatitur, më adekuate. Por, ishte tepër vonë tani, ai tanimë kishte filluar të më ofrohej. Ma shtrëngoi dorën me ngrohtësi dhe në tërë trupin tim u përhap njëfarë ngrohtësie. - Qenke kthyer? - i thashë me gjysmë zëri. - Sikur që e sheh, ka një muaj tani - më tha duke më shikuar me butësi. - Është e çuditshme që nuk të kam takuar edhe më parë - thashë vetëm sa për të thënë diçka, meqë në fyt filloi të më krijohej një lëmsh. - Ndoshta unë i kam ikur takimit… - më tha, duke më shkaktuar dhembje. - A ende më urren, a? - e pyeta me kujdes. - Jo, jo më. E keqja kalon me kohën, e në kujtime mbetet vetëm ajo që ishte më e mira. Kështu është më lehtë. - Më fal - thash me pendim - të kam shkruar shumë letra, ku të kam kërkuar falje dhe të kam dhënë shpjegime, por ti nuk më je përgjigjur kurrë. - Iliriana, a ke kohë për kafe? Nuk mundemi të bisedojmë kështu për këtë temë, në rrugë. E, ka ardhur koha që këtë përfundimisht ta sqarojmë dhe ta mbyllim këtë kapitull të jetës sonë. - Edhe unë e dëshiroj këtë, meqë duhet ta dish se ato veprime jam duke i paguar edhe sot e kësaj dite. - Edhe unë më pas i kam bërë disa veprime jo të mira, por mundohu ta kuptosh se në lojë ishte edhe krenaria ime, e ajo që kam përjetuar, më ka shkatërruar të tërin. Por, të shkojmë të ulemi diku. U nisa duke ecur pas Avniut si e magjepsur, e çliruar nga çdo frikë se a do të më shihte ndokush dhe do t'i tregonte Shqipëronit sesi kisha dalë për kafe me një mashkull të panjohur. Në atë moment këto gjëra nuk kishin rëndësi për mua. Ia kisha borxh një kërkimfalje, jo me shkrim, por kështu, në katër sy. Pasi që u vendosëm rehatrehat në lokal, Avniu porositi çaj për të dy ne. Më shikoi një kohë të gjatë në sy, e unë nuk doja ta ngusja. Më ishte bërë njësoj se a do të vonohesha në punë, apo jo. Kisha vendosur t'ia përkushtoja tërë kohën e nevojshme. (vijon) 

(Kosova Sot)