Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (32) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (32)

Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (32)

Tokën e spërkati njëherë me ujë, e më pas i ra fshesë të dorës, kurse janin, shtrojën që ishte e vendosur mbi dërrasa, e mori dhe, pasi e shkundi jashtë, e shtroi përsëri aty ku ishte. Shiltet dhe jastëkët anësorë, të mbushur me kashtë, i shkundi pak me dorë dhe i renditi me shije. Iu duk se dëgjoi të ëmën duke folur. Pasi që dëgjoi edhe zëra të tjerë, Nurija u bind se e ëma nuk ishte duke folur vetë me vete, prandaj me të shpejtë doli jashtë. Ishte Xhezidja ajo që bënte llaf me Fatimen. Por, derisa Nurija doli jashtë, ato si duket e kryen muhabetin. Fatimja u nis si e xhindosur, me hapa të shpejtë në drejtim të shtëpisë. - A të thash? A po e shef, bijë? - Çka u bë, nënë? A Luftimit i paska bërë vaki diçka, a? - Nuk e di. Ishalla jo. Po vijnë dy njerëz nga spitali. Paskan vetë në katund ku e kemi shtëpinë dhe tani Xhezidja do t'i sjellë këtu. - Ngadalë bre nënë, ngadalë! Ndoshta na sjellin lajme të mira. Kushedi... - Ho-ho-ho! Ani lajme të mira thotë! Po çfarë lajmesh të mira, oj çika jeme?! A hala nuk e ke marrë vesh, a? Unë jam e mallkuar çika jeme, e si duket edhe juve ju ka ndjekë fati im i keq... Sapo Nurija u përgatit të thoshte diçka, e ëma e ndërpreu. - Shih! Ja, po vijnë! Dy vetë kokan. Njëri koka shumë plak. Hyr brenda, shpejt! - Jo. Pse të hyj?! Dua të dëgjoj çka thonë për Luftimin! x x x Duke mos ditur se ku e kishte shtëpinë Luftimi, por edhe për shkak se rruga në brendësi të fshatit ishte thuajse e pakalueshme për vetura, Kujtimi vendosi që ta linte veturën te dyqani i fshatit (nëse mund të quhet dyqan një dhomë e thjeshtë, me tri rafte, që shiste thuajse vetëm duhan, sheqer, kripë dhe ndonjë pije) , e më pas, duke pasuar udhëzimet që ua dha dyqanxhiu, por edhe kalimtarët e rastit, sikur që ishte Xhezidja, të arrinin aty për ku ishin nisur. Duke dashur që të tregohej i sjellshëm, Kujtimi ia mori profesorit çantën për t'ia bartur, me ç'rast pa se ajo ishte goxha e rëndë dhe në të kishte një si kuti të fortë. - Profesor, goxha shumë e paske mbushur. Çka ka këtu brenda, nëse nuk është sekret? - Jo, Kujtim, çfarë sekreti. Brenda gjendet një gramafon i tipit të vjetër, ndoshta ke parë, prej atyre që janë me dy "rrota" të mëdha. Kujtimi e kishte parasysh pak a shumë se për çka e kishte fjalën profesori, meqë i kujtohej se axha i tij i madh, Hamiti, tani i ndier, i cili ishte merakli i madh i muzikës folklorike, dikur dëgjonte "shahirat" me asi gramafoni, me dy rrota të mëdha, që për Kujtimin, si fëmijë që ishte, dukej mjaft interesant. - Po çka të duhet një gjë e tillë, profesor? Në kohën e elektronikës dhe aparateve të përkryera, më të lehta? Pasi që qeshi lehtazi, me qeshjen e tij karakteristike, Moshe u përgjigj. - E di, kur ia pata filluar punën si antropolog, profesori im kishte një aparat të tillë dhe unë, sa herë që e përdori atë, disi më duket vetja më i aftë, sikur identifikohem me profesorin tim, i cili konsiderohet themelues i antropologjisë në Izrael. Kujtimi buzëqeshi dhe, pasi ngriti shikimin, pa shtëpinë e Luftimit, saktë- sisht ashtu si ia kishte përshkruar Xhezidja, e cila i kishte përcjellë deri afër ("Do ta shihni një si koçak të pulave, pak më të madh. Para derës do t'ju pret nëna dhe motra e Luftimit"). 

(Kosova Sot)

20 orë e 20 minuta më parë
15/10/18