Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (31) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (31)

Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (31)

KAPITULLI I NËNTË Moshe Gerzon tani ishte bërë gjysh dhe kishte një hobi jo të rëndomtë - albanologjinë. E fliste gjuhën shqipe goxha mirë. Përpos albanologjisë, Moshe merrej me antropologji dhe sociologji. Kishte ardhur në Prishtinë me rastin e Seminarit ndërkombëtar të gjuhës dhe letërsisë shqipe, apo si quhej më shpesh, Seminarit të albanologjisë dhe kishte shfrytëzuar rastin që ta vizitonte Dr Flamurin, drejtorin e Klinikës së Psikiatrisë, të cilin e kishte njoftuar derisa ky i fundit kishte qenë në Izrael për një trajtim të psikoterapisë. Gjatë muhabetit, se si kishte rënë fjala për pacientin të cilin e kishte pranuar Dr Kujtimi, rreth Luftimit dhe peripecive të tij me Të Martet. Luftimi ishte pacient i Dr Flamurit dhe Dr Kujtimit, meqë çdo pacient vihej nën përkujdesjen e një doktori specialist dhe një doktori specializant. Moshe kishte mbetur i mahnitur nga meseleja e Të Marteve. Bile, menjëherë i kishte quajtur "amazone shqiptare". Ai nuk mund të besonte që edhe sot e kësaj dite, në një cep të Evropës, mund të ekzistonin legjenda të tilla. Për këtë shkak, ai kishte shprehur interesimin që të merrej më shumë me këtë fenomen. Dr Flamuri, si drejtor që ishte, kishte "njëmijë e një obligime", sikur i pëlqente të thoshte, prandaj e kishte lutur Kujtimin që ta shoqëronte Moshen, në aventurën e tij të studimit të Të Marteve. E kishin lënë të takoheshin pas orarit të punës, në restorantin e Hotel Bacit, që gjendej afër klinikës. Kujtimi hipi në veturën e dr Flamurit dhe u nisën për te hoteli. Kur hynë në restorant, panë se Moshe i priste i ulur pranë një tavoline. - Moshe, shoku im, si je, a je mirë? - Mirë, faleminderit, e ty, qysh të kam? - Mirë, mirë, kështu, me njëmijë e një punë. Ja, ky është Dr Kujtimi, një psikiatër i ardhshëm mjaft i zoti. Ai do të të ndihmojë rreth kërkimit që dëshiron ta bësh. Kujtim, ky është profesori Gerzon. Kujtimi kurrë më parë nuk kishte pasur rastin të takonte ndonjë çifut, prandaj prej momentit kur kishte marrë vesh se do të takoheshin, kishte filluar të mendonte sesi mund të dukej Moshe. E paramendonte si një burrë të thatë, me mjekër, me hundë të gjatë, me cilindër në kokë dhe me një buzëqeshje jo fort të sinqertë në fytyrë. Por, e dinte se ky ishte vetëm stereotipi i çifutit, të cilin e kishte krijuar nga ajo që kishte lexuar, apo parë në filma. E, Moshe ishte një burrë që kishte shkelur në të gjysmën e dytë të të gjashtëdhjetave, lehtazi i kërrusur, me sy të vegjël, të gjelbër, por plot energji, me flokë kaçurrela dhe, po, me një hundë paksa më të gjatë, një hundë tipike çifute. Nuk ishte thatanik. Për shkak se kishte "eshtra të gjerë", dukej më i shëndoshë sesa që ishte në të vërtetë. - Më vjen mirë! - Edhe mua, profesor! Kujtimi u befasua nga shqipja e mirë e Moshes. Dr Flamuri nuk i kishte treguar se ai e fliste shqipen. Kujtimi po ashtu nuk do të priste që, një njeri i asaj moshe, ta kishte një shtrëngim të dorës aq të fortë dhe një të tundur aq energjik të saj. H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)

4 orë e 14 minuta më parë
15/10/18